Padia e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid, shumë afër/ Juristët tregojnë kush mund ta ushtrojë dhe si mund të ndodhë kjo

Politika

Padia e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid, shumë afër/ Juristët tregojnë kush mund ta ushtrojë dhe si mund të ndodhë kjo

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 maj 2023 Në ora: 16:52
Foto nga arkiva

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar të hënën se Kosova është afër përfundimit të padisë profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

"Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhë një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë, edhe sot dhe mund të konstatoj që kjo është shumë afër...nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veç se e dijë që është bërë një punë e madhe deri tash, janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional, që kanë njohuri në këtë fushë për ndërtimin e një padie profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe mendoj që është bërë një punë e mirë deri tash, është afër por për të gjitha hollësitë ua shtroni pyetjen Qeverisë“, tha ai.

Që nga paslufta janë dhënë premtime të ndryshme nga udhëheqjet e qeverisë se Kosova do të ushtrojë padi ndërkombëtare ndaj Serbisë për gjenocid. Por, për gjithë këto vite asnjë hap nuk është bërë në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, familjarët e mbi 12 mijë shqiptarëve të vrarë, dhjetra e mijëra të plagosurve, mbi 20 mijë grave të dhunuara dhe mijëra të zhdukurve gjatë luftës vazhdojnë t’i kenë plagët e hapura.

Kosova është në kërkim të drejtësisë, ndërsa juristët kanë dhënë këndvështrimet e tyre lidhur me premtimin e dhënë nga Konjufca.

Burjani: Kosova nuk mund ta padisë, këtë mund ta bëj një shtet tjetër në emër të Kosovës

Image
Blerim Burjani

Blerim Bujrani në një përgjigje për gazetën “Bota sot” ka thënë se Serbinë nuk mund ta padisë Kosova, por shtetet tjera në emër të Kosovës.

"Kjo lë për të dëshiruar, mos të harrojmë një fakt apo shumë fakte të rëndësishme që vlerësojnë një shtet gjenocidial se është një procedurë provuese mjaft e komplikuar dhe po ashtu mund të jenë dëshpëruese sepse, faktet që shpallin një shtet gjenocidial bartin pasoja të mëdha për shtetin që shpallet si kryes i gjenocidit, shteti i tillë do të bëjë kompensimin e shtetit të dëmtuar, përkatësisht familjeve të tyre. Kosova nuk mund ta padisë Serbinë, këtë mund ta bëj një shtet tjetër në emër të Kosovës edhe kjo ende nuk dihet se sa do të jetë legjitimacioni juridiko - ndërkombëtar edhe pse kjo është mundësi që mund ta shfrytëzojnë shtetet anëtare të KE-së ”, thotë juristi.

Burjani tregon se kjo mund të ndodhë nëse qeveria arrin marrëveshje me një shtet tjetër të KE-së.

Tutje, thotë se gjithçka duhet të jetë e gatshme, prova dhe fakte të bazueshme në të drejtën ndërkombëtare.

"Kjo mund të ndodhë nëse kjo qeveri arrin marrëveshje me ndonjë shtet tjetër anëtar të Këshillit të Evropës, pastaj procedura tjetër është e njohur.

Para se të ndodhë padia duhet shumëçka të jetë e gatshme mbi të gjitha, prova dhe fakte të shumta të bazueshme në të drejtën ndërkombëtare përkatësisht në konventa ndërkombëtare që i referohen ligjet ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.

Pra, duhet të bëhet nga jursitë eminent madje ndërkombëtar.

"Boshnjakët në Bosnje dështuan ta faktojnë gjenocidin serb në Serbrencië, pra, duhet të ketë shumë seriozitet, nuk mjafton vetëm politikisht të thuhet. por të mbështetet plotësisht ne faktografinë vendore dhe ndërkombëtare pra, përveç fakteve vendore do të ishte e domosdoshme të merren fakte nga komisioni verifikues i OSBE i vitit 1999”, përfundon ai.

Kelmendi: Serbia duhet të gjykohet për gjenocid ndaj shqiptarëve

Image
Muhamet Kelmendi

Edhe juristi Muhamet Kelmendi ka thënë se çështja e ngritjes së padisë është një fakt i pakontestueshëm.

Ai thotë se Serbia ka bërë gjenocid dhe për këtë tregojnë edhe faktet.

“Çështja e ngritjes së padisë për gjenocid kundër Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve nga ana e shtetit serb është një fakt i pakontestueshëm dhe shumë domethënës për përgjegjësi penale dhe për drejtësinë Evropiane dhe botërore. Serbia e ka zbatuar një politikë në vitin 1998 dhe 1999 për të zhdukur qytetarët shqiptar si komb nga Kosova. Politikë gjenocidiale ka qenë e planifikuara nga shteti serb dhe ka patur elemente raciste të zhdukjes në masë të shqiptarëve. Krimi dhe terrori ka filluar para kohës së luftës së UÇK-së. Mirëpo, me planin "Potkoi" Serbia e ka planifikuara veprimin gjenocidial. Në zbatim të kësaj ishte plani për zhdukjes kombëtare të shqiptarëve në Kosovë duke serbizuar këtë territor.

Faktet që tregojnë gjenocidin janë:

1. Planifikimi shtetëror, me një plan të analizuar nga shteti, me emrin "Potkoi" për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë.

2. Ekzekutimin e këtij plani me masa ushtarake, paramilitare dhe miöirare raciste.

3. Vrasjet dhe mbytjet e mbi 15 mijë vetave me intenzitet të ashpër nëpër katune dhe në qytete të Kosovës.

4. Djegiet dhe shkatërrimet masovike, vjedhjet dhe grabitjet të tërë pasurisë së shqiptarëve, sikundër edhe shkatërrimi i infrastrukturës për jetë.

5. Ndjekjet e 1 milion vetave me dhunë dhe terror, me plaçkitje dhe me ndjekje vrastare jashtë vendit duke krijuar kështu hapësirë lirë dhe pa banorë.

6. Përdhunimet e mbi 20 mijë femrave shqiptare dhe mbytjet e fëmijëve dhe të shumë nënave shtatzëna,

7. Intensitet i krimit gjenocidial.

Faktet e tilla tregojnë se në Kosovë është bërë gjenocid dhe atë ka mundësi të dënon vetëm Gjykata Ndërkombëtare me padi të shtetit që është anëtare e OKB-së”, deklaron ai.

Tutje, Juristi thotë se padinë mund ta bëjnë shtetet që në një mënyrë kanë qenë të implikuara në luftë kundër gjenocidit serb, si Anglia, Gjermania, Shqipëria, SHBA-të, Franca, Italia etj.

Në fakt padinë e tillë mund të paraqet Anglia, Gjermania, Shqipëria, SHBA-të, Franca, Italia, Turqia dhe të gjitha shtetet që me një mënyrë kanë qenë të implikuara në luftë kundër genocidistëve serbë.

Bombardimet janë bërë kryesisht për shkak të veprimeve gjenonociale të shtetit serb mbi shqiptarët. Ndihmat në ushqim dhe në strehim që janë dhënë për të dëbuarit në Shqipëri, në Maqedoni e në Malin e Zi për mbi 1 milionë shqiptarëve tregon për politikën gjenocidiale të bërë në Beograd dhe të zbatuar mbi këtë pjesë të kombit shqiptar”, shprehet ai.

Në fund, Kelmendi përmend edhe disa nga shkaqet pse nuk ka ndodh më herët një padi e tillë, duke thënë se nuk ka pasur mekanizma për padi.

“Pse nuk janë ngritur akuzat e tilla, këtu nuk është fakti se nuk ka patur meknizma për padi. Përkundrazi. Padia nuk është ngritur për disa shkaqe:

1. Mosfuqia e organeve në Kosovë për të bërë një padi të tillë,

2. Mosinteresimi i pushtetit me Kosovë dhe të shtetit shqiptar për padi gjenocidiale,

3. Kompromiset e dhimbshme të UE dhe të SHBA-së me shtetin rus për çështjen e Serbisë,

4. Kundërshtimet nga vetë shtetet e UE për këtë vlerësim të dhunës së bërë në Kosovë dhe

5. Raportet e vjetër dhe miqësore, si dhe shumë frytdhënëse për shtetin serb në botë.

Natyrisht se edhe përkundër këtyre Kosova ka pasur mundësi që nëpërmjet Shqipërisë të ngritë padi për gjenocide ndaj shtetit serb. Njëherit e ka patur në dorë Kosova që mos të bisedonin me shtetin serb pa përgjegjësi penale dhe gjenocidiale të bërë mbi shqiptarët. Tash i takon kësaj qeverie të punon padinë dhe të bie në kontakt me shtetin shqiptar për të paraqitur atë pranë Gjykatës ndërkombëtare për krime. Shqipëria ka obligime të dyfishta për këtë çështje madhore.

Së pari, se është atdheu i shqiptarëve, ku gjysma e popullit shqiptar ka kaluar nëpër masa gjenocidiale të dhunës dhe të territorit serb dhe

Së dyti, sepse Shqipëria i ka mbajtur mbi 1 milion shqiptarë të strehuar nga Kosova, që kanë qenë të dëbuar dhe të masakruan gjatë vitit 1998 / 99. Nuk ka dilemë se kjo mundësi ekziston dhe të njëjtën duhet zbatuar domosdo”, përfundon ai.

“Bota sot” ka kontaktuar edhe Ministrinë e Drejtësisë, por që të njëjtin kanë thënë se “Çështja e tillë është në kompetencë të Zyrës së Kryeministrit”.

Kurse, për këtë është kontaktuar edhe Zyra e Kryeministrit, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat