Në Ditën e Presidentit, Zogaj tregon fajtorët që Kosova sot nuk e ka flamurin Dardan dhe himnin “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”

Politika

Në Ditën e Presidentit, Zogaj tregon fajtorët që Kosova sot nuk e ka flamurin Dardan dhe himnin “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”

M.Lakna Nga M.Lakna Më 24 maj 2023 Në ora: 19:14
Presidenti Rugova

Më 24 maj të vitit 1992, u organizuan zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale. Me një vullnet të madh, shqiptarët do të dilnin për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës. Ata me votë të lirë dhe demokratike zgjodhën që ta bënin Ibrahim Rugovën president të parë të Kosovës.

Andaj, në nder të kësaj ngjarjeje historike, tash e disa vite 24 maji në Kosovë shënohet si Dita e Presidentit.

Pas presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, Kosova ka pasur edhe katër presidentë të tjerë. Aktualisht presidente e vendit është znj. Vjosa Osmani.

Gjatë ditës së sotme, politikanë e veprimtarë të ndryshëm kanë përkujtuar Ditën e Presidentit, duke zgjedhur fjalët më të mira për Presidentin historik dr. Ibrahim Rugova.

Publicisti Skënder Zogaj, duke folur për Ditën e Presidentit, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se, Presidenti Rugova ishte personalitet që mund të krahasohet me heroin kombëtar, Skënderbeun e po ashtu edhe me Nënën Terezë.

Image
Skender Zogaj

“Dr. Ibrahim Rugova është personaliteti i piedestalit të vlerave më të çmueshme të popullit shqiptar, i rangut të Skënderbeut dhe Nënës Tereze, sepse atë që Skënderbeu e ka bërë me shpatë dhe Nëna Terezë me mirësinë e shpirtit, Ibrahim Rugova e ka bërë me urtësi, dituri dhe dashuri për kombin dhe atdheun! Këto tri figura janë deri tani, të vetmet të papërsëritshme, sepse me veçantinë e tyre e kanë kapërcyer orbitën e kombëtares dhe janë bërë shenja të mbarë njerëzimit. E kjo nuk është e lehtë për një popull të vogël e me shekuj i shtypur që lufton për mbijetesë, dhe të nxjerrë titanikë të këtillë”, vlerëson Zogaj.

Ai shton se dita e presidentit është datë me vlerë historike për shkak se zanafillën e ka me Presidentin histroik dr. Ibrahim Rugova.

“Prandaj, Dita e presidentit për Kosovën është datë me vlerë historike, pikërisht se zanafillen e ka me Presidentin historik, Ibrahim Rugova, i pari burrështetas i ngjashëm me kolosët e epokës së kreshnikëve, që pa iu trembur syri, në kulmin e robërisë dhe të terrorit shfarosës serb, guxoi të dal në skenë dhe të merr përgjegjësinë e Presidentit, dhe legalisht të udhëheq popullin në kohë robërie. Një kësi shembulli nuk ka në histori, prandaj, Dita e presidentit është moment feste dhe reflektimi, për t'u vetëdijesuar se, kjo datë ka të bëjë me epokën e re të demokracisë, ku presidentët janë fryma dhe zëri i popullit. I këtillë ishte dr. Ibrahim Rugova, shkrimtari e publicisti, studiuesi e kritiku, politikani dhe diplomati, tribuni popullor i urtë e mendjendritur që, për madhështinë e Ditës së presidentit, ende pa u shfaqur liria pat dizajnuar Flamurin e Dardanisë, Vulën e Presidentit, Himnin e Kosovës dhe, i futi në jetën shtetërore, i zyrtarizmi në heshtje, sepse u miratuan nga burrat më të mëdhenj botëror që fotografoheshin me këto simbole.

Kjo ishte koha e Rugovës.

Mirëpo, më vonë, ca rrugeçër të ndyrë, antishqiptarë më brejtës se minjtë, në ditë feste në kohë lirie, ua vunë flakën dhe i dogjën! Ky ishte mallkim sepse, sot Kosova ka një flamur social, në vend të himnit "Kur ka ra kushtrimi në Kosovë" ka një himn xhamparesh”, potencon Zogaj.

Në fund, Zogaj vlerëson se për fatin e mirë, edhe pas Rugovës vazhdon fryma rugoviane dhe, pos partisë së tij, LDK-së, nga shenjat emblematike ka arritur të mbijetojë Vula e Presidentit Historik dhe Flamuri i Dardanisë në saje të vullnetit të mirë të disa udhëheqësve të lartë demokratë, vazhdon të jetë në jetën politike të Kosovës, të cilët në Ditën e presidentit me këto vlera historike u bëjnë nder Ibrahim Rugovës, popullit të Kosovës dhe vetvetes së tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat