Jo asociacioni, por kjo gjë duhet të jetë në qendër të dialogut- Analistët: Kurti po mundohet t`i rregullojë gabimet e qeverive të kaluara

Politika

Jo asociacioni, por kjo gjë duhet të jetë në qendër të dialogut- Analistët: Kurti po mundohet t`i rregullojë gabimet e qeverive të kaluara

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 janar 2023 Në ora: 08:09
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ritheksoi se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është bazë e mirë për diskutime rreth një marrëveshjeje që duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ndërsa nënvizoi se asnjë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk mund të ketë përparësi ndaj marrëveshjeve tjera. 

  Këtë, Kurti e deklaroi pas presionit të jashtëzakonshëm që ndërkombëtarët po ia bëjnë atij për pranimin e Asociacionit. 

 Kujtojmë se kohë më parë edhe presidenti amerikan, Joe Biden ka kërkuar që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë të përqendrohet në njohje reciproke. 

Siç duket, tani nuk po përfillet mjaftueshëm kërkesa e Bidenit për njohje, pasi të gjitha ‘forcat’ janë përqendruar te Asociacioni dhe plani franko-gjerman. 

 Ditë më parë, Kurti deklaroi se ka pritur që diplomati amerikan, Gabriel Escobar të kërkojë në Serbi njohjen e Kosovës. 

  “Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, ka thënë Kurti. 

  Sipas Kurtit, Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë dhe jo për asociacion. 

  Qarri: Ajo që habit pa masë me këtë rast, është fakti se "zajednica" u shndërrua në pjesë obligative për Kosovën, 

 Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” përmendi kërkesën që Biden e ka bërë për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. 

 Sipas tij, kundër kësaj kërkese të presidentit amerikan po dalin partitë opozitare,  e me që rast Escobar po merr miratimin e “opozitës antishtetërore”, pro asociacionit. 

  “Në fakt, presidenti Joe Biden në letrën e tij, precizonte qartë se bisedimet ndërmjet dy vendeve dialoguese, duhej të përmbylleshin me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prandaj vendosja e njohjes reciproke, në qendër të diskutimeve te palëve ndërmjetësuese sipas deklaratës së Presidentit Joe Biden, është e domosdoshme dhe e pa tejkalueshme, nëse vërtetë duam të kemi një marrëveshje përfundimtare, që garanton paqe dhe qetësi afatgjate në rajon.  Por, për fat të keq, përveç sjelljeve oportune të partive opozitare dhe qëndrimit të tyre pro asociacionit kundër-kushtetues një etnik serb, Eskobar duket se ka marrë edhe miratimin e opozitës antishtetërore, që nga plani franko-gjerman të hiqet njohja reciproke dhe të futet kundër-kushtetues serb, i nënshkruar nga ish udhëheqësit renegat Thaçi & Mustafa dhe miratuar asociacionin nga deputetët e PDK-së e të LDK-së, në Kuvend”, deklaroi ai. 

Image
Gani Qarri

Qarri shprehet i befasuar me ultimatumet e Lajçak dhe Escobarit për formimin e Asociacionit. 

  Madje, ai hodhi disa dyshime se kush mund të ketë ndikuar te Escobari për të insistuar për Asociacion. 

  “Ndërsa ajo që habit pa masë me këtë rast, është fakti se "zajednica" u shndërrua në pjesë obligative për Kosovën, gjë që nuk ka qenë asnjëherë kaq urgjente dhe e shtruar në mënyrë e formë kaq ultimative, siç veprojnë tani Lajçak dhe Eskobar.  

  Kurse skandali aktual në SHBA, i shefit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork Charles McGonigal, që u dëshmua se mbi 225 mijë dollar të shërbimit të fshehtë rus, i ka marrë përmes agjentëve të Edi Ramës dhe në kundër shpërblim, përveçse keqpërdorej për etiketimin e opozitës në Shqipëri, Rama si kundërshtar i Qeverisë e shtetit të Kosovës dhe mik i Aleksandër Vuçiqit, me insistimin e presidentit serb, mund ta ketë inspiruar McGonigal që të ndikojë edhe te Eskobar, për formimin e "zajdenicës" dhe heqjen e njohjes reciproke, nga plani franko-gjerman”, nënvizoi analisti. 

  Në vazhdim, ai thotë se beson se ambasadorët amerikanë, përfshirë edhe emisarin amerikan, po e keqpërdorin gjendjen aktuale të presidentit Joe Biden,  ngarkesën me e tij me angazhimet e çështjeve botërore, 

  “Për aq më tepër, nisur edhe nga lidhjet e vet z. Eskobar me ambasadorët amerikanë në Beograd si dhe veprimtaria dhe qëndrimi i gjatë Eskobarit në Bosnje, Mal të Zi, e Serbi, i cili e flet rrjedhshëm edhe gjuhën serbe, qëndrimi “pro-serb” i z. Hill, ambasadorit aktual të SHBA-ve në Serbi, që dikur ishte kundër pavarësisë së Kosovës, kurse tani deklarohet se ka qenë edhe kundër bombardimeve të Serbisë, të gjitha këto, sot po bashkë-avokojnë në dëm të Kosovës.  Mbi të gjitha, duket se jo vetëm ambasadori Hill por edhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar, janë duke e keqpërdorur edhe gjendjen aktuale të presidentit Joe Biden, duke filluar nga shëndeti, mosha e shtyrë, ngarkesën me angazhimet e çështjeve botërore, si dhe gjetjen e dokumenteve shtetërore edhe në shtëpinë e tij, të gjitha këto mund të kenë ndikuar, që z. Gabriel Eskobar të ndjehet komod dhe pa frikë ta marrë hapur anën e Serbisë”, shpjegoi Qarri. 

  “Ndryshimi i agjendës dhe vendosja e njohjes reciproke, në qendër te diskutimeve te palëve ndërmjetësuese” 

  Më tej, analisti përkrahi Kurtin dhe thirrjen e tij për vendosjen e njohjes reciproke në qendër të dialogut. 

  “Prandaj duke qenë se është plotësisht e vërtetë dhe me vend, që ashtu siç thotë edhe kryeministri Kurti, Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë dhe jo për asociacion, Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme, ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në SHBA, si dhe të gjithë personat dhe institucionet me ndikim, duhet të bëjnë çmos, që të lidhen drejtpërsëdrejti me vet presidentin e SHBA-ve, z. Joe Biden, duke përdorur edhe diasporën tonë dhe të gjithë shqiptarët në Amerikë, në mënyrë që në këto momente vendimtare, Kosova të dal nga ky rreth vicioz, ku e kanë sjellë vendin renegatët Thaçi e Mustafa me marrëveshjet e nënshkruara prej tyre, në dëm të Kosovës.   Me këtë rast, nuk duhet harruar edhe dëmet që përmes lidhjeve me agjentët e lartë të korruptuar të FBI-së, në SHBA, të cilët, përmes bashkëpunëtorëve të tij, kanë marrë qindra miliona dollar nga Rusia, mund t’i ketë bërë çështjes së Kosovës Edvin Kristaq Rama, njeriu që edhe pas arrestimit të kuislingut Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale në Hagë, jo vetëm përkrah, por bashkë me disa eksponentë të përdalë të PDK-së, mbanë gjallë edhe sot, idenë renegate, për ndarjen e Kosovës”, vlerësoi ai. 

  Ndër të tjera, ai potencoi se ndryshimi i agjendës së dialogut Kosovë-Serbi mund të bëhet vetëm me ndërhyrjen e vet presidentit amerikan Joe Biden. 

  “Kështu që ndryshimi i agjendës dhe vendosja e njohjes reciproke, në qendër te diskutimeve te palëve ndërmjetësuese sipas deklaratës së Presidentit Joe Biden, në planin franko-gjerman, që tanimë është edhe platforma zyrtare e pranuar nga BE dhe SHBA për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi, është e mundur të garantohet, vetëm me ndërhyrjen e vet presidentit amerikan Joe Biden, bazuar në letrën e tij, gjë që, nga ana e Kosovës, duhet insistuar të realizohet edhe përmes Këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, z. Derek Chollet, i cili në kundërshtim me Eskobarin, përveçse edhe aktualisht mban qëndrim më të butë ndaj Kosovës, Chollet ishte i lidhur ngushtë edhe me ish presidentin Bill Klinton dhe është mik i ngushtë i vet presidentit aktual z. Joe Biden”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”. 

  Mehmeti: Asociacioni nuk guxon të formohet në këtë kohë 

  Edhe analisti Faton Mehmeti përkrahi kërkesën e kryeministrit Kurti për vendosjen e njohjes reciproke në qendër të dialogut. 

  “Është shumë e logjikshme kërkesa e z.Kurtit për njohje. Vetëm kështu serbët do të shkëputeshin nga Beogradi, nga ndikimi dhe financimi i tyre dhe rrjedhimisht edhe Asociacioni s’do të jetë i rrezikshëm për Kosovën, siç do të jetë pa njohje”, deklaroi ai. 

 Mehmeti gjatë bashkëbisedimit me “Bota sot” u shpreh kundër pranimit të Asociacionit, pasi e cilëson si të rrezikshëm, e që do mund të prodhonte edhe luftë në të ardhmen. 

  “Realisht, Asociacioni nuk guxon të formohet në këtë kohë, tendenca për krijimin e "Serbisë së madhe", do të thotë luftë në të ardhmen. Kurti e parandjen rrezikun, është i kujdesshëm me të drejtë. Jo kot edhe presidenti Biden ka thënë një gjë të tillë, nisur nga synimet serbe dhe njohjen e apetiteve të tyre”, theksoi analisti. 

Image
Faton Mehmeti

  Në fund, ai vlerësoi se Kurti po mundohet maksimalisht që t’i evitojë rreziqet që mund të i kanosen Kosovës nga Asociacioni. 

  “Shiheni Bosnjën sot, shtet veç në letër, ky është synimi i Serbisë edhe në Kosovë. Personalisht jam kundër çfarëdo lloj Asociacioni, mirëpo kjo ka ndodhur nga ish pushtetarët e kaluar dhe Kurti po mundohet maskimalisht t'i evitojë sado që mundet ato, ndonëse të zhbëhet është shumë vështirë. Gjithsesi, njohja të jetë e para”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat