14 shkurti, data historike e LVV-së - Sfidat dhe të arriturat e Qeverisë Kurti II përgjatë dy viteve

Politika

14 shkurti, data historike e LVV-së - Sfidat dhe të arriturat e Qeverisë Kurti II përgjatë dy viteve

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 shkurt 2023 Në ora: 11:46
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Sot, bëhen 2 vite nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021.

Kjo fitore u cilësua si plebishtare për faktin se koalicioni LVV-Lista Guxo arritën të marrin mbi 50 për qind të votave elektorale.

Nisur nga ky fakt se lista e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë fitoi mbi 50 për qind të votave, edhe pritjet ishin të mëdha nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

Këto pritje, vlerësohet se ishin më të larta edhe për faktin se qytetarët ishin lodhur nga pushtetet e mëparshme dhe shpresën e shihnin te Kurti dhe kabineti i tij qeverisës.

Mirëpo, qeverinë Kurti nuk e ‘penalizuan’ vetëm vjedhjet, korrupsioni dhe dukuritë tjera të qeverive të kaluara, por edhe dy ngjarje tjera si, Covid-19 dhe lufta në Ukrainë.

Këto të fundit, si gjithë shtetet e botës, prekën edhe Kosovën, ku shkaktuan kriza të mëdha.

Mirëpo, me aq sa kishte kapacitet qeveria Kurti u përpoq të menaxhonte krizat që u shfaqën në sfera të ndryshme, socale, ekonomike, shëndetësore, etj.

Analistët për “Bota sot” folën për të arriturat e qeverisë Kurti II dhe sfidat me të cilat u përballë ajo.

Krahas kësaj, ata i vlerësuan si pozitive këto dy vite qeverisje.

Preqi: Dy vjet qeverisje të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo

Image
Dedë Preqi

Opinonisti Dedë Preqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” komentoi dy vjetorin e qeverisjes Kurti.

Fillimisht, përmendi qeverisjet e mëparshme dhe dëmet që ia shkaktuan ato vendit tonë.

“Duhet ta marrim parasysh se ndërtimi dhe zhvillimi i këtij vendi nuk mund të varet apo përcaktohet nga një individ dhe parti politike të caktuar, por kjo varet nga veprimet e secilit prej nesh, që vepron dhe kontribuon për të mirën e këtij populli dhe këtij vendi.

Kosova e pas luftës nga një udhëheqje prej 20 viteve me radhë, që veteran të këtyre pushteteve ishin PDK, LDK dhe AAK, sikur e zhgënjyen këtë popull, me keq-qeverisjet e tyre, ku në rend të parë i dhanë rëndësi dhe përparësi korrupsionit, nepotizmit dhe shumë menagjimeve tjera negative, që këtë vend e gjymtuan në gjitha sferat dhe poret e jetës, duke u pasuruar njerëzit kryesor të pushtetëve, të cilët arritën të bëhën milionera në kurriz të këtij populli”, deklaroi ai.

Preqi tha se pushtetet e mëparshme të korruptuara e pësuan keq me 14 shkurt 2021, me që rast Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin korri një fitore të madhe.

Mirëpo, krahas kësaj, konsideroi se nuk mund të pritet një ndryshim drastik në këto dy vitet e para, pasi dëmet ishin shumë të mëdha dhe Kosova nuk ka ekonomi ‘amerikane’ për t’i ndryshuar gjërat shpejt.

“Jo që do mbahen në mendje për një kohë të gjatë pushtetet e tyre të korruptuara dhe të inkriminuara, dhe sa do që dëgjohet sot zëri i tyre që kokorasin përditë se kanë qeverisur «mirë», por është vetë populli që ua tregoi rezulltatin dhe vendin e tyre përmes votës së lirë me 14 shkurt të vitit 2021, duke ia dhënë besimin Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, që të bëhet një ndryshim tjetër në këtë vend.

Është shumë e vërtetë, kur Kosova, u çlirua nga okupatori serb, ky vend sikur u zaptua edhe për 20 vite me radhë nga pushtetet zaptuese dhe korruptuese që e keqmenaxhuan pandershëm, duke e sjellë vendin në një situatë të pa lakmueshme, të cilët erdhën në pushtet nga një zingjir i lidhur në mes kontrabandave dhe korrupsionit, duke e zhvatë dhe shfrytëzuar djersën dhe mundin e këtij populli aq sa mundën, duke prekur dhe vjedhur edhe në tenderët e varrezave të dëshmorëve të lirisë.

Me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, nuk do të thotë se, Kosova do të ndryshojë në mënyrë drastike në favor të saj, sepse edhe sikur ta kishte fuqinë dhe ekonominë amerikane, nuk do kishte mundësi të arrijë një gjë të tillë, nëse për shumë vite me radhë në këtë vend është qeverisur në të kundërten dhe në favor të grupeve e klaneve politike dhe individuale, të cilat edhe pas dy viteve në opozitë e luajnë rolin e tyre që e kanë të pa shkëputur dhe zingjiror nëpër vende kyçe, si në gjykata dhe prokurori të shtetit, që kanë ndikime në favor të tyre”, theksoi opinionisti.

Po ashtu, ai vlerësoi se LVV dhe Lista Guxo për dy vite qeverisje kanë bërë mjaftueshëm dhe kanë arritur disa ndryshime të mëdha, që kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin e shtetit.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo, që në fillim të udhëheqjes së tyre, kjo qeveri u atakua në rend të parë me pandeminë e Korona virusit 19, i cili e kishte kapluar Kosovën, me infektimin e qytetarëve të këtij vendi, siq e infektoi edhe tërë globin, duke e marrë si sfidën më kryesore, e cila me mundësitë e veta menagjiale dhe me ndihmën ndërkombëtare, ia doli për të vendosur nën kontrollë një rrezikë të këtij lloji të rrallë që e trazoi dhe sfidoi tërë botën njerëzore.

Ardhja e Vetëvendosjes dhe Listës Guxo, në pushtet ishte plotësisht e arsyeshme, që edhe vetë populli e vendosi përmes votës së lirë, duke kërkuar shtegdalje dhe ndryshime të reja e parimore për këtë vend, i cili ishte i stërngopur me korrupsion, nepotizëm, klane, parti, akraballëk, dhe shumë e shumë elemente tjera, që nuk besohet se mund t’i imagjinoj një pushtet i ardhshëm në këtë vend.

Për dy vite qeverisje e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lista Guxo, nuk mund të themi se është bërë mjaftueshëm dhe e ka arritë kulminin e saj në gjitha kërkesat e këtij populli, por ka ndryshime të mëdha pozitive në krahasim me pushtetet e kaluara, ku nisma e këtij pushteti fillon me slloganin, nuk ka korrupsion, dhe forma tjera të pa ndershme në dëm të këtij shteti dhe populli, me ç’rast qeverisja menjëherë vërehet dhe i prek disa pika të njohura të korrupsionit, si dhe largimi i menjëhershëm i njerëzve që ishin veglat kryesore dhe kyçe të këtij elementi negativ nga qeverisjet e kaluara”, nënvizoi Preqi.

Në vazhdim, ai përmendi disa nga sferat në të cilat ka pasur përparim pozitiv, ku ndër to janë drejtësia dhe diplomacia.

“Si rrjedhojë e këtij pushteti kemi në rend të parë ekonominë dhe drejtësinë, së cilës kjo qeveri i ka dhënë prioritet dhe përkushtim, e cila njëra dhe tjetra kanë një ndryshim të thellë, në veçanti drejtësia e ka marrë një kahe tjetër, me të cilën është abuzuar drejtësia e këtij vendi nga menagjimet e dobëta të pushteteve të kaluara.

Prioritet tjetër më rëndësi që i është bërë këtij vendi përmes këtij pushteti, kemi një kapital të investimeve që janë bërë në sisteme dhe reforma Institucionale të vendit, dhe aty ku është kërkuar nevoja në përpjekjen e ruajtjes dhe funksionimin e kësaj natyre institucionale.

Është më rëndësi të përmendim edhe përfaqësimin dinjitoz në politikat e jashtme, nga shteti i Kosovës, ku kemi një mori aktivitetesh dhe takime me shumë vende dhe përfaqësues të botës, që i ka arritë dhe përfaqësuar zonja ministre e Punëve të Jashtme z. Donika Gërvalla, në mënyrën më miqësore dhe shtetërore”, shpjegoi ai.

Krahas kësaj, opinionisti foli edhe për ekonominë dhe sfidat me të cilat u përballë qeveria, ku sipas tij u arrit të menaxhohet në mënyrë të duhur.

“Ndër të tjera edhe rritja ekonomike e këtij vendi tona ka shenja pozitive, me një arritje 3-4% , të cilat nuk mundemi me i mohuar rrethanat dhe kushtet në të cilat gjindemi, dhe nga pasojat të cilat e kushtëzojnë edhe vendin tonë, siç ishin rrethanat e pandemisë, por tani ndikojnë edhe efektet e luftës në Ukrainë, të cilat e ngurrin dhe ekonominë globale, si në rritjen e çmimeve apo në rritjen e inflamacionit.

Kosova, në këtë qeverisje ka aranzhuar bizneset e saj të janë të lira, të cilat dikur kërcënoheshin pa ia filluar punës, kurse sot ato zhvillohen të lira dhe pa pengesa, zhvillohen pa haraq dhe ryshfete, ndërsa edhe bujkut i është dhënë rëndësi dhe përkushtim i veçantë dhe përmes shfrytëzimit të subvencioneve, qeveria u kanë dhënë shtysë dhe motivim në zhvillimin e kësaj kulture bujqësore”.

Më tej, Preqi analizoi edhe gjendjen në veri, provokimet në këtë pjesë të vendit tonë, si dhe sfidat e Kosovës për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Një prioritet tjetër kjo qeveri i ka kushtuar edhe politikave të jashtme, ndër të tjera edhe integrimi i Kosovës në BE, dhe në organizatat tjera ndërkombëtare, në BE, dhe NATO, që është në rrugë e sipër, duke vlerësuar edhe viziten e kryeministrit Kurti, në fund të vitit të kaluar në Pragë, ku ia dorëzon Presidencës çeke, të Këshillit të Bashkimit Evropian, aplikimin e Kosovës, në anëtarësimin e saj në BE.

Si asnjëherë tjetër, që pas luftës, vetëm përmes këtij pushteti i hasi sharra në gozhdë Vuçiqit dhe Serbisë, që ky vend e muar imazhin e një shteti sovran me imazhin e vërtetë të shtetit dhe integritetit të vet, atëherë kur nuk lejohet më, që Serbia të zhvilloj zgjedhje të saj në teritorin e Kosovës.

Si asnjëherë tjetër, në veriun e Kosovës, nuk do të ketë lloje të kontrabandave të drogave dhe tregëtisë së zezë dhe në mënyrë të pa kontrolluar, dhe në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së këtij vendi edhe kjo pjesë e Kosovës, me qytetarët e vet serb të inkuadrohen dhe të respektojë ligjet e këtij vendi, nëse Vuçiqi dhe Serbia, pa konnsideratë po i përdor si vegla politike, që përmes barikadave dhe formave të tjera të terrorizmit, me qëllim për ta trazuar dhe destabilizuar Kosovën.

Kjo qeveri i ka dy fronte me të cilat po ballafaqohet që prej ditës së parë në qeverisje dhe deri në ditët e sotme, që njëra është kryesore, sepse të gjithë e kemi ditë se e kemi një armik të përbashkët, që quhet Serbi”, potencoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti e kritikoi qasjen e opozitës ndaj qeverisë, dhe mungesën e bashkëpunimit të saj në ‘përballjen’ me Serbinë.

“Ndërsa, përballja e këtij pushteti të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, mjafton vetëm një konsekuencë shumë e thjeshtë, që prej se pushtetet e kaluara në opozitë, pothuaj se nuk ka seanca parlamentare, që prej tyre rrjedhë ndonjë kauzë madhore, që ka të bëjë në favor të këtij populli dhe shteti, sikur që është çështja e Asociacionit dhe marrëveshja me Serbinë, por çdo seancë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, zhvillohet kundër pozitës dhe qeverisë Kurti.

Edhe sulmet e vazhdueshme kundër Kosovës, nga Serbia dhe presidenti i saj Vuçiq, nuk e marrin me seriozitet, si edhe këmbënguljen që pretendon ta na kushtëzojë me Asociacionin e komunave serbe në veri të Kosovës, që në këto rrethana, kjo opozitë po punon dhe vepron në favor të Beogradit, duke e përkrahur Asociacionin në fjalë, të cilin edhe vetë e ka nënshkruar”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Mulliqi: Qeveria Kurti 2, nuk e ka pasur të lehtë se ka bartur shumë probleme të natyrave të ndryshme

Kurse, analisti tjetër politik, Skënder Mulliqi para se të fliste për qeverisjen Kurti, përmendi disa nga dështimet dhe problemet më të mëdha që Kosova u përball gjatë kohës që qeverisnin partitë e tjera.

Image
Skënder Mulliqi

“Një rotacion pushtetit ishte më së i nevojshëm të bëhet në Kosovë, pas sundimit të gjatë në pushtet, të PDK-së dhe LDK-së më disa koalicione të vogla. Ishte koha që të qeverisej mirë me vendin, i cili nga qeveritë e kaluara u zhyt në krim të organizuar, korrupsion, nepotizëm e këqpërdorime të tjera të pozitës shoqërore dhe politike. Këto dukuri dhe hajnitë të cilat ndodhën e sollën vendin në gjendje të keqe politike më kriza permanente institucionale, ekonomike dhe sociale, ku skajshmërishtë po jetojnë dobët mbi 20 përqind e popullatës. Pastaj, Kosova u godit më izolim nga bota demokratike, më largime masive të te rinjëve tanë për tu mos u kthyer më kurrë në vendlindjet e tyre. Nuk kishim njohje të reja të shtetit të Kosovës, madje kishim 17 ç’njohje më lobimin e Serbisë. Një pakicë në pushtet u pasurua në mënyrë enorme nga keqpërdorimet e vogla dhe të mëdha”, u shpreh ai.

Në prononcimin e tij për “Bota sot”, Mulliqi përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacion nga Thaçi e Mustafa e që më pas i kushtoi shumë Kosovës.

“Edhe në planin e politikave të jashtme, Kosova nuk qëndroi hiq më mirë. Kishim diplomaci dhe diplomatë jo të karrierës, të cilët nuk i përmbushen as për afër detyrimet e tyre diplomatike. Madje, dihet se na ndodhën edhe disa afera në ambasadat tona ku u zvetnua imazhi i Kosovës në sytë e botës demokratike. Edhe në relacion më Serbinë ishim edhe më të dobët. Serbia na i imponoi agjendat e bisedimeve, dhe në këtë kontekst u nënshkruan edhe marrëveshje në dëm të Kosovës. Me keqja që na goditi ishte marrëveshja e Asociacionit me kompetenca ekzekutive të nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa në Bruksel, që tash telashe të mëdha po na dalin”.

Pas gjithë këtyre dështimeve, vendimeve dhe marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, erdhi edhe triumfi për LVV dhe Listën Guxo.

“Këto situata jo të mira politike e ekonomike, detyrimisht e sollën edhe kohën për ndryshim, që ndodhi dy vite më parë, kur në mënyrë plebishitare triumfoi në zgjedhjet nacionale LVV dhe Lista Guxo, e cila u shkëput nga LDK-ja, duke e sjellë kështu dikur partinë më të madhe në vend, në 12 përqind të votave. Zatën LVV kishte fituar pushtetin edhe para këtyre zgjedhjeve duke formuar pushetin në kolacion më LDK-në. Por, kjo bashkëjetesë e tyre pushtetare nuk zgjati shumë se kështu mendoi partneri qeverisës LDK-ja, e cila së bashku më PDK–në, e rrëzuan nga froni Qeverinë Kurti 1”, theksoi ai.

Sa i përket qeverisjes së Kurtit, analisti atë e cilësoi si produktive duke thënë se është punuar mirë nga partia në pushtet.

“Përsëri zgjedhjet e jashtzakonshme nacionale siç e thashë e sollën në pushtet LVV dhe Listën Guxo, por tash i kishin shumicën e votave. Se a është duke punuar mirë qeveria Kurti 2, mendoj se nuk e ka të lehtë se ka bartur shumë probleme të natyrave të ndryshme, të cilat kërkojnë kohë më të gjatë së dy vite për tu riparuar. Qe dy vite të qeverisjes më vendin janë ndalur më duket bukur shumë keqpërdorimet, është duke u punuar mirë edhe në plani zhvillimor afat mesëm dhe afatgjatë, është rritur shumë edhe buxheti i shtetit. Janë hapur vende të reja të punës për të rinjët tanë, por jo natyrisht në masën ende të kërkuar. Kjo qeveri ka filluar më disa reforma, por që ato duhet të thellohen në të gjitha sistemet, e veçmas në organet e drejtësisë. E arritura më e madhe më duket mua është arritur në politikat e jashtme, ku Kosova është faktorizuar në relacion me Serbinë në bisedimet që po zhvillohen. Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani janë mirë duke bashkëpunuar si në planin e brendshëm politik, po ashtu edhe më shumë në politikat e jashtme”, shpjegoi Mulliqi.

Në fund, ai nuk e harroi performancën në kuadër të dialogut me Serbinë, ku e vlerësoi shumë paraqitjen e Kurtit në Bruksel dhe qëndrimet e tij.

“Mos të harrojmë me këtë rast, me përmend, se është bërë punë e mirë me ratifikimin në Kuvend të ligjit për konfiskimin e pasurive të paligjshme. Janë votuar në Kuvend edhe disa ligje të tjera në dobi për qytetarët. Natyrisht se sfida më e madhe për këtë qeveri është Asociacioni, ku Kosova iu ka nënshtruar trysnisë të madhe nga BE-ja dhe Amerika, për implementimin e marrëshjeve të Brukselit, lidhur më këtë temë, Kurti si drejtues i bisedimeve për Kosovën është duke u mbajtur mirë deri më tash, i cili po kërkon që Asociacioni nese veç duhet të kemi një asociacion për minortetin serb, ai të jetë konform Kushtetutës të vendit. Në kuadër të kësaj edhe ka paraqitur edhe gjashtë pikat si pikënisje, që ishte dashur të përqafohen edhe nga përfqësuesit special në bisedime. Kryministri e ka pranuar planin franko –gjerman si bazë të mirë në arritjen e një marrëvshjeje finale me Serbinë”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat