Deklarata e fundit e Dodik/ Alarmohen BE dhe ShBA: Këto dy vende të Evropës janë para shpërthimit!

Politika

Deklarata e fundit e Dodik/ Alarmohen BE dhe ShBA: Këto dy vende të Evropës janë para shpërthimit!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 prill 2023 Në ora: 19:59
Joe Biden dhe Vladimir Putin

Deklaratat e Serbisë karshi Kosovës po vazhdojnë të jenë pjesë e diskutimeve këto ditë.

Së fundmi është lideri ultranacionalist i entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, i cili u shpreh se: “Nuk ka më marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Në një intervistë për “Politika" Dodik thotë se Perëndimi dëshiron që Serbia “t’i duartrokas shkëputjes së Kosovës nga Serbia” pa ofruar ndonjë gjë si këmbim.

Dodik i cili mirëmban narrativën ruse, në veçanti nga post-24 shkurti i invazionit rus mbi Ukrainën, thotë se serbët "nuk do ta pranojnë këtë".

“Amerikanët dhe evropianët kanë ekzagjeruar. Ata do të donin të shihnin Serbinë duke i duartrokitur shkëputjes së Kosovës, por kurrë s’kanë ofruar gjë për këtë, përveç një perspektive të rreme për anëtarësim në BE”, ka thënë Presidenti i “Republika Srpska”-s, Milorad Dodik.

Kjo nuk është hera e parë që Dodik bën këto lloj deklarata për Kosovën, mirëpo a do të tërheq vëmendjen kjo deklaratë për ndërkombëtarët?

Shala: Nuk është për habi deklarata e Dodik-it

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai u shpreh se deklarata e Dodik nuk luan ndonjë rol të veçantë, pasi është vazhdë e deklaratave që janë bërë tash e shumë vite.

“Deklarimi i Dodik-ut është në vazhdën e atyre deklarimeve që në thelb nuk ndryshon asgjë nga një politik e viteve 80/90ta. Republika Serbe në BeH ka tendenca të atilla që përçon mesazh për dy republikat brenda sistemit të tyre federative”, u shpreh ai.

Image
Drizan Shala

Shala më tej thekson që ndaj kësaj deklarate dhe të tjerave, BE dhe SHBA do të vinë në një moment pasi të përmbyllen disa pika në mese rikthimit të politikes të stabilitetit Europian në Ballkan.

“Në raportin Kosovë/Serbi mund të veçohet vetëm një qëllim që mbetet ai medial dhe duke përçuar mesazh Beogradit për lojalitet ndaj politikes shtetërore/akademike/Kishës Ortodokse. Masat që do të ndërmarr BE dhe SHBA do të vinë në një moment pasi të përmbyllen disa pika në mese rikthimit të politikes të stabilitetit Evropian në Ballkan”, nënvizon Shala për “Bota sot”.

Kelmendi: Veriu i Kosovës është vendi nga mund të hapet fronti i ri i luftës në Ballkan

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Dodik përveç kësaj deklaratë për Kosovën, ai shpalli inekzistente edhe Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995 për Bosnje e Hercegovinë, kjo natyrisht sipas profesorit është një thirrje e hapur për luftë.

“Përkrahje ushtarake dhe politike ka nga Kina, Rusia dhe Serbia. Së bashku e forcuan Republikën serbe. Ultranacionilisti serb Milorad Dodik e shpalli inekzistente Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995 për Bosnië e Hercegovinë. M. Dodik deklaroi: “Nuk ka marrëveshje më me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës". Kështu de - fakto u shpall ndarje e Republikës Serbe nga shteti i Bosnjës e Hercegovinës dhe krijimi i shtetit serb të pavarur. Natyrisht, se kjo është edhe një thirrje e hapur serbe për luftë të armatosur kundër UE-së, NATO-së dhe SHBA-ve”, theksoi ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori më tej shton që fronti i ri i luftës do të bëhet në Evropë. Republika Serbe në BeH ose Veriu i Kosovës në Republikë janë para shpërthimit.

“Përkrahja e këtij qëndrimi politik erdhi nga Rusia dhe Kina. Prapa nuk mbeti as shteti serb (Serbia) dhe, dy kriminelët e luftës, Daçiq dhe Vuçiq, të cilët po e përkrahin ultranacionalistin M.Dodik të Republikës Serbe në BH. Faktet tregojnë se tash pritet edhe deklarata publike e Kuvendit të Republikës Serbe për pavarësinë e kësaj Republike nga Bosnja e Hercegovina. E tërë kjo varet nga qëndrimi i Moskës, i Pekinit dhe i Beogradit. Duket se fronti i ri i luftës do të bëhet në Evropë. Republika Serbe në BH ose Veriu i Kosovës në Republikë janë para shpërthimit. Të dy këto qendra kontrollohen nga Moska dhe nga Beogradi. Atje veprohet në interesin ultra fashist ruso-serb. Si të tilla priten natyrisht edhe veprime të armatosura kriminale dhe terroriste”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat