Publicisti nga Gjermania: Kurti nuk do ta pranojë Asociacionin - ja çfarë i kërkova për Thaçin, por u pendua!

Politika

Publicisti nga Gjermania: Kurti nuk do ta pranojë Asociacionin - ja çfarë i kërkova për Thaçin, por u pendua!

Nga: A.Zh Më: 3 shkurt 2023 Në ora: 12:17
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka paraqitur dje 6 pika si kushte të Kosovës ndaj kërkesës ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka deklaruar se Asociacioni i dalë nga marrëveshja Thaçi-Daçiq në vitin 2013, mund të bëhet, vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Përveç Kushtetutës dhe Ligjit janë edhe pesë kushte të tjera. Monoetnik nuk bën. Reciprocitet midis Kosovës dhe Serbisë sa U përket të drejtave të pakicave. Shuarje e strukturave dhe dorëzim i armëve ilegale. Zbatimi, vetëm pas njohjes reciproke dhe në përputhje me OKB-në ku Serbia duhet t’i ketë pranuar parimet dhe raportet ndërshtetërore me ne. Dhe e fundit, presidenti i Serbisë t’i tërheqë ato pesë letra që i ka dërguar në Spanjë, Sllovaki, Rumani, Greqi edhe në Qipro”, ka thënë Kurti, dje gjatë seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke nxitur reagimin e opozitarëve, që e akuzuan se ai do ta themelojë “Zajednicën”.

Kundërshtimin e Kurtit për Asociacionin, analisti politik dhe publicisti nga Gjermania Idriz Zeqiraj, nuk e quan “kokëfortësi”. Për gazetën “Bota sot”, ai përmend rastin e Bosnjës, ku u krijua “Republika Srpska”, duke thënë se qëllimi i Mirolad Dodikut, është që të ardhmen e afërt edhe serbët e veriut të Kosovës, t’i bashkohet “Serbisë mëmë”.

“Kundërshtia e Kurtit, për themelimin e Asociacionit, nuk ka të bëjë me asfarë kokëfortësie. Përkundër, është e përligjur e logjike, pasi paraprijës kemi Asociacionin në Bosnje, që sot është bërë "Republika Srpska!" Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe u bashkuan dhe themeluan një Asociacion; më 9 janar 1992, shpallën pavarësinë; dhe, më 28 shkurt 1992 miratuan Kushtetutën!

Image
Idriz Zeqiraj

Krimineli Dodik i Bosnjes, tashmë, i uroi bandat e veriut, për realizimin e "Republika Srpska" në Kosovë, me perspektivën e qartë, që, së bashku me atë të Bosnjes, në një të ardhme të afërt, t`i bashkohen Serbisë mëmë”, ka thënë Zeqiraj.

Publicisti ka përmendur edhe idenë e ndarjes së Kosovës, të cilën sipas tij, e promovonte ish-presidenti Hashim Thaçi. Siç ka thënë ai, ndarjen e Kosovës e bëri një sektor i pavarur i presidencës amerikane, duke prangosur ish-presidentin e Kosovës.

“Është e vështirë përballja me Amerikën, sjellëse e lirisë dhe bërëse shtet e Kosovës. Por, ndihmon një letër e pesonaliteteve amerikane, drejtuar ish-presidentit Trump, ku qortonin dhe bënin thirrje "nëse e çliruam Kosovën, mos i bini në qafë me kërcënime, për t`ia bërë Serbinë hisedare tani dhe, më vonë, aneksuese të veriut të Kosovës nga ajo!"

Megjithatë, dhëndurët amerikanë të Serbisë, duke shfrytëzuar shantazhimin e Hashim Thaçit me dosjet e krimeve, të cilat i posedon Serbia, për vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, ishin duke e bërë fakt të kryer ndarjen e Kosovës. Fatmirësisht, ishte një sektor i pavarur nga Presidenca amerikane, që prangosi Thaçin, për ta shpëtuar ndarjen e Kosovës”, është shprehur më tej Idriz Zeqiraj.

Ai ka shprehur bindjen se Kurti nuk do ta nënshkruajë themelimin e Asociacionit, që po e kërkon Serbia, pasi partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, është e pashantazhueshme.

“Mendoj se kryeministri Kurti nuk do ta pranojë Asociacionin, me elementet që kërkon Serbia. LVV nuk ka ngarkesa kriminale si PAN-i, krerët e të cilit janë një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, partitë-banda të tij, duhet shpallur të jashtëligjshme, si përgjakëse të Kosovës. Përkundër, Kurti, me shokë, janë të pashantazhueshëm. Ata kanë dhënë prova se nuk bëjnë pazare me armikun, në këmbim të tokave shqiptare”, ka potencuar analisti për “Bota sot”.

Ai parashikon fitore bindëse të VV-së, edhe në rast se shkohet në zgjedhje të reja parlamentare.

“Edhe po të shkojnë në zgjedhje, të gjitha sondazhet, Vetëvendosjen e nxjerrin fituese bindëse. Sepse ish-dialoguesit, përgjatë një dekade, vetëm gjëmë i kanë sjellur Kosovës”.

Ai në fund ka treguar se Kurtit i kishte thënë që të zhbënte “marrëveshjen e tradhtisë” (Asociacionit), duke akuzuar Thaçin, por sipas tij, kryeministri u pendua dhe kërkoi kthimin e ish-presidentit nga Haga.

“Është një normë ligjore ndërkombëtare e zhbërjes të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke sjellur faktet kush dhe pse realizoi marrëveshje me elemente të bollshme tradhtie, me nënshkrimin ilegal dhe mashtrimin perfid. Dhe, këtë ia kam thënë Albinit. Por, nuk më rezulton trim. Ishte këshillë e artë, - shko Hashim në Hagë -. Por, u pendua dhe - kërkoi kthimin e Hashimit nga Haga! Sikur Haga të ishte "Hani i Dilit", në Prishtinë, për llapjanët!”, ka thënë Zeqiraj.

“Vetëm një shpresë na ngrohë. Vështirë të besohet se Amerika aprovon kufirin në Lumin Ibër, në mes të qytetit të Mitrovicës, kur mund ta lërë këtë kufi prapa maleve, atje ku juridikisht është tani”, ka shtuar publicisti./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat