“Ata janë vet burim i dhunës”- Analistët komentojnë pretekstin qesharak të Listës serbe për mos-pjesëmarrje në zgjedhje

Politika

“Ata janë vet burim i dhunës”- Analistët komentojnë pretekstin qesharak të Listës serbe për mos-pjesëmarrje në zgjedhje

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 mars 2023 Në ora: 11:59
Lista Serbe

Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet komunale në komunat veriore të Kosovës. Kjo ka ardhur si pasojë e dhënies së dorëheqjeve të kryetarëve për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të ri-regjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.

Subjekti politik Lista Serbe, ditë më parë ka njoftuar se nuk do të marr pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës, për shkak të siç ka deklaruar “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”.

“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhej në njoftim.

Për bojkotimin e tyre kanë reaguar vendet e QUINT-it dhe BE.

Vendet e QUINT-it, sikur edhe BE kanë shprehur keqardhje që Lista Serbe nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për zgjedhjet në veri.

Lama: Lista Serbe janë burim i dhunës

Image
Alma Lama

Alma Lama ka thënë se Lista Serbe është instrument i Beogradit dhe është po ajo e cila kërkon vazhdimin e dramës në veri.

Ajo tutje, deklaron se Lista Serbe janë burim i dhunës.

“Lista Serbe është instrument i Beogradit dhe fakti që ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje do të thotë se Beogradi po vazhdon me rolin destruktiv, pavarësisht marrëveshjes që u miratua në Ohër. Lista Serbe kërkon vazhdimin e dramës në veri, duke mos lenuar zhvillimin e një procesi normal elektoral për pushtetin lokal, pasi priten kërcënime e shantazhe të qytetarëve serbë apo subjekteve të tjera se do të marrin pjesë në zgjedhje. Por, kur kjo të ndodhë, Beogradi do të dalë tërësisht zbuluar dhe BE duhet të ndërmarrë masa. Preteksti i listës serbe për dhunë i institucionale është qesharak. Në fakt ata vetë janë burim i dhunës”, deklaron Alma Lama për “Bota sot”.

Maraj: Lista serbe një parti e përbërë dhe udhëhequr nga kriminelët që do të duhej të ishin në burg

Image
MIlazim Maraj

Analisti Milazim Maraj në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se formimi i këtyre komunave u bë si shpërblim nga BE, duke shtuar se kjo uzinë politike është krijuar për prodhimin dhe shpërndarjen e lajmeve dhe gënjeshtrave në Serbi dhe në Botë për të krijuar një mjegull, në të cilën do të realizohen detalet e krijimit të Botës ruse në Gadishullin Ilirik dhe Evropë.

Formimi i këtyre Komunave u bë si shpërblim i pakuptimtë dhe i pa logjikshëm nga BE. Këto komuna tani kryejnë funksionin e tyre jo në shërbim të qytetarëve serbë në Kosovë, por për të zbatuar projektet që hartohen në Zyrën e ashtuquajtur Zyra për Kosovës e udhëhequr nga Petar Petkoviq dhe grupi parlamentar edhe ai për Kosovën i udhëhequr nga Millovan Drecun. Kjo është një uzinë politike për prodhimin dhe shpërndarjen e lajmeve dhe gënjeshtrave në Serbi dhe në Botë për të krijuar një mjegull në të cilën do të realizohen detalet e krijimit të Botës ruse në Gadishullin Ilirik dhe Evropë. Takimet maratonike për negociata pa u ndëshkuar Serbia për krime në Kosovë dhe Bosnjë Kroaci dhe Slloveni janë shterpë.

Në vend që të ndëshkohet, detyrohet dhe të mbahet nën kontroll si vend i prodhimit të krizave dhe shpërthimit të konflikteve të reja ajo shpërblehet nga BE. Kështu duke u shpërblyer ajo nuk ka asnjë arsye që të heq dorë nga veprimet e saja destruktive”, thotë ai.

Sipas tij, Lista Serbe, është parti e cila udhëhiqet nga “kriminelët”, andaj është edhe një mekanizëm që mban tensione të vazhdueshme në Kosovë.

“Lista serbe një parti e përbërë dhe udhëhequr nga kriminelët që do të duhej të ishin në burg vazhdojnë me veprime kriminale si pjesë e projektit për të penguar funksionimin normal të Republikës së Kosovës. Kjo parti si dhe shteti i udhëhequr nga një kriminel ish Ministër i Qeverisë në mandatin e Millosheviqit ministër i Informatave çdo dialog e mat me memorandumin antinjerëzor të Vasilie Qubrilloviqit. Për këtë qëllim ai kërcënon që nuk do të pranojë asnjë marrëveshje pa AKS. Ky mekanizëm i mundëson Serbisë që të mbaj tensione të vazhdueshme në Kosovë. Që para bote të dëshmojë se Kosova nuk ka aftësi për të funksionuar si shtet. Që të mos lejohet funksionimi dhe zhvillimi i shtetit të Kosovës duke i mbajtur nën tension dhe kërcënime të vazhdueshme serbet në Kosovë. Sa do të arrijë që LS në Kosovë me përkrahjen nën urdhërat e shtetit kriminal serb është për ta parë”, shprehet Maraj.

Më tej, ai deklaron se Serbia përmes Listës Serbe synon destabilizimni e Kosovës, duke mos e përjashtuar edhe një “Panda 2”.

Andaj, duhet të ketë reagim nga BE-ja, sepse Serbia e do Kosovën të tërën dhe pa shqiptarë.

“Përveç kësaj Serbia po provon ndikimin e saj në Kosovë, për mes të LS. Përmes të kësaj vegle, do të prodhoj, kërcënime, reagime të projektuara si në vitet 1980/1989, tubime, inskenime për serbet e rrezikuar, duke mos përjashtuar as ndonjë “Panda2” dhunime të femrave serbe etj. Nëse arrijnë që të mbaj nën presionin e frikës serbet në Kosovë mund të dështojnë zgjedhjet. Por edhe nëse kryhen zgjedhjet do të ketë aksione kriminale si me rastin Ivanoviq.

Më këtë arritje; në Serbi, Vuçiq tregon forcën e tij të ndikimit në Republikën e Kosovës, kurse para BE dhe SHBA do të mbrohet se është vendimi i serbëve në Kosovë, të cilët nuk janë të sigurt të jetojnë pa mbikëqyrjen e tij, kurse para Rusisë tregon kontributin e vet në planin e krijimit të botës ruse. Përndryshe nuk ka dhunë ndaj serbëve në Kosovë përveç dhunës asaj që e ushtron Vuçiq me LS. Si kallje të makinave, kërcënim me bomba, kallje të pasurisë së serbeve të pa dëgjueshëm ndaj ti dhe organizatës kriminale e quajtur LS. Ka luftë kundër korrupsionit.

Kriminelet serb të Vuçiqit pa këtë korrupsion nuk i rrinë në Kosovë. Nuk ka në Evropë as Botë minoritete me të drejta më shumë se serbet në Kosovë për kundër krimeve që kanë bërë. Vuçiq nuk pranon reciprocitet për të drejta të njëjta për shqiptarët në tre Komuna të Luginës së Preshevës. Kjo do të duhej të troket në ndërgjegjeje të Borrellit dhe Laçakut. Për këtë duhej të reagoj PE në të cilin në kemi mjaftë shpresa. SHBA, ju na mbetët shpresa.

Serbia do Kosovën të tërën dhe pa shqiptarë. Këtë e ka dokumentuar që dy shekuj me radhë. Këto tragjedi shqiptarët i kanë përjetuar sa herë. Pas Kosovës të i kthehet Republikës Serbe, Malin e Zi dhe më vonë edhe Maqedoninë. Kjo pastaj mundë të quhet “Ballkania”, “Ballkan i Hapur”. Por do të jetë, gjithsesi “Serbi e Madhe”, pjesë e “Botës ruse.” Ky është kob për shqiptarët dhe gadishullin Ilirik në përgjithësi. Ky projekt prodhon luftë të re në këtë hapësirë”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat