“Skemë e përgatitur nga Vuçiq, Albini para një presioni të dyfishtë”/ Profesori tregon tri rrugët e Kurtit: Mund të dorëhiqet dhe...

Politika

“Skemë e përgatitur nga Vuçiq, Albini para një presioni të dyfishtë”/ Profesori tregon tri rrugët e Kurtit: Mund të dorëhiqet dhe...

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 28 janar 2023 Në ora: 21:35
Albin Kurti

Ndihmës sekretarja amerikane të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Karen Donfried, ka deklauar se Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira teksa ka thënë se për to do ta kenë mbështetjen e SHBA-së, ani pse nuk ka specifikuar se për çfarë vendimesh bëhet fjalë.

“Për vendet e Ballkanit Perëndimor tani ekziston mundësia për të ecur përpara në rrugën e integrimit euroatlantik. Kjo mundësi është aty për Serbinë dhe Kosovën. Serbia dhe Kosova janë vende sovrane. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk mund të imponojnë vendime apo zgjidhje. Ne po përpiqemi të jemi një forcë që sjell ndryshime të mira. Besoj thellësisht se qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë e shohin të ardhmen e tyre si anëtarë të plotë të komunitetit euroatlantik. Bashkimi Evropian prej vitesh ka ushqyer dhe po nxit një dialog. Shtetet e Bashkuara po e mbështesin këtë dialog, sepse ne besojmë se është rruga që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të plota të komunitetit eurotlantik. A ka vendime të vështira që duhet të marrin Kosova dhe Serbia? Absolutisht. A do të jemi aty për t’i mbështetur ato ndërsa marrin këto vendime të vështira? Patjetër”, ka thënë Karen Donfried në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

E për thirrjen e Donfried, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë angazhuar fuqishëm për t’i dhënë një zgjidhje konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë.

Image
Enver Bytyçi

“Rrallë herë ndodh që amerikanët dhe evropianët të bëhen bashkë, pra të harmonizojnë interesat e tyre, për t’i dhënë fund konflikteve në Ballkan. Kësaj radhe ka ndodhur kjo për shkak të luftës në Ukrainë dhe rrezikut rus në rajonin tonë. Por ka një problem: Britania e Madhe nuk po ndjehet, nuk është gjithashtu pjesë e skuadrës euro-amerikane për zgjidhjen e ofruar”, thotë Bytyçi, i cili thotë se plani franko-gjerman duhet të pranohet edhe nga Kosova.

“Ndërkaq projekti 10 pikash franko-gjerman është një plan që u pranua nga Beogradi. Në tetë pika e gjysmë ky plan pranohet e duhet pranuar edhe nga Kosova. Por duhet të themi se në fakt është Kosova ajo së cilës i kërkohet të marrë vendime të vështira. Të gjithë diplomatët thonë se të dy palëve u kërkohet të marrin vendime të vështira. E tha këtë edhe ndihmëssekretarja e Departamentit Amerikan, Karen Dinfried. Në fakt vetëm Kosova vihet në presion. Beogradi është i qetë. Aq i qetë sa ministri i Jashtëm Daçiq thotë se ka biseduar me presidentin turk, Erdogan, për të shtuar presionin ndaj Prishtinës, që Kosova ta pranojë planin. Pra, në Beograd nuk ka asnjë sinjal se dikush është në vështirësi për të marrë vendime. Vuçiq i ka bindur edhe agjentët e Putinit në politikën serbe që ta pranojnë planin. Dhe kjo ndodh se nuk ka humbje Serbia nga kjo”, shprehet Bytyçi.

Profesor Bytyçi deklaron se Kosovës po i kërkohet formimi i një Asociacioni që është njëtnik dhe një Republikë Srpska brenda Kosovës.

“Vështirësia e Kosovës është se po i kërkohet të krijojë asociacionin. Asociacioni është një Republikë Srpska, e cila e shpërbën shtetin e Kosovës. Një shteti multietnik me kushtetutë po i kërkohet një Asociacion njëetnik. Është e mjaftueshme kjo për të dalluar se marrëveshja është në interesin serb dhe kundër interesave të Kosovës. Atëherë nuk duhet të intrigohemi nga termi se “Serbia e Kosova janë para vendimeve të vështira”! Serbia nuk do ta njohë Kosovën me këtë marrëveshje. Për pasojë vendet evropiane nuk do ta njohin. Atëherë çfarë fiton Kosova nëse nënshkruan Asociacionin? Asgjë domethënëse. Ndërsa Serbia fiton të drejtën që ta zhvillojë një betejë tjetër në të ardhmen për ndarjen e Kosovës. Sepse sipas planit njohja do të ndodhë në të ardhmen. Marrëveshja e sotme ne letër është thuajse e njëjtë me atë të 19 prillit 2013. Pse të ketë problem Serbia që ta nënshkruajë atë? Është Kosova ajo që dëmtohet”, thekson Bytyçi.

Por a është nën presionin ndërkombëtar kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

“Sigurisht që po. Por nuk është Aleksandër Vuçiq në asnjë lloj trysnie. Albini është para një presioni të dyfishtë: - Trysni me kërkesën absolute që të nënshkruajë një Asociacion që krijon kushtet paraprake për ndarjen e Kosovës. Dhe presionit për të mos nënshkruar, sepse nënshkrimi do të ishte një thikë në hartën e vendit që ai qeveris. Ai duhet të zgjidhë vetë se cilit prej këtyre dy presioneve duhet t’i nënshtrohet. Ose nuk duhet t’i nënshtrohet. Sepse ka edhe një rrugë tjetër: - Të japë dorëheqjen e ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme në 45 ditë. Në këtë rast do të ri dimensionohej ndoshta edhe projekti”, shpjegon Bytyçi.

E gjithë kjo, sipas profesor Bytyçit është një skemë e menduar nga Aleksandër Vuçiq.

“Prapa këtij kurthi qëndron Beogradi dhe presidenti u Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai e ka ndërtuar skemën të tillë që prej fillimit. Kjo skemë kishte dy linja; Nga njëra anë të hiqej si viktimë, nga ana tjetër të largonte nga projekti kërkesën për njohje. Dhe ia arriti kësaj. Bëri presione të panumërta. Tani hiqet paqësor. Sepse po i a arrin ta fajësojë Albin Kurtin. Por Kurti nuk duhet të kompleksohet nga presioni dhe nofka si shkaktar i dështimit të marrëveshjes. Ai duhet të marrë vendime me gjakftohtësi. Në radhë të parë duke mbajtur parasysh interesat e Kosovës”, nënvizon Bytyçi.

“Ndoshta kjo çon në tërheqjen e ndërkombëtarëve nga Kosova dhe mbështetja për të. Por kjo do të jetë e përkohshme. Gjatë kësaj përkohshmërie mundet që Vuçiq t’u rikthehet metodave të luftës së nxehtë. Shqiptarët e Kosovës si dhe gjithë shqiptarët në Ballkan, përfshirë edhe personin tim, pavarësisht moshës, do të duhet të bëjmë atë që në vitin 1999 bëri NATO. Të vendosin kufirin me luftë, nëse këtë e kërkon Serbia. Vetëm territoret nuk falen me marrëveshje. Ato mbrohen, së paku bëhet lufta për mbrojtjen e tyre”, përfundon për “Bota sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat