Vjen një mesazh për Albin Kurtin: Kjo është garancia e SHBA-së, Kosova fiton

Politika

Vjen një mesazh për Albin Kurtin: Kjo është garancia e SHBA-së, Kosova fiton

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 1 shkurt 2023 Në ora: 21:15
Jeffrey Hovenier dhe Albin Kurti

Sipas ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë do të bëhet vetëm sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe për këtë garancë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Përderisa, disa zyrtarë amerikan e kanë thënë edhe unë po ashtu dua të jem shumë i qartë për pozicionin e SHBA-ve. Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është konsistente me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2015-ës , apo që kërcënon sovranitetin e Kosovës, pavarësinë, karakterin multientik apo institucionet e saj demokratike. Nuk duhet të jetë ‘republikë serbe’ dhe jo me kompetenca ekzekutive”, tha Jeffrey Hovenier.

E sipas analistit politik, Nexhat Haziri, kjo garancë e SHBA-së duhet të jetë një sinjal për qeverinë e Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

“Asociacioni i Komunave me shumice serbe duhet te bëhet sipas vërejtjeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dhe garancionet që po i jap aleati i ynë strategjik SHBA, se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, nuk do të jetë një “republika serpska”, dhe do të jetë vetëm konform ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës, do të duhej të ishin të mjaftueshme që qeveria e Kosovës të reflektonte në këtë drejtim për të filluar procesin e formimit të AKS-së”, shprehet Haziri.

Ai thotë se formimi i Asociacionit, do t’i haptë rrugë marrëveshjes finale me Serbinë sipas planit franko-gjerman.

“Formimi i AKS-së, do të hapte rrugë për marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë sipas planit të ashtuuajtur franko-gjerman. Por si duket qeveria është duke e neglizhuar këtë momentum të krijuar në raport jo vetëm me dialogun Kosovë- Serbi, por edhe me marrëdhëniet me aleatët tanë strategjik sic është SHBA”, thekson Haziri.

“Dhe natyrisht nëse Kosova nuk është bashkëpunuese në këtë proces, do të ballafaqohemi me humbjen e përkrahjes ndërkombëtare dhe pasojat do të jenë të mëdha dhe të pariparueshme për një kohë të gjatë , e të cilat do të manifestoheshin me stagnim në proceset e integrimeve euro-atlantike, siç është edhe bllokimi tashmë i ndodhur sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE, dhe kjo është vetëm paralajmërimi i parë për Kosovën, për të vazhduar edhe me sanksione të tjera, nëse Kosova vazhdon tutje refuzimin për themelimin e ASK-së”, shpjegon analisti Haziri.

Po ashtu, Haziri përmed edhe disa sanksione tjera që mund të vinë për Kosovën, nëse kjo e fundit refuzon kërkesat e SHBA-së.

“Po ashtu flitet se për shkak të refuzimit nga qeveria Kurti që ta themelojë AKS-në, tashmë ka sanksione për të gjithë anëtarët e qeverisë të cilët nuk do të mund të udhëtojnë për në SHBA, dhe ky është një lajm mjaft i keq dhe i rëndë për Kosovën sikur edhe bllokimi i anëtarësimit të vendit në KiE. Andaj kryeministri Kurti do të duhej të reflektonte në këtë situatë jashtëzakonisht të vështirë për Kosovën, duke lënë në një anë popullzimin dhe qasjen e tij se e gjithë bota sillet rreth Kosovës, dhe të pranoj themelimin e AKS-së në bashkëpunim me SHBA-të e që është garanci se ky proces, pra ky asociacion nuk do ta dëmtojë Kosovën në aspektin e funksionimit të tij shtetëror, por do të jetë në përputhje me ligjet dhe kushtetutshmërinë e Kosovës”, deklaron Haziri.

Për fund, Haziri thotë se nuk duhet çështja e Asociacionit ta rrezikojë të ardhmen e Kosovës dhe raportet me miqtë e saj ndërkombëtar.

“Vazhdimi i kundërshtimit të formimit të AKS-së, e që është një obligim ndërkombëtar, i ratifikuar edhe në Kuvend, Kosovën e shpien drejtë një situatë me të panjohurat e mëdha duke e rrezikuar seriozisht të ardhmen e saj euro-atlantike, duke na shndërruar poashtu në një konflikt të ngrirë. Në çdo proces kur jemi koordinuar me SHBA-në, Kosova ka dalë e fituar!”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat