Hapja e urës së Ibrit rrëzon propagandën serbe, Kosova drejt shtrirjes së sovranitetit

Politika

Hapja e urës së Ibrit rrëzon propagandën serbe, Kosova drejt shtrirjes së sovranitetit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 prill 2023 Në ora: 16:54
Pamje nga ura e Ibrit në Mitrovicë

11 asamblistë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriu kanë votuar pro ndaj kërkesës për hapjen e Urës së Ibrit.

Kjo kërkesë e cila është parashtruar nga asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati- Doli, nuk është përcjellë në Policinë e Kosovës, KFOR, EULEX dhe organizatave tjera ndërkombëtare në Kosovë, por tashmë ka sjellë reagime të shumta.

Lista Serbe ka lëshuar kërcënime se nëse kjo ndodh do të ketë incidente.

Në një reagim të lëshuar nga kjo parti e kanë quajtur vendimin që u mor me shumicë votash si “jo-legjitim” dhe në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Lista Serbe dënon ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jo-legjitim të shumicës së paligjshme dhe jo-legjitime parlamentare në Mitrovicën e Veriut për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullimin motorik, gjë që shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë. Duam të paralajmërojmë se hapja e mundshme e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës”, thuhet në reagim.

Sipas tyre ky vendim “është vazhdim i pushtimit të Veriut nga Albin Kurti”.

Sheholli: Duhet të gjendet zgjidhje politike me përfaqësues serbë të Kosovës në formë civilizuese e demokratike

Image
Fatmir Sheholli

Kurse, Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, thotë se vendimi për lirimin e urës së Ibrit duhet të jetë plotësisht i dakorduar me qytetarët që jetojnë në atë komunë.

Vendimi i asamblistëve të komunës së veriut të Mitrovicës për hapjen e Urës mbi lumin Ibër është legal, por që unë konsideroj që ajo është pyetje disavjeçare dhe i takon të zgjidhet me zgjidhje politike të qeverisë me përfaqësues politikë të veriut të Mitrovicës. Çdo vendim që merret duhet të jetë plotësisht i dakorduar me qytetarët që jetojnë në atë komunë, dhe unë thellësisht besoj që lëvizja e lirë e qytetarëve është themeli i demokracisë”, shprehet Sheholli për “Bota sot”.

Sipas Shehollit, duhet të gjendet një zgjidhje politike me përfaqësues serbë të Kosovës në formë civilizuese e demokratike.

Deklarata e Vuçiqit se me këtë vendim Kurti po pretendon t’i shporr serbët nga ajo pjesë është marketing politik dhe nuk përkon me të drejtat njerëzore. Pra, duhet të gjendet zgjidhje politike me përfaqësues serbë të Kosovës në formë civilizuese e demokratike”, deklaron Sheholli.

Pas kërkesës për hapjen e Urës së Ibrit, ka reaguar emisari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se nuk është koha për ta bërë një gjë të tillë.

“Ne ende po na u duhet të përballemi me këtë përditë. Teksa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë që të hapet ura [Ura e Ibrit]. Atmosfera, dukshëm, nuk është që të ndodh një gjë e tillë”, deklaroi Lajçak, teksa tha se të dyja palët duhet të respektojnë vijat e kuqe të njëra-tjetrës.

Mulliqi: Veprimet e Listës të dirigjuara nga Vuçiqi, ngadalë por sigurt po ndërpriten nga pushteti i Kosovës

Kurse, sipas analistit politik Skënder Mulliqi, hapi për hapjen e urës së Ibrit është i vonuar, por është i qëlluar dhe duhet të hapet sa më shpejt.

Image
Skënder Mulliqi

Krejt pas luftës Ura mbi lumin Ibër mbeti e bllokuar nga strukturat kriminale serbe të Rojave të Urës. E dimë të gjithë së pikërisht mbi lumin Ibër këto roja kriminale vendosën barrikada, rrahën shqiptarë duke mos i lënë të shkojnë në shtëpitë dhe pronat e tyre. I rrahën dhe maltretuan, madje edhe ndërkombëtarë. Këto struktura kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi zyrtar dhe Lista Serbe u lejuan shumë gjatë të veprojnë në veri të vendit, duke e mbajtur të destabilizuar. Këto barrikada mbi lumin Ibër dhe barrikadat e tjera kanë për qëllim ndarjen e Kosovës mbi baza etnike, si synim i përhershëm i Serbisë së Vuçiqit të ndihmuar nga Lista Serbe dhe strukturat paralele serbe. Ish pushtetet nuk punuan mirë në shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës, dhe kjo zgjati derisa në pushtet erdhi klasa e re politike. Kryeministri Kurti prej se ka ardhur në pushtet i ka ndryshuar qasjet ndaj veriut të vendit, duke e shtrirë më shumë sovranitetin edhe në këtë pjesë të vendit. Ideja e ansamblistes së LVV nga Mitrovica për lëshimin e urës për qarkullim të lirë të mallrave dhe njerëzve edhe pse pak sa e vonuar është e qëlluar dhe duhet të zbatohet sa më parë”, pohon Mulliqi.

Mbajtja e zgjedhjeve në katër komuna në veri të Kosovës, liberalizimi i vizave, hapi konkret drejt anëtarësimit në KiE dhe hapja e urës për qarkulli, janë hapa të mirë të qeverisë Kurti, sipas Mulliqit.

Kjo urë është pjesa më vitale që lidhë veriun më jugun e Mitrovicës. Lidhur më këtë deklarim dhe qëndrim të LVV kanë reaguar Lista Serbe duke kërcënuar sërish më incidente, për të mos lejuar këtë masë ligjore të organeve tona të pushtetit , që të këtë qarkullim të lirë. Një reagim kërcënim të formës të Listës Serbe kemi pasur edhe nga Serbia. Veprimet e Listës të dirigjuara nga Vuçiqi, ngadalë por sigurt po ndërpriten nga pushteti i Kosovës. Ky orkestrim i ri antishqiptar të Beogradit dhe Moskës, po bëhet para tubimit të 2 majit në Bruksel të Kurtit dhe Vuçiqit. Sigurisht së në tavolinë të bisedimeve do të kemi aneks marrëveshjen e Ohrit, të cilin Serbia nuk po e zbaton, sikur që nuk ka respektuar shumë marrëveshje të firmosura deri më sot. Në këtë takim do të shtrohet edhe tema e Asociacionit, por që kryeministri Kurti duhet të këmbëngul që Serbia dhe Vuçiqi të njohin në plotësisht planin franko gjerman dhe jo në mënyrë seleksionuese aty ku i duhet Serbisë. Kjo praktikë obstruksioniste duhet të ndërpritet nga BE dhe Amerika duke e qortuar dhe detyruar Vuçiqin që para implementimit të Asociacionit konform kushtetutës të Kosovës që duhet të jetë, të zbatohen të dy marrëveshjet gojore të Brukselit dhe të Ohrit. Me mbajtën e zgjedhjeve në katër komunat më shumicë serbe, me liberalizmin e vizave dhe me hapin konkret drejtë KiE, Kosova dhe kjo qeveri kanë treguar së Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Hapja e urës për qarkullim është hapi tjetër i mirë në shtrirje të plotë të sovranitetit territorialitetit në çdo cep të Kosovës”, shton Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat