Zhvillimet në prapaskenë/ Alarm për Kurtin dhe Kosovën, zbardhet “kurthi” i Aleksandër Vuçiqit 

Politika

Zhvillimet në prapaskenë/ Alarm për Kurtin dhe Kosovën, zbardhet “kurthi” i Aleksandër Vuçiqit 

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 29 janar 2023 Në ora: 11:57
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në kohën kur presioni ndaj kryeministrit Kurti po shtohet çdo ditë e më shumë për formimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, ndihmës sekretarja amerikane të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Karen Donfried, ka thënë se, Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira teksa ka thënë se për to do ta kenë mbështetjen e SHBA-së.  

“Për vendet e Ballkanit Perëndimor tani ekziston mundësia për të ecur përpara në rrugën e integrimit euroatlantik. Kjo mundësi është aty për Serbinë dhe Kosovën. Serbia dhe Kosova janë vende sovrane. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk mund të imponojnë vendime apo zgjidhje. Ne po përpiqemi të jemi një forcë që sjell ndryshime të mira. Besoj thellësisht se qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë e shohin të ardhmen e tyre si anëtarë të plotë të komunitetit euroatlantik. Bashkimi Evropian prej vitesh ka ushqyer dhe po nxit një dialog. Shtetet e Bashkuara po e mbështesin këtë dialog, sepse ne besojmë se është rruga që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të plota të komunitetit eurotlantik. A ka vendime të vështira që duhet të marrin Kosova dhe Serbia? Absolutisht. A do të jemi aty për t’i mbështetur ato ndërsa marrin këto vendime të vështira? Patjetër”, ka thënë Karen Donfried në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, teksa nuk ka treguar se për çfarë  vendimesh bëhet fjalë. 

Kosova ta pranojë planin franko-gjerman 

E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë angazhuar fuqishëm për t’i dhënë një zgjidhje konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë.  

“Rrallëherë ndodh që amerikanët dhe evropianët të bëhen bashkë, pra të harmonizojnë interesat e tyre, për t’i dhënë fund konflikteve në Ballkan. Kësaj radhe ka ndodhur kjo për shkak të luftës në Ukrainë dhe rrezikut rus në rajonin tonë. Por ka një problem: Britania e Madhe nuk po ndjehet, nuk është gjithashtu pjesë e skuadrës euro-amerikane për zgjidhjen e ofruar”, thotë Bytyçi, i cili shton se plani franko-gjerman duhet të pranohet edhe nga Kosova. 

Image
Enver Bytyçi

 

“Ndërkaq projekti 10 pikash franko-gjerman është një plan që u pranua nga Beogradi. Në tetë pika e gjysmë ky plan pranohet e duhet pranuar edhe nga Kosova. Por duhet të themi se në fakt është Kosova ajo së cilës i kërkohet të marrë vendime të vështira. Të gjithë diplomatët thonë se të dy palëve u kërkohet të marrin vendime të vështira. E tha këtë edhe ndihmëssekretarja e Departamentit Amerikan, Karen Dinfried. Në fakt vetëm Kosova vihet në presion. Beogradi është i qetë. Aq i qetë sa ministri i Jashtëm Daçiq thotë se ka biseduar me presidentin turk, Erdogan, për të shtuar presionin ndaj Prishtinës, që Kosova ta pranojë planin. Pra, në Beograd nuk ka asnjë sinjal se dikush është në vështirësi për të marrë vendime. Vuçiq i ka bindur edhe agjentët e Putinit në politikën serbe që ta pranojnë planin. Dhe kjo ndodh se nuk ka humbje Serbia nga kjo”, shprehet Bytyçi. 

Profesor Bytyçi deklaron se Kosovës po i kërkohet formimi i një Asociacioni njëtnik dhe një Republikë Srpska brenda Kosovës. 

“Vështirësia e Kosovës është se po i kërkohet të krijojë asociacionin. Asociacioni është një Republikë Srpska, e cila e shpërbën shtetin e Kosovës. Një shteti multietnik me kushtetutë po i kërkohet një Asociacion njëetnik. Është e mjaftueshme kjo për të dalluar se marrëveshja është në interesin serb dhe kundër interesave të Kosovës. Atëherë nuk duhet të intrigohemi nga termi se “Serbia e Kosova janë para vendimeve të vështira”! Serbia nuk do ta njohë Kosovën me këtë marrëveshje. Për pasojë vendet evropiane nuk do ta njohin. Atëherë çfarë fiton Kosova nëse nënshkruan Asociacionin? Asgjë domethënëse. Ndërsa Serbia fiton të drejtën që ta zhvillojë një betejë tjetër në të ardhmen për ndarjen e Kosovës. Sepse sipas planit njohja do të ndodhë në të ardhmen. Marrëveshja e sotme ne letër është thuajse e njëjtë me atë të 19 prillit 2013. Pse të ketë problem Serbia që ta nënshkruajë atë? Është Kosova ajo që dëmtohet”, thekson Bytyçi. 

Por a është nën presionin ndërkombëtar kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti?

“Sigurisht që po. Por nuk është Aleksandër Vuçiq në asnjë lloj trysnie. Albini është para një presioni të dyfishtë: - Trysni me kërkesën absolute që të nënshkruajë një Asociacion që krijon kushtet paraprake për ndarjen e Kosovës. Dhe presionit për të mos nënshkruar, sepse nënshkrimi do të ishte një thikë në hartën e vendit që ai qeveris. Ai duhet të zgjidhë vetë se cilit prej këtyre dy presioneve duhet t’i nënshtrohet. Ose nuk duhet t’i nënshtrohet. Sepse ka edhe një rrugë tjetër: - Të japë dorëheqjen e ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme në 45 ditë. Në këtë rast do të ri dimensionohej ndoshta edhe projekti”, shpjegon Bytyçi. 

E gjithë kjo, sipas profesor Bytyçit është një skemë e menduar nga Aleksandër Vuçiq. 

“Prapa këtij kurthi qëndron Beogradi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai e ka ndërtuar skemën të tillë që prej fillimit. Kjo skemë kishte dy linja; Nga njëra anë të hiqej si viktimë, nga ana tjetër të largonte nga projekti kërkesën për njohje. Dhe ia arriti kësaj. Bëri presione të panumërta. Tani hiqet paqësor. Sepse po i a arrin ta fajësojë Albin Kurtin. Por Kurti nuk duhet të kompleksohet nga presioni dhe nofka si shkaktar i dështimit të marrëveshjes. Ai duhet të marrë vendime me gjakftohtësi. Në radhë të parë duke mbajtur parasysh interesat e Kosovës”, nënvizon Bytyçi. 

“Ndoshta kjo çon në tërheqjen e ndërkombëtarëve nga Kosova dhe mbështetja për të. Por kjo do të jetë e përkohshme. Gjatë kësaj përkohshmërie mundet që Vuçiq t’u rikthehet metodave të luftës së nxehtë. Shqiptarët e Kosovës si dhe gjithë shqiptarët në Ballkan, përfshirë edhe personin tim, pavarësisht moshës, do të duhet të bëjmë atë që në vitin 1999 bëri NATO. Të vendosin kufirin me luftë, nëse këtë e kërkon Serbia. Vetëm territoret nuk falen me marrëveshje. Ato mbrohen, së paku bëhet lufta për mbrojtjen e tyre”, deklaron për “Bota sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi. 

Asociacioni, vetëvrasje për Kosovën 

Ndërsa analisti politik, Gani Qarri e quan jo konstruktive sjelljen e bashkësisë ndërkombëtare karshi Kosovës. 

“Shtetet e Bashkuara me të drejtë bëjnë thirrje për zgjidhje konstruktive të problemeve Kosovë-Serbi, por qëndrimet e z. Eskobar, të Lajçakut dhe të tjerëve nuk janë fare reale dhe gati aspak konstruktive, përderisa mbi Kosovën vazhdon të ushtrohet presion i paprecedent edhe me kërcënime e ultimatume, për vetbosnjëzimin e saj. Në planin franko-gjerman përveç kërkesës për formimin e “zajednicës” kundër kushtetuese, kërkohet edhe rregullimi i statusit të kishës ortodokse, e që për përvetësimin e hapësirave sa më të mëdha tokësore në emër të pronave të kishave serbe në Kosovë, Serbia dhe përfaqësuesit e kësaj kishe do të kërkojnë nivel të ngjashëm me atë që u ka dhënë shqipfolësi Abazoviq kishave serbe, gjë që pa vonuar edhe Kosovën do ta qojë në probleme si ato në Mal të Zi, e për aq më keq, me ndikimin që ushtron te përfaqësuesit e kishës ortodokse dhe strukturat e pushtetit lokal nëse ato marrin edhe status autonom, Serbia asnjëherë nuk do të lejojë qetësimin e gjendjes në Kosovë. 

Kështu që, përderisa Serbinë nuk e pret asnjë kërcënim për satisfaksion ligjor a sanksionim territorial, Kosova në fakt kërcënohet me të gjitha, madje edhe me vendime të "prera" të formës "harakiri" për ta vrarë veten me dorën e sajë, akt pas të cilit, ajo nuk mund t’i kërkojë më llogari askujt, madje përvoja meskine e nënshkrimit të marrëveshjes kundërkushtetuese për "zajednicën" nga renegatët Thaçi & Mustafa, fatkeqësisht na ka mësuar, se megjithëse shtet i vogël dhe i brishtë, vrasjen e vetvetes Kosova mund ta bëjë edhe pa ndihmën e ndërmjetësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar, madje edhe pa mbështetjen e SHBA-ve”, shprehet Qarri, 

Sipas tij, në prapaskenë Kosovës po i kërkohet edhe ndryshimi e shkelja e Kushtetutës për formimin e Asociacionit të Komunave serbe. 

“Përderisa në prapaskenë, mbi Kosovën vazhdon të bëhet presion kaq i fuqishëm që ta ndryshojë edhe Kushtetutën për ta formuar me çdo kusht "zajednicën" nën detyrimin "merre ose lëre" ky nuk mund të quhet më konstruktivitet as dialog demokratik, por mbështetje për muri, që e vendosë shtetin e Kosovës në pozicion të pa shtegdalje të formës së prerë, "të jesh, apo të mos jeshë". Ne e dimë mirë se SHBA, na kanë çliruar e bërë shtet, por ta nënshkruajnë vet shqiptarët shkatërrimin e shtetit të vet pas rreth një çerek shekulli të çlirimit dhe mbi dy dekada të jetës në liri e pavarësi, kjo vërtetë është akt i paprecedent, që nuk besojë se duhet të ndodhë, të paktën jo me dorën e shqiptarëve dhe udhëheqësve të shtetit, madje shpresoj dhe do të dëshiroja që një vendim kaq të hidhur të mos mund ta kapërdijnë as qytetarët e Kosovës. Në pikën 7 të planit franko-gjerman, për të cilën në prapaskenë, Kosovës i bëhet presion i madh ta ndryshojë edhe Kushtetutën, përveç tjerash thuhet; "të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia", pra "zajednicë" me një shkallë të konsiderueshme të autonomisë, e cila do të financohet, nga Serbia”, shpjegon Qarri. 

“E kjo donë të thotë, se bandat kriminale serbe të veriut pas marrjes së autonomisë, jo vetëm që do të vishen me pushtet dhe vendosen në pozita udhëheqëse të kësaj "autonomie", por pikërisht për shkak të lidhjes dhe ndikimit që do të ketë Serbia te udhëheqësit e pushtetit që do ta ushtrojnë serbët, problemet me këto banda dhe Serbinë hegjemoniste, kushdo që ta marrë pushtetin në Beograd nuk do ti hiqen më kurrë Kosovës nga qafa”, shton analisti Qarri. 

Image
Gani Qarri

 

Më tej, ai thotë se nga plani franko-gjerman fituese absolute del Serbia gjenocidiale. 

“Serbia edhe ashtu nuk ka çfarë të humbë, pasi që tanimë kemi hyrë në vitin e13-të qysh kur edhe vet GJND, më 22 korrik 2010, e ka vulosur pavarësinë dhe kufijtë e Kosovës, madje nga plani franko-gjerman Serbia do të dalë përfituese e shumëfishtë, pasi që përveç heqjes së njohjes reciproke nga tryeza e bisedimeve, nuk figurojnë kërkimfalja, gjenocidi, krimet e luftës dhe as dëmet e shkaktuara me djegiet e shkatërrimet masive, në shifra shumë miliardëshe të shtëpive dhe pasurisë së shqiptarëve etj nga policia dhe ushtria okupuese e Serbisë në Kosovë.  Kurse Kosova sikur mos të mjaftonin mbi 300 masakrat e shkaktuara, rreth 14 mijë viktima të pafajshme, përfshi edhe fëmijë minor që sapo kishin ardhur në jetë, përdhunimi i 20 mijë femrave të pambrojtura, kidnapimi i mijëra shqiptarëve, trupat e të cilëve, tash e mese 24 vite, krimineli Vuçiq edhe sot, në kundërshtim me të gjitha normat dhe ligjet ndërkombëtare, i mbanë peng në Serbi, në kohën kur shqiptarëve të Kosovës Lindore, të mbetur padrejtësisht nën Serbi, nuk u njihet asnjë e drejtë njerëzore e kombëtare, serbëve ardhacak dhe kolonistëve nga Bosnja e Kroacia të vendosur në veri, Kosova u dashka ta ndryshojë edhe Kushtetutën, vetëm që atyre tu jap autonomi”, thekson Qarri. 

Ai shton se Aleksandër Vuçiq po synon destabilizimin e shtetit të Kosovës, andaj edhe kjo është arsyeja pse po kërkon me këmbëngulësi formimin e asociacionit. 

“Nuk ishte Kosova asnjëherë, ajo që ka kërkuar probleme, por ka qenë retorika luftënxitëse e Vuçiqit dhe thirrjet ultranacionaliste nga Serbia, ato që shkaktonin rebelimin dhe nxitjen e dhunës nga bandat kriminale serbe në veri, të cilat dirigjohen drejtpërsëdrejti nga ministri i informatave të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq, me qëllimet e tij meskine, për ta destabilizuar situatën dhe detyruar Kosovën të përballet me bllokada rrugësh, plagosje policësh në detyrë dhe rreziqe tjera të panevojshme nga bandat kriminale serbe, në mënyrë që ta dëmtojë reputacionin e shtetit të Kosovës dhe Kosova të mos arrijë ta zbatojë ligjin as ta shtrijë sovranitetin e vet shtetërorë edhe në këtë pjesë legjitime të territorit të saj.  Në realitet edhe sa i takon asociacionit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 2015 ka gjetur se marrëveshja renegate e nënshkruar nga dyshja kuislinge Thaçi& Mustafa, në mëse 23 nene, është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e për aq më tepër, përderisa Bashkësia Ndërkombëtare vet Kosovën e ka projektuar si shtet multietnik, tani Qeveria e Kosovës nuk guxon, madje nuk ia lejon ligji as Kushtetuta e vendit, të formojë asociacion një etnik, vetëm për një grusht serbësh përderisa as asociacionin nuk e kërkojnë ata, por Serbia për qëllimet e saj hegjemoniste”, deklaron Qarri. 

Për fund, analisti Qarri shton se vendimet të vështira po i kërkohen vetëm Kosovës, e jo edhe Serbisë, e cila vazhdon ta ketë Kosovën në preambulën e Kushtetutës së saj. 

“Prandaj megjithëse Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Karen Donfried, deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira, qytetarët e Kosovës, e kanë të pamundur ta kuptojnë, se cili na qenka vendim i vështirë për Serbinë, përderisa në planin franko-gjerman, fillimisht nuk figuron askund heqja e Kosovës nga preambula e Kushtetutës serbe, as ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë, kurse për Kosovën po, madje kërkohet ndryshimi i Kushtetutës, për bosnjëzimin e saj, gjë që është vendim vetëvrasës, e për një akt të tillë, nuk besojë se duhet detyruar Kosova me ultimatume dhe bombardohet me kërcënime nga të gjitha anët, kur dihet se kjo rrezikon ekzistencën dhe vazhdimësinë e shtetit tonë të pavarur. Kështu që, siç u cek edhe në fillim, përderisa Serbinë nuk e pret asnjë sanksionim territorial, as kërcënim për satisfaksion ligjor, nuk duhet as Kosova të kërcënohet nga të gjitha anët dhe me të gjitha mjetet dhe mënyrat, përfshi edhe kërkesa me vendime të "prera" të formës "harakiri", për ta vrarë vetveten me dorën e sajë, akt pas të cilit , ajo nuk mund ti kërkojë më llogari askujt”, përfundon analisti Gani Qarri. 

Vendimet e vështira që e presin Kosovën dhe Serbinë 

Image
Drizan Shala

 

E së cilat janë këto vendime të vështira që e presin Kosovën dhe Serbinë, për gazetën “Bota sot” ka folur edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala. 

“Është një vendim përtej burimeve diplomatike dhe politike të brendshme si në Kosovë ashtu në Serbi, se çështja është në këtë formë: - Serbia duhet të largojë Kosovën nga Kushtetuta e saj, - Kosova duhet të pranojë autonominë "demokratike" të veriut”, thotë Shala për “Bota sot”. 

“Pra në fund ky do të ishte një fitore e Akilit për të shtyrë ri-vëzhgimin deri pas vitit 2033 nga bashkësia ndërkombëtare për të arritur marrëveshjen finale të takimit të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në njërën nga pikat kufitar”, shprehet Shala 

Sipas tij, në këtë fazë duhet analizuar tri momentume tejet interesante. 

“Bllokada e Veriut (vazhdimësi nga 2022 në progres e sipër), - Brishtësia e marrëdhënieve ndërkombëtare ( Iniciativa e SHBA për vazhduar për ASK), -"Dorëzimi" edhe i marrëveshjes finale në raport më gjitha çështje që nga qershori 2022”, shpjegon Shala.  

“Nga këto dhe taktizimeve që janë duke ndodhur në tri nivele: BE,SHBA, Kosovë, Serbi. Shihet qartë që finalja do të jete sikur ajo ku do kemi fitues të çmimit në njërën anën dhe në anën tjetër fitues i çmimit të shikuesve (popullit), por mbetet të shihet se cili do të jetë cili nga data 17.02.2023”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat