Dy dorëheqje brenda ditës, “mësohen” arsyet e largimeve në LDK

Politika

Dy dorëheqje brenda ditës, “mësohen” arsyet e largimeve në LDK

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 mars 2023 Në ora: 16:21
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka “humbur” dy gra në strukturat e saja.

Sibel Halimi e cila ka ushtruar funksionin e zëdhënëses dhe Shqipe Mjekiqi, ish- nënkryetare e partisë, kanë dhënë dorëheqje sot nga postet që mbanin në LDK.

Të dyjat kanë qenë të pa qasshme për media dhe arsyet e tyre që i çuan drejt dorëheqjes, ndërsa analistët thonë se mos dhënia e hapësirës ndikon në ikje nga partia.

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka mundur të reformohet në formë të qëndrueshme.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e mbyllur për publikun dhe anëtarësinë, sidoqoftë këto dorëheqje janë proces negativ i zhvillimit të këtij subjekti politik. LDK nuk ka mundur të reformohet në formë të qëndrueshme dhe graduale, me tre apo katër persona të rinj të ardhur më herët (Armend Zemaj, Arben Gashi, Lumiri i cili u bë edhe kryetar i saj, i cili ishte edhe në Rinivest dhe Driton Selmanaj dhe e ardhura nga VV, Doarsa)”, pohon Burjani.

Image
Blerim Burjani

Mos sjellja e personave të rinj, është arsye që partitë nuk reformohet, sipas Burjanit.

“LDK nuk ka pasur ardhje të personave të rinj dhe emra të njohur publik, persona të shkencës, artit, kulturës apo biznesit. Pra, nuk ka reformë dhe emrat e rinjë. As partitë tjera nuk kanë bërë ndonjë lëvizje tjetër apo freskim. Lëvizja Vetëvendosje as nuk po merret me reformë dhe emra të rinj, gjendja e reformave kryesisht është e dobët, pakënaqësitë janë evidente. Planet dhe politika e Lumirit nuk kanë shkuar si e ka planifikuar, tani bërja politikë me një bllok njerëzisht që të jepen dorëheqjet është dhënia e hapësirës ndikuese, është me rëndësi nuk ka më ideale, por interesa. Unë mendoj nëse nuk ka pozita ndikuese, nuk ka nevojë të hyjë askush në parti, pra nëse nuk ka ideale nuk ka nevojë të anëtarësohet. Por, s’ka gjë, merrni shembullin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverinë e saj, një pjesë e madhe e ministrave nuk kanë pasur lidhje me VV-në, por pozita i ka sjellë”, thekson analisti.

Sipas tij, askush nuk jep dorëheqje kot, por gjithmonë problemet janë mos ndikimi, mos dhënia e hapësirës.

“Pazaret politike brenda partive kanë sjellë gjithmonë dëme, lufta kundër grupeve dhe beteja e blloqeve. Në Kosovë askush nuk jep dorëheqje koti, por gjithmonë problemet janë mos ndikimi, mos dhënia e hapësirës, kjo i shtyjnë drejt ikjes. Ju e shihni çfarë ideali ka, p.sh. Doarsa nga VV, emër anonim që për herë të parë hyn në politikë, bëhet deputete e VV-së, sepse ndryshe nuk ishte bërë kurrë dhe kur u bë deputete u bë me ideale aq të forta sa që për ideale kaloi në LDK. Domethënë, nga VV apo Lista “Guxo”. Me këta njerëz natyrisht nuk duhet të merret askush, sepse këtu nuk ka program asnjë parti, por hyn për shkak të interesave personale, e shiten pastaj si rugovista, pa këto deformim vazhdojnë. Ose, kemi shembullin e presidentes aktuale, Vjosa Osmanit. Pati pakënaqësi në LDK, u bë me VV-në dhe arriti kulminacionin e zhvillimit, arriti të bëhet president që as në ëndërr ndoshta nuk e ka parë, por ja që sot është presidente. Edhe të mos merret kurrë njeri me politikë, ai ka arritur t’i thotë vetes jam president, pra në Kosovë ka deformime të jashtëzakonshme dhe metamorfoza politike që mendja nuk ua merr njerëzve”, përfundon Burjani.

Shqipe Mjekiqi ishte emëruar nënkryetare e LDK-së më 20 mars 2021. Në atë kohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e kishte cilësuar aderimin e Mjekiqit si “motiv i aktivizimit politik për të rinjtë dhe të rejat” e vendit tonë.

Më parë, Mjekiqi ka shërbyer si këshilltare e ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhe, për një kohë të shkurtër edhe si pjesë e kabinetit të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Ndërkaq, Sibel Halimi, një sociologe nga Ferizaj, ishte anëtarësuar në LDK më 21 mars 2021 dhe ishte prezantuar me admirim nga kryetari Abdixhiku.

Në korrik të vitit 2021, asaj i ishte besuar nga partia kandidatura për kryetare të Ferizajt. Në këtë garë zgjedhore, Halimi kishte dal e treta me 4.557 vota të fituara, ose 9,36%.

Para dhe pas garës zgjedhore, Halimi kishte mbajtur tërë kohës funksionin e zëdhënëses së partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat