Vizitat e amerikanëve në Kosovë, vjen paralajmërimi: Ja çfarë e ka vënë në lëvizje Washngtonin dhe BE-në

Politika

Vizitat e amerikanëve në Kosovë, vjen paralajmërimi: Ja çfarë e ka vënë në lëvizje Washngtonin dhe BE-në

Nga: P.Rudi Më: 23 maj 2023 Në ora: 20:20
Chris Murphy dhe Gary Peters

Gjatë kësaj jave, dy senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters kanë qëndruar në Prishtinë, ku janë takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, takime pas së cilave u paralajmërua se Kosova dhe Serbia janë para zgjidhjeve të vështira dhe se duhen ndërmarrë “hapa të vështirë”.

Kurse emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka dhënë edhe një afat se kur duhet të implementohet marrëveshja, e cila parasheh formimin edhe të Asociacionit.

“Nuk shoh asnjë arsye pse të mos mund të përfundojë deri në fund të verës. Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më falni, kjo nuk është pritje. Është obligim”, tha Escobar.

Lidhur me krejt këto vizita dhe mesazhe nga SHBA, analisti politik Nexhat Haziri thotë se qeveria e Kosovës tani është nën presionin ndërkombëtar.

Image
Nexhat Haziri

“Vizitat e njëpasnjëshme të zyrtarëve amerikan e ndërkombëtar të tjerë të kryeministri Kurti, janë presion mbi qeverinë e Kosovës për t’i kryer detyrat që dalin si obligim i Kosovës në raport me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe së fundmi nga dakordimi në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shprehet Haziri.

Sipas tij, mos veprimi i Kosovës dhe i Serbisë lidhur me marrëveshjen e arritur në Ohër, ka vënë nën lëvizje bashkësinë ndërkombëtare.

“Gjatë fazës së fundit të takimeve në Bruksel dhe në Ohër të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE dhe angazhimit të madh amerikan, janë caktuar edhe afate ku dy shtetet duhet lëvizur me një dinamikë më të shpejtë në përmbushjen apo zbatimin e marrëveshjes gjë që nuk po ndodhë në teren, dhe kjo sikur i ka vënë në lëvizje dy qendrat e vendosjes ndërkombëtare Washingtonin dhe Brukselin për t’ua rikujtuar palëve obligimet që i kanë marrë por edhe për t’ua bërë me dije sanksionet që mund të pasojnë në rast të mos zbatushmërisë së këtyre marrëveshjeve”, deklaron Haziri, i cili thotë së ndërkombëtarëve iu është harxhuar durimi.

“Kjo ofanzivë diplomatike në Prishtinë, por edhe në Beograd, tregon se ndërkombëtarët tashmë iu është sosur durimi edhe me Prishtinën edhe me Beogradin, dhe po kërkojnë hapa konkret nga të dyja palët në drejtim të zbatushmërisë së marrëveshjeve dhe normalizimin e raporteve. Andaj edhe kryeministri Kurti do të duhej të jetë më koperativ dhe më i vendosur në zbatushmërinë e këtyre marrëveshjeve dhe të marrë përgjegjësinë për obligimet që i ka Kosova, dhe kjo kërkon po ashtu një partneritet dhe koordinim të afërt me partnerët tanë strategjik, sidomos me SHBA-n, e që është e vetmja rrugë që Kosova të dal fituese dhe pozitive nga ky proces”, thekson Haziri.

“Çdo shmangie nga obligimet tashmë të nënshkruara dhe të zyrtarizuara edhe nga vet kryeministri Kurti dhe mos koordinimi me SHBA-në, Kosovën e shpien në një situatë shumë të vështirë, pse jo edhe drejtë izolimit dhe humbjes së përkrahjes nga partnerët ndërkombëtar”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat