Plani franko- gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, tashmë ka “dritën jeshile” nga te dyja vendet.
Rreth finalizimit të këtij plani, do të diskutohet në takimin e radhës që do të jetë më 18 mars në Ohër.
Bashkimi Evropian tashmë ka bërë publike edhe agjendën e takimit, ku në Ohër do të jetë i pranishëm Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak.
Gjithashtu dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vucic të cilët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Borell dhe Lajcak fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin e që më pas do të pasohet me një takim të nivelit të lartë trepalësh.
Siç ka njoftuar zyra e BE-së, takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit të Implementimit të Marrëveshjes që çon në rrugën drejt normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Por, plani franko- gjerman nuk është i pranueshëm edhe për dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, PDK dhe LDK.
Ata madje kanë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë plan.
Analisti politik, Binak Maxharraj, duke folur rreth qëndrimeve të PDK-së dhe LDK-së, thotë se “Memli dhe Lumiri nga pro amerikan të rrejshëm u kthyen në antiamerikan të vërtetë!”.
Maxharraj duke kujtuar shkuarjen e liderëve të opozitës në Amerikë, shprehet se ata më shumë gjuajtën gurë ndaj qeverisë sesa ndaj Serbisë.
“Memli dhe Lumiri nga pro amerikan të rrejshëm u kthyen në antiamerikan të vërtetë! Kur emisari i SHBA për Ballkanin Perëndimor Grabiel Escobar kohë me parë kur ishte në një turne diplomatike në Kosovë dhe Serbi duke zhvilluar diskutime rreth planit franko-gjerman atij i hasi sharra në gozhdë gjatë bisedës me kryeministrin Abin Kurtin me të cilin hiq nuk u nda i kënaqur, e sidomos kur Kurti ishte hapur kundër Asociacionit një etnik serb sepse insistonte në mbrojtje të vendit. Pas kësaj bisede diplomati Escobar u nda me mllef që si ka hije një diplomati duke theksuar se Kosovën po e drejton “një njeri dhe një parti” duke e anashkaluar qeverinë e Kosovës dhe institucionet e saj të zgjedhur me mbi 50% të votave. Ky ishte një skandal diplomatik “sui generis” i Gabriel Escobarit, i cili pastaj sharroi edhe më keq duke theksuar se Kosovës i duhet një ”një alternativë” për të biseduar për marrëveshjen me Serbinë. Nuk vonoi shumë dhe kjo farë alternativë nga opozita u thirrë në Amerikë me mundësinë që të gjendet ndonjë “modus vivendi” për të çuar përpara marrëveshjen me Serbinë, ani pse siç dihet Serbia aspak nuk ishte e interesuar për ndonjë marrëveshje, e aq më pak për Planin franko- gjerman. Shkuan krerët e opozitës në Amerikë, të ngazëllyer me vesh e sy të hapur, duke menduar se ja erdhi dita e tyre për t’i hipur pushtetit, por opozita gjatë vizitës se saj në Amerikë me shumë rrëzoi gurë në qeverinë e Kosovës, e sidomos ne kryeministrin Kurti, duke mos e akuzuar me asnjë fjalë Serbinë e cila është e keqja e të gjitha atyre që po ndodhin në veri të Kosovës”, ka theksuar Maxharraj.
Në anë tjetër, për qëndrimet e opozitës është shprehur e shqetësuar Amerika, duke thënë se qëndrimet e tyre nuk janë në përputhje me përkrahjen e SHBA-së për propozimin evropian.
“Në veçanti, përkrahim plotësisht propozimin e BE-së për rrugën drejt normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përpjekjet tona të përbashkëta për ta çuar këtë propozim përpara kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Ambasadës. “Në nivelet më të larta të Qeverisë, SHBA-ja e ka bërë të qartë këtë mbështetje. Presidenti Biden dhe sekretari Blinken, në komunikimet e fundit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, kanë nënvizuar se propozimi ka mbështetjen tonë të fuqishme dhe do ta çojë Kosovën drejt stabilitetit më të madh rajonal, prosperitetit ekonomik dhe integrimit evropian e euroatlantik. Jemi të shqetësuar me deklarimet e bëra nga liderët dhe zyrtarët e partive opozitare që kanë shprehur kundërshtimin ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me përkrahjen e SHBA-së për propozimin”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane dhënë medias.
Ndërsa, sipas Maxharrajt, opozita e ka treguar fytyrën e vërtetë me kritikat e tyre për planin franko- gjerman.
“Po të kishte mundësi Escobar do ta “përtypte” Kurtin, sepse nuk mund ta thyente. Escobar nuk ishte ndonjë Richard Grenell për të dhënë një ultimatum për rrëzimin e qeverisë Kurti, i cili ua dha afat shtat ditë matrapazave politik të PDK dhe LDK që ta rrëzojnë qeverinë Kurti për t’i hyrë në hatër Serbisë dhe ashtu ndodhi qeveria Kurti ra. Por, Gabriel Escobar nuk e ka fatin e Grenellit sepse më nuk janë ne skenë matrapazët miqtë e Grenellit, por tashti është në pushtet një qeveri stabile me mbi 50% të votave të popullit dhe se nuk ka zot që e rrëzon. Por emisari Gabriel Escobar nuk arriti t’i premtojë asgjë kësaj alternative të cilën e kishte zgjedhë vet, sepse qeveria Kurti me mençuri po e monitoronte situatën dhe i la më gishta në gojë kur tha se e pranon Planin franko-gjerman dhe ishte i gatshëm ta nënshkruajë në Bruksel, por këtë e refuzoi presidenti Vuçiq i cili fare nuk është i interesuar për ndonjë marrëveshje me Kosovën. Por, maskarenjtë e opozitës së Kosovës e treguan fytyrën e vërtetë duke e kritikuar fuqishëm kryeministrin Albin Kurti lidhur me pranimin e projektit euro-amerikan të inkorporuar në planin franko-gjerman, por edhe Asociacionin, ani pse Asociacioni ishte pjellë e kësaj opozite të cilin ia lanë si kopil qeverisë Kurti”, ka vazhduar analisti.
Një kundërpërgjigje të reagimit të ambasadës amerikane ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nënkryetari i LDK-së, Lutifi Haziri, ka thënë se Vetëvendosje duhet të jetë e shqetësuar.
“Të shqetësuar duhet të jenë partia në qeveri, e cila duhet të krijojë koncensus të gjerë për procese… Nëse e krahasojmë çfarë deklarate ka pasur ambasada amerikane para 10 viteve, karshi Vetëvendosjes që është sot shumicë politike, atëherë është diçka krejt tjetër, situatë krejt tjetër”, është shprehur Haziri.
Ndërsa, sipas analistit Maxharraj, nga pro amerikan të rrejshëm u kthyen në anti amerikan të vërtetë.
“Opozita e kritikon qeverinë dhe Kurtin deri në nivel tradhtie për pranimin e këtij plani duke theksuar në veçanti se Kurti hoqi dorë nga njohja reciproke në qendër edhe pse Amerika e cila në këtë fazë të marrëveshjes nuk e shihte te arsyeshme një gjë të këtillë. Habit fakti se si këta maskarenjtë të opozitës duke e lexuar 11 pikëshin e Planit franko-gjerman, ku shihet qartë se brenda e ka njohjen praktike të pavarësisë së Kosovës, ky plan i përcakton si dy shtete te barabarta. Lidhur më këtë opozita (hiç AAK e Harajdinajt) s’lanë gur, pa lëvizur duke u shprehur hapur kundër kësaj marrëveshje sa që haptas dolën kundër interesave të Amerikës. Lidhur me këtë SHBA janë të shqetësuara me sjelljen e opozitës duke bërë të ditur sjelljen e këtillë nga zëdhëndësit i Ambasadës amerikane në Prishtinë ku thuhet se: “Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare, që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës amerikane. Pra, siç po shihet opozita e Kosovë kësaj radhe e tregoi fytyrën e vet të vërtetë e cila doli edhe kundër interesave të Amerikës, duke u rreshtuar qeverisë se Kosovës dhe karshi Serbisë që siç dihet se bashku ishin ne luftë për rrëzimin e qeverisë Kurti. Kështu, opozita pra PDK dhe LDK nga pro amerikan të rrejshëm u kthyen në anti amerikan të vërtetë”, ka përfunduar Maxharraj.