Gjashtë kushtet e Albin Kurtit mesazh edhe për ndërkombëtarët/ Parashikohen këto zhvillime

Politika

Gjashtë kushtet e Albin Kurtit mesazh edhe për ndërkombëtarët/ Parashikohen këto zhvillime

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 2 shkurt 2023 Në ora: 21:20
Albin Kurti

Përballë thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka vendosur gjashtë kushte, që sipas tij duhet fillimisht të plotësohen, e më pas të formohet Asociacioni.

“-Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi. -Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5). -Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane. -Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale. -Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën. -Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”, janë gjashtë kushtet që i ka vendosur kryeministri Albin Kurti.

E sipas studiuesit të politikave ndërkombëtare, Seb Bytyçi, kushtet e vendosura nga Kurti janë udhërrëfyes për formimin e Asociacionit të Komunave serbe.

Image
Seb Bytyçi

“Ato përbëjnë një udhërrëfyes për mënyrën dhe kohën e formimit të asociacionit si dhe për natyrën e tij. Përveç kësaj si parakushte do të duhej të ishin edhe ratifikimi i marrëveshjes së Brukselit nga Serbia dhe mos-intimidimi i serbëve në veri që duan të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit”, thotë Bytyçi.

Por a janë të realizueshme kushtet e Albin Kurtit?

“Kushtet janë të realizueshme nëse Serbia ka vullnet për normalizim të marrëdhënieve. Ky udhërrëfyes tregon se Kosova ka vullnet për normalizim duke përfshirë krijimin e asociacionit. Tash i takon Serbisë që ta dëshmojë përkushtimin për normalizim jo vetëm deklarativisht por me vepra”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas Bytyçit, pas presionit me të cilin u përball kryeministri, kushtet e Kurtit janë edhe një mesazh për ndërkombëtarët.

“Po, kjo përbën nisjen e procesit që e kanë kërkuar ndërkombëtarët”.

Më tej, Bytyçi thekson se tani duhet të ketë një ftesë nga përfaqësuesi Borrell, në mënyrë që të ecet tutje drejt marrëveshjes përfundimtare.

“Do të duhej të kishte ftesë nga përfaqësuesi Borrell për takim në Bruksel ashtu sic ka premtuar para tre muajve, që do ta dërgojë ftesën "brenda disa ditëve"”, deklaron Bytyçi.

Por cili mund të jetë tash hapi i radhës nga Aleksandër Vuçiq dhe Serbia?

“Serbia e ka refuzuar me përçmim këtë udhërrëfyes të Kosovës, që është në përputhje me qasjen obstruksioniste të Serbisë. Pritet që Serbia të reflektojë dhe të dëshmojë se është për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën duke marrë pjesë në takime dhe duke filluar me shpërbërjen e strukturave paralele”, përfundon për “Bot asot”, studiuesi i politikave ndërkombëtare, Seb Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat