Propaganda dhe dhuna politike e Beogradit vënë në dyshim pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e 23 prillit

Politika

Propaganda dhe dhuna politike e Beogradit vënë në dyshim pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e 23 prillit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 prill 2023 Në ora: 23:08
Foto ilustrim

23 prilli do të jetë dita kur qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’ju drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Në garë për katër kryetarët në veri janë 11 kandidatë, dy prej të cilëve vijnë nga komuniteti serb. Subjektet në garë janë: Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe një kandidate e pavarur.

Ndryshe, nga herët tjera, në këto zgjedhje nuk do të merr pjesë Lista Serbe, parti më e madhe e serbëve në Kosovë dhe ndryshe nga herë tjera zgjedhjet do të mbahen edhe në kontejnerë.

Politikanët serbë deklaratat nxitëse dhe tendencioze sa i përket këtyre zgjedhjeve nuk i ndalin, ata madje thonë se numri i qytetarëve do të jetë i ulët.

Burjani: Kredibiliteti i zgjedhjeve do të varet nga dalja e qytetarëve

Image
Blerim Burjani

Analisti politik, Blerim Burjani thotë se organizimi i zgjedhjeve ka qenë minimal.

Sipas tij, kanë ndikuar shumë faktorë te puna e KQZ-së.

“Teknikisht organizimi i zgjedhjeve është minimal, pra kushtet teknike janë minimale dhe jo standardizuese. Klima politike dhe e sigurisë kanë diktuar punën e KQZ-së, çështja e sigurisë është kyçe, përveç shumë faktorëve tjerë. Ka shumë faktorë që zgjedhjet i bëjnë demokratike, nuk është problemi i ligjit për zgjedhje, sepse ligji nuk vendos kuotë demokratike për legjitimacion apo pranueshmëri të rezultatit zgjedhor, por aspekti i vlefshmërisë së zgjedhjeve në përputhje me vullnetin politikë të serbëve atje”, deklaron Burjani.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i përgjithshëm i qytetarëve që mund të votojnë është 45.095.

Ndërsa, sipas Burjanit kredibiliteti i zgjedhjeve do të varet nga dalja e qytetarëve.

“Normal që propaganda dhe dhuna politike dhe kërcënimi nuk i lënë serbët të dalë në zgjedhje dhe t’i zgjidhin problemet siç kanë qytetarët. Kredibiliteti zgjedhor varet nga dalja e qytetarëve në zgjedhje”, shprehet analisti.

Zgjedhjet në Kosovë zakonisht zhvillohen në shkolla. Në veri, sipas KQZ-së, në të kaluarën janë hapur 44 qendra të votimit. Por, për zgjedhjet e 23 prillit, të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej të cilave do të jenë të vendosura në kontejnerë.

Hapja e qendrave të votimit në shumë shkolla, kësaj radhe, u bë e pamundur, pasi ato kontrollohen nga strukturat që punojnë sipas sistemit të Serbisë, i cili i kundërshton zgjedhjet.

Prandaj, KQZ-ja tha se qendrat alternative do të jenë në kontejnerë, që do të vendosen në lokacione të ndryshme në katër komunat në veri.

Gjersa Serbia aludon se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Beogradi t’i mos i frikësojë serbët dhe ka shprehur bindjen për mbajtjen e tyre.

Rreth mbajtjes apo shtyrjes së tyre për shkak të situatës në veri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur qëndrim pro shtyrjes, ndryshe nga partitë tjera që nuk kanë dhënë komente.

Kelmendi: Zgjedhjet nuk duhet të shtyhen

Se do të ketë zgjedhje dhe se do të dalin organet kompentete nga ato, është shprehur analisti politik Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Në një prononcim për “Bota sot”, Kelmendi shprehet se rezultatet e zgjedhjeve atje ishin të diktuara nga Serbia, ndërsa tani është tjetër gjë.

“Zgjedhjet janë mjeti kryesor i demokracisë funksionale. Pa to nuk funksionon sistemi demokratik dhe nuk del vullneti i votueseve. Kjo është ana themelore e zgjedhjeve. Në veri kërkohet të mbahen zgjedhjet. Besohet se do të këtë zgjedhje dhe do të dalin organet kompetente nga zgjedhjet. Forma e presionit dhe e diktimit të sistemit është anti demokratike dhe duhet refuzuar. Kjo, u pa edhe nga forma e sistemit të vendosur në veri të Kosovës. Rezultatet e zgjedhjeve atje u diktuan nga Serbia dhe me thirrjen e Beogradit të gjithë e lëshuan punën. Ikën administratorët, policët, gjyqtarët dhe prokuroret, ikën sepse u diktuan nga Serbia dhe ishin vendosur nga Serbia. E mbanin vetëm veshjen e Republikës. Punonin për shtetin serb. Këtu vërehet se të diktuarit janë rreshtuar pas Beogradit. Për zgjedhësit dhe shtetin ishte pushteti mashtrim për sistem. Tjetër është kur dalin nga zgjedhjet, pa u diktuar dhe vendosur nga mekanizmat diktues të Serbisë”, deklaron Kelmendi.

Rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet, shprehet Kelmendi, gjersa shton se mekanizmi i votës ndal dikatin dhe krijon pushtet juridik stabil.

“Zgjedhjet kërkohen të mbahen. Ato nuk duhet të shtyhen dhe rezultati që del nga vota duhet të respektohet, pavarësisht nga përqindja e votës që jepet në zgjedhje. Me zgjedhje krijohet një sistem stabil. Nuk kemi diktim nga Beogradi dhe organet janë të pavarura. As në planin franko-gjerman dhe në aneksin e Ohrit nuk është vendosur tjetër gjë për sistem. Mekanizmi i votës e ndale dikatin dhe krijon pushtet juridik stabil. Kjo e bënë të domosdoshme zgjedhjen. E nëse vijnë te aksionet duhet shteti të përgjigjet me masa konkrete. Nuk ka nevojë të fshihet pas askujt. Zgjedhjet janë të ligjshme dhe çdo kush që merr masa penguese duhet të ndalohet. Këtë nuk e kundërshton askush në botë. Me zgjedhjet janë edhe faktorët relevantë ndërkombëtar. Zgjedhjet nuk duhet të shtyhen”, përfundon Kelmendi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi më 5 nëntor të vitit të kaluar kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS - Republika e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat