Biserko zbulon ndryshimin drastik të Vuçiqit për Kosovën dhe paralajmëron: Mund të ndryshojë loja në tryezën me Serbinë!

Politika

Biserko zbulon ndryshimin drastik të Vuçiqit për Kosovën dhe paralajmëron: Mund të ndryshojë loja në tryezën me Serbinë!

A.Zhushi Nga A.Zhushi Më 29 janar 2023 Në ora: 08:02
Sonja Biserko

Pas heqjes së barrikadave të serbëve në veri të Kosovës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, teksa e kishte cilësuar këtë si “fitore të vogël”, ishte zotuar se do të vazhdonte të “luftonte për Kosovën” dhe se Serbia nuk do të dorëzohej para presionit të Perëndimit.

Por, tani Vuçiq ka ndryshuar drastikisht deklaratat e tij. Së fundmi, ai ka pranuar se Serbia do të “izolohet” nëse nuk e pranon planin franko-gjerman, për arritjen e marrëveshjes me Kosovën.

Këtë ndryshim të presidentit serb, për gazetën “Bota sot” e ka komentuar kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko. Ajo ka thënë se nëse Serbia nuk do ta pranojë planin e Gjermanisë dhe Francës për raportet me Kosovën, ajo do të sanksionohet nga partnerët ndërkombëtarë.

Biserko ka sqaruar se ndërkombëtarët kanë për qëllim të parandalojnë një front të dytë rus në Ballkanin Perëndimor dhe kjo sipas saj, është arsyeja e aksionit të vazhdueshëm nga diplomatët evropianë dhe amerikanë.

“Mendoj se është e rëndësishme të kemi parasysh kontekstin më të gjerë dhe se agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar thellësisht kontekstin evropian të sigurisë. Është arsyeja kryesore që SHBA-ja dhe BE-ja kanë vendosur të mbyllin çështjet e Ballkanit për të parandaluar një front të dytë rus apo çdo lloj ndërhyrjeje. Prandaj, aksioni i vazhdueshëm diplomatik perëndimor ka për qëllim finalizimin e statusit të Kosovës dhe grumbullimin e Ballkanit Perëndimor si sferë perëndimore të ndikimit. Nëse do të ketë sukses do të thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi do të jetë pikë referimi për të gjithë rajonin. Thënë këtë, ndryshimi drastik i Vuçiqit mund të kuptohet vetëm në këtë kontekst. Siç kemi dëgjuar (askush nuk e ka parë ende propozimin origjinal), por nëse ndodh që Serbia nuk është në gjendje ose nuk dëshiron ta bëjë, ajo do t'i nënshtrohej sanksioneve që nuk mund të mbijetojë. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën”, ka deklaruar Biserko për “Bota sot”.

Teksa është shprehur optimiste se do të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi, Biserko ka paralajmëruar se mund të ndryshojë loja për rajonin përmes negociatave në Bruksel.

“Perëndimi me siguri do të bëjë një përparim. Serbia duhet të përcaktojë më në fund kufijtë e saj, të stabilizohet politikisht dhe ekonomikisht dhe të çlirohet nga varësia nga Rusia. Propozimi në tryezë mund të jetë një ndryshim i lojës për rajonin”, ka thënë Sonja Biserko.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka thënë se dokumenti nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.

Ai ka përsëritur se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por ka thënë se i njëjti nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

Kurti për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat