Dora e zgjatur e Vuçiqit me “plan special” për trazira në veri? Ja kush duhet të marrë përgjegjësi në rast të eskalimit të situatës

Politika

Dora e zgjatur e Vuçiqit me “plan special” për trazira në veri? Ja kush duhet të marrë përgjegjësi në rast të eskalimit të situatës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 31 mars 2023 Në ora: 18:07
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në tri komunat veriore të Mitrovicës janë caktuar më datën 23 prill.

Mirëpo, mbajtja e tyre është ende në pikëpyetje.

Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka vendosur që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

Këtë vendim, siç duket LS e ka marrë duke u bazuar në mbarëvajtjen e bisedimeve Kurti-Vuçiq, pasi dihet se ky subjekt vepron me direktivat e Beogradit dhe cilësohet si ‘dorë e zgjatur’ e tij.

Ky subjekt serb njihet për provokimet e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, dhe si i tillë ai në vazhdimësi ka tentuar të krijojë situata në mënyrë që të tensionohet gjendja në veri të vendit.

Kësisoj, ka edhe dyshime se mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 23 prillit, lidhet më synimet për të nxitur tensione në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura të cilat ishin të regjistruara me targa RKS.

Policia ka njoftuar se dy vetura janë djegur në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan.

"Me 31 mars 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia ka sqaruar se pas dy veturave të djegura të mërkurën në veri të vendit, mbrëmë pas mesnatës, iu është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS).

Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në njoftim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.

Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale janë shpallur fillimisht për 18 dhjetor 2022, por, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, janë shtyrë vetëm dhjetë ditë para mbajtjes së tyre.

Shala: Lista Serbe ka përcaktuar qartë qëndrimet e saja në raport me Kosovën dhe kundërshtimet që bëhen për mos lejim të shtrirjes se autoritetit vendor në veri

Image
Drizan Shala

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Fillimisht, ai u shpreh se situata në veri do të varet nga takimi i 3 prillit, ku atëherë do shihet nëse do ketë tensione apo jo.

Po situata në veri është po e njëjta situatë sikur para dakordimit të 27 shkurtit por edhe 18 marsit, ku siguria dhe të pasurit tensione apo jo do të varet krejt nga takimi i 3 prillit ku do të përcaktohet për parimet e reja eventuale për të ofruar hapësirë të re pas dështimit të zgjedhjeve në veri”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Shala tha se LS i ka të qarta qëndrimet dhe arsyet e kundërshtimit të zgjedhjeve në veri.

Sepse subjekti politik i Lista Serbe ka përcaktuar qartë qëndrimet e saja në raport me Kosovën dhe kundërshtimet që bëhen për mos lejim të shtrirjes se autoritetit vendor në veri”, potencoi ai.

Ndër të tjera, ai tha se situatën në veri të vendit, po e vazhdojnë autoritetet tona të sigurisë.

Pra, situata është nën-vëzhgim dhe monitorim të autoriteteve vendore të sigurisë duke garantuar qëndrueshmërinë e sigurisë publike dhe kushtetutshmërisë së RKS në veri të vendit”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Qarri: Rakiq & Co, duke mos marrë pjesë në zgjedhje, duan t’i kenë duart e lira, për të organizuar grupet kriminale serbe

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se në rast se nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët, Goran Rakiqi në koordinim me kriminelin Vuçiq mund t'i nxisin përsëri ekstremistët serbë, për të shkaktuar tensione në veri.

Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës, ishte demoluar dhe nxjerr jashtë funksionit, nga vendosja e një mjeti të rrezikshëm eksploziv, të cilin nuk ka mundur ta prodhojë as ta sjellë nga Serbia dhe vendosë aty, e ashtuquajtura "lista serbe", pa ndihmën e ekspertëve ushtarak dhe organeve të BIA-së së Serbisë, e ndoshta edhe dikush nga UNMIK, apo EULEX, mjet të cilin ka mundur ta asgjësoj vetëm KFOR-i.

Prandaj vet mospjesëmarrja e të ashtuquajturës "lista serbe" që më tepër duket se funksionon si degë e BIA-së, (sigurimit të fshehtë të Serbisë), në Kosovë, dëshmon se nëse nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët, Goran Rakiq & Co, në koordinim me kriminelin Vuçiq mund t'i nxisin përsëri ekstremistët serb, për të shkaktuar sërish tensione të reja në veri të Kosovës, në mënyrë që ta pengojnë edhe mbarëvajtjen dhe zhvillimin e procesit zgjedhor të 23 prillit”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Qarri dhe se Rakiq me ‘kompaninë’ e tij nuk po merr pjesë në zgjedhje me të vetmin qëllim që të krijojnë trazira në veri.

Madje tendenca për trazira, duket të jetë edhe motivi kryesor, i këtij subjekti të serbëve militant, që fatkeqësisht iu imponua Republikës së Kosovës nga tandemi Thaçi& Vuçiq.

Sepse Rakiq & Co, duke mos marrë pjesë në zgjedhje, duan t’i kenë duart e lira, për të organizuar grupet kriminale serbe, për ngritjen e tensioneve dhe pengimin e mbajtjes së zgjedhjeve demokratike në 4 komunat në veri të Kosovës, të cilat vitin e kaluar, për shkak të gjendjes së tensionuar, u shtynë me vendim të Presidentes së vendit, zonjës, Dr. Vjosa Osmani”, nënvizoi analisti.

Sipas tij, organet e sigurisë së Kosovës, duhet të fillojnë përgatitjet dhe planin se si duhet vepruar në rast të tensionimit të situatës në veri, ndonëse tha se gjërat kanë ndryshuar pas takimit të 18 marsit në Ohër.

Kështu që, duke pasur të gjitha këto parasysh, organet e rendit dhe të ligjit në Kosovë, medoemos duhet ta kenë me kohë, të gatshëm planin e veprimit dhe marrjes së masave përkatëse, konform zhvillimeve dhe lëvizjes së gjendjes për të garantuar ligjin, rendin dhe sigurinë, para mbajtjes së votimit, gjatë zhvillimit të fushatës parazgjedhore dhe pas përfundimit të procesit zgjedhor, në mënyrë që çdo gjë të zhvillohet me rregull dhe në qetësi të nevojshme.

Me këtë rast, nuk duhet harruar edhe një fakt me rëndësi jetike, se pas takimit të 18 marsit në Ohër, të paktën formalisht, gjendja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ndryshuar rrënjësisht dhe nuk është më si në dhjetorin e vitit të kaluar, sepse tani edhe Vuçiq është i obliguar, që të mos përzihet më, në çështjet e brendshme të Kosovës”, potencoi Qarri.

Në fund, analisti tha se në rast se krijohet sërish situatë tensionuese në veri, përgjegjësia nuk do bie vetëm te Vuçiqi, por edhe te disa të tjerë.

E nëse sërish ndodhin aktet tashmë të njohura, siç i pamë edhe në dhjetorin e vitit të kaluar, atëherë përgjegjësia nuk bie më vetëm mbi Vuçiqin i cili deri vonë, fshihej shumë lehtë prapa dorës së tij të zgjatur në Kosovë, si e ashtuquajtura "lista serbe", ngase pas dakordimit në Ohër, fajtorët kryesor do të jenë, ose të paktën do të shihen si fajtorë të pa-falshëm, vet ndërmjetësuesit e BE-së dhe i dërguari amerikan Gabriel Eskobar.

Pra, ata që vazhdojnë ta kanë gojën plot ligje e demokraci, por nuk hezitojnë tu dalin krah edhe bandave të veriut dhe solidarizohen me barrikadimin e rrugëve, në momentet më kritike, kur vendit dhe rajonit i duhet më së shumti paqja dhe pajtimi”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është i gatshëm për t’u përballur me çdo lloj skenari gjatë zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të Kosovës.

Data për t’iu drejtuar kutive të votimit është 23 prilli, dhe megjithëse janë ngritur shqetësime se Lista Serbe, e cila nuk do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve, mund të shkaktojë tensione gjatë procesit zgjedhor, KFOR-i vlerëson se në këtë moment nuk ka indikatorë të problemeve të sigurisë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, misioni ndërkombëtar i sigurisë thekson se po ruan nivelin e lartë të gatishmërisë për t’u përballur me çdo lloj skenari për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për të ruajtur lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet e Kosovës.

Policia e Kosovës është autoriteti që ofron siguri gjatë zgjedhjeve. KFOR-i po monitoron situatën sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë moment nuk ka indikatorë të rinj të problemeve të sigurisë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, por KFOR-i ruan nivelin e lartë të gatishmërisë për t’u përballur me çdo lloj skenari për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për të ruajtur lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat