‘Urdhri i fundit’ i Escobarit për Kosovën e Serbinë/ A do të sanksionohet Serbia për mos-zbatim dhe shkelje të marrëveshjes?

Politika

‘Urdhri i fundit’ i Escobarit për Kosovën e Serbinë/ A do të sanksionohet Serbia për mos-zbatim dhe shkelje të marrëveshjes?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 maj 2023 Në ora: 14:32
Gabriel Escobar

Dialogu Kosovë-Serbi ka arritur në një fazë shumë delikate, ku takimet mes përfaqësuesve të të dyja shteteve janë intensifikuar.

Përveç kësaj, edhe bashkësia ndërkombëtare ka shtuar seriozitetin e saj për të ndikuar në arritjen e një marrëveshjeje finale mes të dy shteteve.

Kësisoj, muaj më parë, në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u dakorduan për propozimin evropian.

Mirëpo, deri më tani nuk po ka sinjale të respektimin të kësaj marrëveshje.

Kujtojmë se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç një aleat i fuqishëm ushtarak i Kosovës, ky vend në vazhdimësi ka mbështetur proceset politike me theks të veçantë atë për dialogun Kosovë-Serbi.

Për dialogun është deklaruar sërish i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një intervistë për agjencinë Mina, Escobar tha se “nuk sheh arsye” pse marrëveshja për çështjet e mbetura të mos mund të arrihet deri në fund të verës, transmeton Beta.

Siç tha ai, në Serbi ka disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, letërnjoftimeve dhe disa gjërave të tjera.

E për këtë ‘urdhër’ të Escobarit, e komentuan analistët politikë për gazetën “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

Fillimisht, për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Ai e mbështeti deklaratën e Escobarit, pasi vlerëson se nëse do jetësohej marrëveshja e arritur në Ohër, do të ishte një arritje e madhe.

Në fakt, siç është në dijeni opinioni i gjerë më 27 shkurt në Bruksel Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, kurse më 18 mars, në Ohër, u pajtuan edhe për aneksin e zbatimit ë marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel.

Prandaj i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar, ka të drejtë kur thotë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po të jetësohej sikurse u ra dakord, do të ishte një “arritje e madhe, e duke pasur parasysh bisedimet gati shterp nga viti 2011 e këtej, ajo njëmend paraqet një arritje të veçantë”, deklaroi analisti.

QarrI vlerëson se duhet shumë punë që të arrihet deri te marrëveshja finale, e kjo nuk mund të arrihet duke ledhatuar Serbinë.

“Por sikur në ecurinë e dialogut ndërmjet të dy vendeve, po të arrihej deri te marrëveshja e plotë dhe përfundimtare, me njohjen reciproke dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve, atëherë njëmend mund të konsiderohej edhe si marrëveshja historike e arritur ndonjëherë ndërmjet dy popujve dhe vendeve në rajon.

E për të ardhur deri aty, Kosova dhe Serbia duhet medoemos t’i intensifikojnë përpjekjet për normalizimin e raporteve, por jo duke ledhatuar Serbinë që ajo t’i plotësojë vetëm ndonjë nga elementet, si njohja e targave të veturave, letërnjoftimeve dhe disa gjërave të tjera, kurse Kosova medoemos të detyrohet ta formojë Asociacionin me kompetenca ekzekutive siç kërkohet nga Serbia”, theksoi ai.

Sipas tij, Escobar duhet të kërkojë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia të zbatojnë marrëveshjen deri në fund të verës, dhe ta bënte këtë si një obligim për të dy vendet.

“Dhe siç shprehet Eskobar nëse kjo nuk është pritje, por obligim për të dy palët dhe jo siç dëshiron dikush ta interpretojë, si obligim vetëm për Kosovën, Shtetet e Bashkuara, duhet të insistojnë që këto procese të zhvillohen dy anshëm dhe të ecin njëtrajtshëm, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Për aq më tepër nëse, siç thuhet, marrëveshja mes dy palëve është ligjërisht e detyrueshme për të dy vendet, dhe tani shtrohet vetëm pyetja se si të zbatohet plotësisht, nga të dy palët, kjo duhet ti bëjë optimist të gjithë dhe jo vetëm z.Eskobar, kurse i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duhet të kërkuar jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia të zbatojnë marrëveshjen deri në fund të verës”, nënvizoi Qarri.

Në fund, ai shpreson që Amerika të marrë hapat e duhur, në mënyrë që të zbatohet marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

“Eskobar është ai që do duhej frymëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, "të tregojnë guximin e nevojshëm politik për të ndërmarrë hapat e duhur”, përndryshe SHBA duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm politikë, ekonomik dhe gjeostrategjik, nëse nuk zbatohet marrëveshja, nga Serbia dhe jo t’i bëhet presion vetëm Kosovës, kur dihet se Vuçiq është krimineli i lidhur me mafien dhe rrjetet e krimit të organizuar në Serbi e më gjerë”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Duhanaj: Presioni amerikan është dhe do të mbetet evident

Kurse, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se ka mungesë të transparencës në dialogun Kosovë-Serbi, e këtë e tha për të ty palët negociuese.

Image
Leon Duhanaj

 

“Kur flasim rreth temave të dialogut dhe marrëveshjeve respektive në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet pasur parasysh, se kemi të bëjmë me mungesë transparence të plotë. Qoftë nga pala kosovare, qoftë nga ajo serbe, nuk kemi transparencë karshi opinionit publik, përkatësisht qytetarëve respektiv. Palët janë dakorduar rreth asociacionit dhe asociacioni do të themelohet. Ajo çfarë është enigmë, pse Qeveria e Kosovës u mor me Statutin tek pasi doli versioni nga pala serbe?”, deklaroi ai.

Duhanaj, parashikoi një ngërç në dialog, e kjo për shkak të mundësisë së themelimit të Asociacionit., ku kërkoi qe të merren parasysh direktivat e SHBA-ve.

Tani këtu krijohet një ngërç. Sepse në tavolinën e bisedimeve, kemi një Statut i cili është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kjo është tejet shqetësuese. Me ketë Serbia synon të nxjerrë kompromise shtesë nga Kosova.

Fatkeqësisht në ketë drejtim ka ndihmuar shumë qasja destruktive e Qeverisë Kurti, karshi bashkëpunimit me SHBA-në. Sepse kur iu kërkua shtyrja e afatit për targa e refuzoj kategorikisht, për ta pranuar me pastaj pasi që i tërë komuniteti serb i lëshojë institucionet dhe u barrikada. Kjo qasje i ka shkaktuar dëm të madh Kosovës dhe për ketë është fajtor kryekëput Kryeministri Kurti”, potencoi analisti.

Në fund, theksoi se po vërehet presioni i Amerikës, por sipas tij Kurtit dhe Vucciqit iu janë ngushtuar hapësirat ‘manovruse’.

“Tani jemi para një situate ku palët janë dakorduar dhe asociacioni do bëhet. Por si do bëhet duket të jetë goxha problematike, për arsye të lartcekura. Ndoshta do na shpëtoj pikërisht marrëveshja e ish Kryeministrit Mustafa, në të cilën shkruan se autoriteti final duhet të jetë Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe, në të cilën është nënshkruar edhe Presidenti Serb Vuçiq.

Sido që të jetë, presioni amerikan është dhe do të mbetet evident. Qoftë Kurti, qoftë Vuçiq, do ta kenë të ngushtuar hapësirën manovruese për konsum të brendshëm dhe do të detyrohen të marrin vendime. Ndryshe do pësojnë sanksione nga SHBA-të ndaj tyre, e këto sanksione, do të nënkuptonin fundin e karrierës politike”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat