“Dredhitë e opozitës”/ Profesori tregon si Thaçi dhe Mustafa e pranuan Asociacionin - ja paralajmërimi për Kurtin!

Politika

“Dredhitë e opozitës”/ Profesori tregon si Thaçi dhe Mustafa e pranuan Asociacionin - ja paralajmërimi për Kurtin!

Nga: M.Haziri Më: 26 mars 2023 Në ora: 22:07
Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Opozita që nga fillimi i qeverisjes së Kurtit ka qenë me kritika të mëdha, ani pse të pa baza.

Por së fundmi morën vëmendjen me fjalimet e tyre në seancën e fundit të Kuvendit.

Në këtë seancë pati përplasje, akuza e kundër përgjigje mes opozitës e pozitës.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.

Ai u shpreh se çështja e dialogut është çështje tashmë europiane dhe amerikane dhe se të keqën e fillimishme e pranoi Thaçi dhe Mustafa kur pranuan të kenë dialog politik.

Image
Enver Bytyçi

Sipas profesorit, Kosova shkoi jo vetëm drejt krijimit të një asosacioni, pra autonomisë lokale të serbëve, por madje drejt ndarjes së saj.

Çështja e dialogut nuk është vetëm çështje e Kosovës, por edhe europiane dhe amerikane. Madje është vendim i strukturave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pra dialogu është një e keqe, të cilën nuk mund ta evitojë askush. Këtë e pranoi fillimisht ish-kryeministri Hashim Thaçi në vitin 2011, madje pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, vendim i cili mund të përdorej si argument i pakontestueshëm për ta kundërshtuar një proces dialogu me Serbinë. Serbia e fitoi gjysmën e betejës së saj me Kosovën që në momentin kur Kosova pranoi dialog me të. A mund ta evitonte procesin e dialogut Hashim Thaçi? Ndoshta jo. Por derisa dialogu u nis si një proces për zgjidhjen e çështjeve teknike midis të dy vendeve, zoti Thaçi, zoti Mustafa e të duhej ta mbanin atë në këto korniza.

Por çfarë ndodhi? Serbia kërkoi dialog politik. Thaçi e Mustafa u pajtuan me këtë. Që në këtë moment ata, sidomos Thaçi, doli nga struktura e fillimit të dialogut. Nga çështjet teknike shkuan te çështjet politike, përfshirë dhe asosacionin. Në fakt kishin mundësi që ta evitonin këtë. Të mos pranonin në asnjë rrethanë të flisnin për çështje politike, sepse e kishin platformën e fillimit, ku thuhej se dialogu do të ishte teknik. Nuk deshën të qëndronin në këtë kuadrat. Pse? Këtë ne nuk e dimë. Por dimë rezultatin. Kosova shkoi jo vetëm drejt krijimit të një asosacioni, pra autonomisë lokale të serbëve, por madje drejt ndarjes së saj. Ky rezultat në dialog është pasojë e kompromiseve të politikanë para Albin Kurtit. Nuk është fajtor Kurti, pse paraardhësit e tij biseduan dhe pranuan zgjidhje politike, zgjidhje e cila qëndron në Planin Ahtisaari”, u shpreh profesori.

Më tej, thekson Bytyçi që kryeministri Kurti po arrin të menaxhoj shumë mirë dialogun e Kosovës.

Tani jemi në një fazë kur Kurtit me të drejtë i kërkohet e duhet t’i kërkohet të zbusë efektet e kompromiseve të PDK-së dhe LDK-së. Në këto kushte të dy këto parti duhej të bashkëpunonin me kryeministrin e vendit. Duke shfrytëzuar eksperiencën e tyre në dialog, ato kishin dhe kanë mundësi të japin rekomandime të vlefshme, qoftë dhe me reflektime, për dialogun e sotëm. Ndoshta dhe Kurti këtë duhej ta kërkonte. Por mendoj se zoti Kurti e ka menaxhuar në Ohër mjaft mirë dialogun me Serbinë. Dhe jo vetëm në Ohër. Opozita e ka kritikuar pse ai ka kundërshtuar disa opsione dhe propozime të europianëve dhe amerikanëve. Por nuk thonë se nëse nuk do të kishte këmbngulur në opsionet e veta që binin ndesh me ato euro-amerikane në Bruksel e në Ohër do kishim një projekt me të gjitha orekset e Beogradit. Fakti që Vuçiq nuk e firmosi marrëveshjen, do të thotë se ajo marrëveshje është disi e balancuar”, shpjegon ai.

Opozita të kërkoj falje

Bytyçi nga ana tjetër tregon një kronologji të ngjarjeve duke shtuar që LDK dhe PDK duhet të kërkojnë flaje për asociacionin që kanë pranuar.

Gjithashtu ai cek që katër vite u bënë përpjekje publike për ta ndarë territorin e Kosovës në kundërshtim me nenin 2, pika 2 të Kushtetutës së Republikës, dhe askush nuk nga LDK e PDK nuk foli për tradhti.

Opozita do duhej së pari të kërkonte ndjesë te qytetarët e Kosovës për dy qëndrime të dëmshme e të rrezikshme që ka mbajtur në dialog. Së pari për ndarjen e ndryshimin e kufijve. Këtu kam parasysh Partinë Demokratike të Vlora Çitakut. Përmend Vlorën, se nuk mendoj se Memli është i vetëdijshëm për atë opsion. Së paku nuk kam prova. Dhe së dyti duhet të kërkojnë ndjesë për asosacionin e pranuar nga këto dy forca politike e madje edhe që votuan. Mbas kësaj të dëshmonin gatishmëri për të bashkëpunuar dhe për ta orientuar dialogun drejt një konsensusi politik të favorshëm për Kosovën. Jo për subjektet politike. Agresioni verbal i opozitës kundër zotit Kurti është i pamotivuar, i paargumentuar. Ka politikanë të opozitës, si zoti Shala, të cilët jo vetëm përdorin fjalor fyes e banal, por edhe bëjnë akuza ekstreme, deri për tradhti. Katër vite u bënë përpjekje publike për ta ndarë territorin e Kosovës në kundërshtim me nenin 2, pika 2 të Kushtetutës së Republikës, dhe askush nuk nga LDK e PDK nuk foli për tradhti, siç e përcakton kjo kushtetutë! I thanë Albin Kurtit! Pse? Sepse po merret si model politika e Shqipërisë për përcaktimin politik. Pra, për të thënë se “Edhe ti u bëre tradhtar”! Pra se nuk jemi vetëm ne (Thaçi e Mustafa) tradhtarë, por je edhe ti Albin”, foli profesori.

Taktikat e opozitës

Tutje Bytyçi thotë që opozita bën deklarata pa parime, pasi në fillim e quajtën antiamerikan dhe tash “tradhtar”

Kjo taktikë opozitarizmi, ku mbrohen vetëm interesat e partisë e të eksponentëve të saj ose ish-eksponentëve të saj, është e rrezikshme për Kosovën. Për këtë arsye opozita gaboi në qëndrimet e saj. Kur Kurti rezistonte ndaj presionit euro-amerikan e akuzuan atë për anti-amerikan. I thoshin shprehjen e Rugovës se „Shtëpia pa miq nuk mbahet”! Kur pranoi opsionin e projektit franko-gjerman të mbështetur nga SHBA-të, i thonë “tradhtar”! Është shumë e rëndsishme që opozitarizmi të bazohet në parime dhe jo në ideologji sofizmi. Qëndrimet e opozitës janë eklektike, që do të thotë se njëri qëndrim përjashton tjetrin. Kjo e bën atë pabesueshme. Prandaj në protestën anti-asosacion të Dardan revolucionar Molliqajt kishte 150 – 200 veta”, tha profesori.

Në fund, profesori thotë që pavarësisht të gjithave besimi i qytetarëve po vazhdon të mbetët në anën e Kurtit.

“Besimi i qytetarëve duket se mbetet në anën e zotit Kurti. Por kjo nuk do të thotë që ai të gabojë në qëndrimet e tij. Kjo duhet ta motivojë të të mendojë shumë, të mos nxitojë, të jetë i matur dhe të jetë i sukseshëm në vendimet që do të merren, sidomos për asosacionin, ose atë që është shkruar si vetëmenaxhim të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat