Eksperti amerikan zbulon katër dobi nga plani franko-gjerman për Kosovën, ja si e sheh nenin 7 të këtij propozimi

Politika

Eksperti amerikan zbulon katër dobi nga plani franko-gjerman për Kosovën, ja si e sheh nenin 7 të këtij propozimi

Nga: A.Zh Më: 11 mars 2023 Në ora: 12:10
Alon Ben-Meir dhe Albin Kurti

Eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se plani i Francës dhe Gjermanisë, i njohur si propozimi evropian, do t’i sjellë dobi Kosovës.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, ai ka përmendur katër çështje, të cilat do të lehtësohen përmes pranimit të planit evropian.

Sipas tij, Kosova potencialisht do të bëhet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Në përgjithësi, plani do t'i sjellë dobi Kosovës në një sërë frontesh: së pari, do të përmirësojë pozitën e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në. BE-ja në veçanti do të jetë më e hapur për heqjen e vizave dhe potencialisht do ta bëjë Kosovën një kandidate për anëtarësim në BE. Së dyti, planet gjithashtu avancojnë pavarësinë e Kosovës, veçanërisht në fushën ku dokumentet e Kosovës, si pasaportat, diplomat dhe targat do të njihen nga Serbia dhe do të lejojnë anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare. Së treti, hap dyert për një bashkëpunim më të madh dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në shumë fusha, duke përfshirë: tregtinë, shkencën dhe teknologjinë, transportin dhe lidhjen ndër të tjera, si dhe zgjidhjen e konfliktit për liqenin e Ujmanit duke rënë dakord për të menaxhuar së bashku, dhe duke u zgjidhur mosmarrëveshja për minierat e Trepçës. Së fundi, pranimi i planit nga Kurti do të jetë mburrje e marrëdhënieve personale të Kurtit me SHBA-në dhe BE-në dhe ata do të jenë më të sintonizuar për të dëgjuar nevojat e Kurtit, veçanërisht ndihmën ekonomike dhe mbështetjen politike kur është e nevojshme”, vlerëson eksperti amerikan për gazetën.

Ai është pyetur nëse mendon se në ndonjë nga nenet e planit franko-gjeman “fshihet” Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Ben-Meir ka përmendur nenin 7 të planit evropian, i cili sipas tij, mund të ketë ndërlidhje me Asociacionin.

“Neni 7 i planit që kërkon… “të sigurojë një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha të veçanta, duke përfshirë mundësinë për mbështetje financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komuniteti serb për Qeverinë e Kosovës”. Kjo klauzolë mund të jetë e ndërlikuar. Do të jetë në rregull të pranohet me kusht që komunat të mos kenë kompetenca totale ekzekutive dhe duhet t'i përmbahen juridiksionit kombëtar të Kosovës dhe gjyqësorit duke bashkëpunuar plotësisht për të gjitha çështjet e sigurisë”, ka theksuar profesori për “Bota sot’.

Plani i BE-së për dialogun dhe aneksi për zbatimin e tij pritet të diskutohet në takimin e radhës mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Ky takim do të mbahet më 18 mars, në Maqedoninë e Veriut./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat