“Gjykata Speciale i akuzon për vrasjet në LDK”/ Kundërshtohet marshi në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe të tjerëve

Politika

“Gjykata Speciale i akuzon për vrasjet në LDK”/ Kundërshtohet marshi në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe të tjerëve

Nga: P.R Më: 28 mars 2023 Në ora: 22:22
Intelektualët e vrarë për motive politike

Më datën 2 prill në Kosovë është paralajmëruar i ashtuquajturi “Marshi për Drejtësi”, marsh ky në përkrahje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakupt Krasniqit e të tjerëve, të cilët, nga Gjykata Speciale akuzohen edhe për vrasjen e shqiptarëve, anëtarë të LDK-së dhe bashkëpunëtor të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Por kundër këtij marshi ka dalur analisti politik, Gani Qarri.

“Shqiptarët që duan të protestojnë, nuk duhet harruar se Haga është kryeqendra e Drejtësisë Botërore, aty e ka selinë edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që është edhe organi më i lartë juridik i vet Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndaj nëse paska shqiptar, të cilët pasi e kanë bërë “fet” drejtësinë në Kosovë dhe tani duan ti rregullojnë edhe proceset juridike në Hagë, se dyshuakan në drejtësinë që vendoset atje, ata duhet ta kuptojnë se, vend tjetër ku nxirren verdiktet juridike, më të sigurte, në botë, aktualisht nuk ka”, shprehet Qarri.

Sipas tij, ishte pikërisht Gjykata e Hagës ajo e cila vulosi Pavarësinë e Kosovës.

“Ishte Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po në Hagë e cila më 22 korrik të vitit 2010, me shumicë votash ka vulosur edhe pavarësinë e Kosovës si shtet i lirë e sovran, në përgjigjen zyrtare dhënë Serbisë hegjemoniste, e cila kishte kërkuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si organi suprem i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara vendim i plotfuqishëm ky, që nuk mund të kundërshtohet as revidohet nga askush, madje as nga Rusia dhe Kina. Siç dihet, në Hagë janë gjykuar edhe kriminelët serb të luftës, që kanë kryer krime e gjenocid në Kosovë dhe kanë marrë dënime të larta gjyqësore, edhe nëse jo aq sa ne kemi dëshiruar”, thekson Qarri.

Përmes këtij marshi, Qarri thotë se po tentohet pengimi i drejtësisë.

“Në Hagë janë gjykuar edhe Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, dhe të dy janë shpallur të pafajshëm, ndaj të protestohet me mend në kokë, kundër një procesi gjyqësor për vendosjen e drejtësisë, po në Hagë, qoftë ajo edhe Gjykata Speciale, nuk më duket aspak serioze, madje edhe tendencë shumë e mbrapshtë, për mbajtjen të pa zbardhur, vrasjet e civilëve të pafajshëm shqiptar edhe mbi 23 vite pas lufte, që kanë ndodhur në Kosovë”, deklaron Qarri për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se Gjykata Speciale nuk është duke e gjykuar UÇK-në, por individët të cilët dyshohen se kanë kryer krime.

“Për aq më tepër, arsyetimi i thirrjes së protestës, bie për tokë, për vet faktin se, ashtu siç është sqaruar nga vet Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi në padinë e ngritur akuzohen jo si UÇK, por si individë, për krimet e paraqitura penale në aktakuzë, andaj edhe marshi i paralajmëruar ne përkrahje te tyre, para se Gjykata ta jep verdiktin e saj, dhe nxjerr të vërtetën në shesh, tingëllon si ndërhyrje flagrante në pengimin e procesit të vendosjes së drejtësisë nga Gjykata Speciale”, shprehet Gani Qarri.

“Shto kësaj faktin se vetëm në vitet e pasluftës, sipas thënieve jozyrtare, janë vrarë mese 1 mijë civil shqiptar, nëse në procesin gjyqësor vërtetohet se të akuzuarit, janë fajtor të tërthortë apo edhe të drejtpërdrejtë, mendoj se sikur në Kosovë të ketë ligj të njëmendtë dhe shtet të së drejtës, do duhej të burgoseshin edhe iniciatorët e marshimit, me akuzën për mbështetjen e krimit dhe vrasjes së civilëve të pambrojtur, të vrarë jo për fajet që mund të kenë bërë, por për shkaqe politike”, shton analisti Qarri.

Qarri kujton se Gjykata Speciale i akuzon Thaçin, Veselin, Selimin e të tjerët edhe për vrasjen e oponentëve politikë.

“Kështu që të mbahet marshim në përkrahje të të akuzuarve, vetëm pak kohë para fillimit të procesit gjyqësor, në mbështetje të atyre, të cilët Gjykata i akuzon për vrasjen e shqiptarëve dhe anëtarëve të partive oponentë politike, vërtet tingëllon keq, sidomos kur njerëz të tillë, me aktet e tyre, po dëshmojnë se, njëjtë si në Kosovë, duan të ndikojnë edhe në procesin gjyqësor të Hagës, i cili është paralajmëruar se së shpejti do të nisë, prej nga pritet të dal e vërteta në shesh dhe të shihet publikisht se kush çfarë ka bërë”.

“Proces pas të cilit nëse mbeten arsye për protestë, vërtetë mund edhe të protestohet me pjesëmarrje edhe më të madhe, por jo paraprakisht ngase drejtësia ndërkombëtare nuk lejon që vendosja e drejtësisë të diktohet nga protestat e orkestruara. Dhe njëjtë, siç nuk ka mundur të diktohet nga serbët, kroatët e boshnjakët, më parë, nuk besojë se mund të diktohet, as nga një grup minor shqipfolësish të orkestruar anonim, të frymëzuar ndoshta nga "super"-"drejtësia" e çakorduar prej tyre, në Kosovë, ku nuk ka guxuar të iniciohet hetim as një gjykim i vetëm, e cila në nxjerrjen e verdikteve sipas së shembullit të drejtësisë evropiane, as që mund të paramendohet dhe vazhdon të çalojë tepër dhimbshëm edhe sot”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat