“Presioni ndërkombëtar ende nuk e ka arritur kulmin”- Analistët tregojnë përse duhet t`i besohet vetëm SHBA-së në raport me asociacionin!

Politika

“Presioni ndërkombëtar ende nuk e ka arritur kulmin”- Analistët tregojnë përse duhet t`i besohet vetëm SHBA-së në raport me asociacionin!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 janar 2023 Në ora: 16:30
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është marrëveshja e vetme e nënshkruar në Bruksel që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013, e më pas edhe i elaboruar në shtatë kapituj më 2015, të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje, nga 33 marrëveshjet e Brukselit, që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”.

Andaj, Kurti ka thënë se ata që kërkojnë asociacion një etnik, kërkojnë ndryshim të kushtetutës së Kosovës, ndërsa ka potencuar që për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë duhet të ndryshohet kushtetuta e Serbisë.

Por, pse kjo gjë nuk është kërkuar kurrë nga ndërkombëtarët ndërmjetësues por as nga ish- qeveritë e kaluara që kanë qenë palë në bisedime?.

Tali: Serbia shumëçka duhet të ndryshojë në raport me Kosovën - jo vetëm Kushtetutën e saj!

Ish-këshilltari i kreut të Kuvendit, Glauk Konjufca, Driton Tali në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se asociacioni nuk ka të bëjë asgjë me të drejta e serbëve në Kosovë.

Image
Driton Tali

Sipas tij, në realitet qëllimi i vërtet i saj ishte dhe mbeti: Bosnjëzimi i Kosovës, me synim të zhbërjes së Republikës së Kosovës kur t'i jepet shansi.

“Sidoqoftë, unë dua ta theksoj se në këtë "Kosovën ahtisariane" nuk ka shumica dhe pakica, por ka komunitete të barabarta!

Edhe Flamuri i Kosovës, me gjashtë yje (për secilin komunitet nga një) të barabarta, e reflekton një gjë të tillë. Me një përjashtim që komunitetit serb i janë dhënë ekstra të drejta d.m.th., privilegje, por për të mos i quajtur privilegje (sepse kur dikë e privilegjon atëherë dikë tjetër automatikisht e ke diskriminuar) e kemi farkuar idiomën politike "diskriminim pozitiv". Sa i përket Asociacionit, me duhet t'ua rikujtojë të gjithë atyre që kanë harruar apo e aktrojnë harrestarin, Asociacioni, që kur Serbia erdhi me këtë plan, nga 2011 (natyrisht me qëllim të ruajtjes së hexhemonisë në Kosovës), asnjëherë nuk e ka trajtuar atë si kusht për njohje reciproke (quid pro qou), por si një kompromis të radhës "bona fide" nga pala kosovare (me argumentin "se nuk mundet dikush t'i humbas të gjitha e dikush t'i fitojë të gjitha" refren që e dëgjojmë edhe nga disa "eruditë" shqiptarë), me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve dhe uljes së tensioneve, e që në realitet qëllimi i vërtet i saj ishte dhe mbeti: Bosnjëzimi i Kosovës, me synim të zhbërjes së Republikës së Kosovës kur t'i jepet shansi”, nënvizon ai.

Andaj, Tali potencon se, Asociacioni nuk ka të bëjë asgjë me të drejtat e komunitetit serb të Kosovës, duke theksuar se bëhet fjalë për një plan të cilin ish presidenti serb z. Nikoliç e pati prezantuar (edhe pse ai akuzohet nga pararendësi i tij, z. Tadiç, se në realitet ajo ide ishte e z Tadiç) si "autonomi brenda autonomisë".

“Pra po e përsëris edhe njëherë: për qëllime hegjemoniste të Serbisë dhe nuk ka të bëjë asgjë me të drejtat e komunitetit serb të Kosovës. Edhe ashtu na u shit edhe nga udhëheqësit tanë të atëhershëm (2013), natyrisht jo me argumentin e "autonomisë brenda autonomisë" por si kompromis një OJQ për normalizim të marrëdhënieve dhe uljen e tensioneve”, thotë Tali.

Tutje, ai deklaron se gjithë ky presion i ndërkombëtarëve ka të bëjë edhe me luftën në Ukrainë, derisa, për deklarimet e Kurtit thotë se janë nga prizmi i kohës dhe situatës e tensioneve ditore, derisa shton se asociacion nuk do të ketë.

Dhe siç e dëshmoi koha ajo "OJQ" na doli të jetë edhe një kompromis dhimbshëm, biles më i dhimbshmi deri tashti, në atë vazhdën e kompromiseve të dhimbshme, që nga 2006, nga Grupi Negociues i ynë.

Sa i përket këtyre zhvillimeve të fundit, ato duhet shikuar nga pikë-vështrimi i luftës së Ukrainës dhe synimeve të Putinit në Ballkan. Andaj shihet një aktivitet më i ngjeshur edhe nga ndërkombëtarët. Por, gjithnjë sipas meje, ende nuk e ka arritur kulmin. Kulmin do ta arrijë atëherë kur Putini do të dështojë në Ukrainë për çka do të ketë edhe shumë ndryshime në gjeopolitikë, që do të jenë në favor tonin.

E sa i përket deklaratave të fundit të z. Kurti, për aq sa unë e njoh z Kurti (duke e ditur se ai të gjitha këto i ka të qarta) deklaratat e tija unë i marr nga prizmi i kohës dhe situatës e tensioneve ditore. Pra si politikë ditore konform rrethanave që ja imponojnë. Por sa i përket Asociacionit, nuk do të ketë”, përfundon.

Elezaj: Nëse kryeministri Kurti refuzon ta formojë AKS-në sipas normave kushtetuese të Republikës së Kosovës, do të përballet me sanksione

Në anën tjetër, analisti Rexhep Elezaj thotë se kryeministri Albin Kurti e ka trashëguar nga qeveritë e mëparshme këtë çështje.

Image
Rexhep Elezaj

“Formulimin “Asociacion një-etnik” nuk e hasim as në Kushtetutën e Kosovës, as në marrëveshjet e Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë të nënshkruara në vitin 2013/2015 nga H. Thaçi, gjegjësisht Isa Mustafa, si dy ish kryeministra, por as në Aktgjykimin e Gjykatës kushtetuese, nr. K0130/15 (dhjetor 2015). Pra, ky formulim ka qenë vetëm një alibi për mos formimin e këtij asociacioni, mbase në fakt ishte obligim i marrë dhe i nënshkruar në Bruksel nga ish qeveritë e asaj kohe.

Këtë gjendje të ngrirë në raport me mos-formimin e AKS-së, kryeministri Kurti e ka trashëguar nga qeveritë e mëparshme, prandaj duke qenë se në ndërkohë do ndryshojnë me të madhe rrethanat politike dhe ushtarake në Evropë, dhe se dialogu Kosovë-Serbi nuk dha kurrfarë rezultatesh, dhe se situata politike në veri të Kosovës erdhi duke u tensionuar gjithnjë e më shumë, sidomos në muajt e fundit të vitit 2022, e që për pak sa nuk filloi konflikti i armatosur, etj., të gjitha këto zhvillime bën që dialogu Kosovë-Serbi të ndërpritet dhe të vije deri tek ekseset e armatosura, siç ishin barrikadat e vendosura nga grupet kriminale serbe, etj”, shprehet ai.

Elezaj, nënvizon se kjo çështje çoi në krye të bisedimeve duke i kushtëzuar ato si parakusht me asociacionin.

“Pra, çështja e formimit të AKS-së sikur doli në krye të agjendës së bisedimeve Kosovë-Serbi, si një kusht ultimativ nga pala serbe, duke i kushtëzuar bisedimet me formimin e këtij asociacioni paraprakisht..!?

Pra, e gjithë kjo lojë me armët në veri, shantazhet dhe akuzat e vazhdueshme që vinin nga Beogradi zyrtar ndaj qeverisë së Kosovës, bëri që ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë si dhe ndërmjetësimi i tyre në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët, pothuajse dështoi plotësisht.

Kështu që, të gjendur para një rreziku të ri në Ballkanin perëndimor, me mundësinë e shpërthimit të luftës midis Serbisë dhe Kosovës, siç ishte kërcënimi i Aleksander Vuçiqit me ushtri ndaj Kosovës, për gjoja “mbrojtje të popullatës serbe nga sulmet e policisë së Kosovës”, etj., i gjithë ky rrezik do i nxis dy anëtarët kryesorë të BE-së, Francën dhe Gjermaninë, që të ofrojnë një Plan të ri prej 10 pikësh për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Siç dihet, vetë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, këtë Plan e ka pranuar nën trysninë e madhe të 5 përfaqësuesve euro-amerikan (4 + 1), të cilët në takim me të para pak ditësh, ishin të prerë në ultimatumin e tyre ndaj Serbisë, se nëse nuk e pranon këtë Plan, ndaj saj do ndërmerren sanksione ekonomike si dhe masa të rënda ndëshkuese.

Ndërsa, pala kosovare, gjegjësisht qeveria e Kosovës, ende nuk është deklaruar qartë lidhur me këtë Plan, përveç deklaratës së kryeministrit Kurti, se “ky Plan është një bazë e mirë për vazhdimin e dialogut”. Ndërsa, ajo që ende nuk është bërë e qartë nga ana e qeverisë Kurti, është çështja, se çfarë vendimi do merr qeveria jonë lidhur me kërkesën e miqve tanë amerikan dhe përfaqësuesve të BE-së për themelimin e AKS-së në Kosovë, para se të fillon dialogu rreth Planit të BE-së prej 10 pikësh, me nënshkrimin e të cilit do hapeshin mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, e cila do jetë gjithëpërfshirëse, e obligueshme ligjërisht si dhe e qëndrueshme”, thekson ai.

Në fund, ai shprehet se gafa më e madhe e gabimeve është kjo, që nuk është kërkuar nga pala e Kosovës largimi i Kosovës si pjesë e Kushtetutës së Serbisë.

Më tej, analisti përmend edhe sanksionet që do të ishin katastrofale nëse nuk do të formohet asociacioni siç ka deklaruar Chollet “se amerikanët nuk do pranojnë një Republika Srpska në Kosovë”.

Sa i përket ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë, në preambulën e së cilës Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë, dhe, pse deri tash nuk është kërkuar nga Serbia që ta heq nga Kushtetua e saj Kosovën, kjo, mbase është njëra prej gafave dhe gabimeve më të mëdha politike të cilën e kanë bërë të gjitha qeveritë e deritanishme të Kosovës, sepse asnjëherë në dialogun Kosovë-Serbi, i cili ka filluar në vitin 2011 e deri më sot, asnjëri nga udhëheqësit e delegacionit të Kosovës në takimet e Brukselit, këtë çështje nuk e ka shtruar si kërkesë ndaj Serbisë.

Prandaj, ka qenë absurde të pritet se organet e Serbisë ta bëjnë vetë një gjë të tillë, kur dihet se pretendimet territoriale të regjimit të Beogradit ndaj Kosovës nuk kanë pushuar për asnjë çast.

Mendoj, se nëse kryeministri Kurti refuzon ta formojë AKS-në sipas normave kushtetuese të Republikës së Kosovës, ashtu siç ka deklaruar gjatë vizitës së tij në Prishtinë funksionari i lartë i DASH-it, z. Derek Chollet, “se amerikanët nuk do pranojnë një Republika Srpska në Kosovë”, edhe Kosovës do t’i vendosen sanksione, pasojat e të cilave do ishin katastrofale për vendin tonë, posaçërisht në raportet tona me miqtë tanë amerikan!”, përmbylli ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat