Të enjten betohen kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit/ Analistët tregojnë nëse serbët janë duke planifikuar diçka!

Politika

Të enjten betohen kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit/ Analistët tregojnë nëse serbët janë duke planifikuar diçka!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 maj 2023 Në ora: 22:41
Pamje nga veriu i Kosovës

Ditë më parë Erden Atiq, kandidat i VV-së, është betuar në seancën solemne dhe tashmë është kryetar i Mitrovicës së Veriut. E gjitha ka ndodhur në një seancë të shkurtër solemne që u filloi pak pas orës 11:00.

Betimi i tij që ishte shumë i shkurtër, u përcoll me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa betimi u bë në gjuhën serbe.

“Unë Erden Atiq betohem se do të kryej detyrat e mija dhe do ti ushtroj kompetenca e mija si kryetar i komunës veriore, me nder, besnikëri, në mënyrë të pa anshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të siguroj kushtet për një jetë të qetë”- deklaroi ai në momenti të betimit.

Pas betimit të Atiq ka pasur reagime të mëdha nga Lista Serbe dhe politikanët serbë.

E gjatë ditës së djeshme është bërë me dije që të enjten pritet ta kryejnë betimin Ilir Peci si kryetar i ri i Zveçanit dhe Izmir Zeqiri si kryetari i ri i Zubin Potokut. Peci e Zeqiri, procedurën e betimit do ta kryejnë në orën 10:00 në “objekte publike”. Këtë e konfirmoi zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi.

Gjoshi tha se të dy kryetarët do ta bëjnë betimin në objekte publike, duke shtuar se seancat solemne janë thirrë nga asambleistët më të vjetër të dy asambleve, që janë nga radhët e VV-së.

Ndërsa gjithashtu gjatë ditës së sotme betimin e kryetarëve e ka konfirmuar edhe kryeministri Kurti.

Kurti konfirmoi se të enjten do të mbahet ceremonia e betimit të tre kryetarëve komunalë në Veri, atij në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se procesi i betimit të kryetarëve në veri të vendit është normal pas mbajtjes së zgjedhjeve, gjersa tha shantazhet dhe linçimet që ka bërë Beogradi zyrtarë ndaj qytetarëve serbë në Kosovë nuk janë normale.

Mirëpo a do të ketë ndonjë veprim nga Lista Serbe apo serbët?

Ahmeti: Faktori ndërkombëtar duhet ta kuptoj njëherë e përgjithmonë realitetin faktik e juridik të shtetësisë së Kosovës

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai u shpreh se strukturat kriminale nga Serbia do të mundohen të inskenojnë ndonjë rast për ta frymën e mbarëvajtjes së procesit zgjedhur të përkrahur edhe nga ndërkombëtarët.

“Strukturat kriminale të dirigjuar nga Serbia do t’a bëjnë të pamunduren të inskenojnë ndonjë rast për ta zbehur frymën e mbarëvajtjes së procesit zgjedhur të përkrahur edhe nga ndërkombëtarët. Institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë vigjilentë ta krijojnë sigurinë, por nuk mund të krijohet normaliteti jetë gjatë duke vazhduar me masa sigurie të vazhdueshme. Dora e zgjatur e Serbisë duhet njëherë e përgjithmonë të largohet nga Kosova, pasi serbët e Kosovës janë qytetarë me të drejta të plota të shtetit të Kosovës dhe nuk duhet të lejuar të keqpërdoren për interesa politike të Serbisë”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që ndërkombëtarët duhet ia bëjnë me dije Serbisë që Kosova tashmë ka legjitimitet dhe të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e saj.

“Edhe faktori ndërkombëtar duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë realitetin faktik e juridik të shtetësisë së Kosovës. Rrjedhimisht t'ia bëjnë me dije Serbisë së Kosova ka legjitimitet dhe legalitet ndërkombëtar dhe ka të drejtën të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e saj. Bile në atë pjesë ku qytetarët nuk përfillin juridiksionin e shtetit, të përdoret aparati i dhunës legjitime”, tha Ahmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Zgjedhja e kryetarëve në mënyrë demokratike, është hap pozitiv për Kosovën

Ndërsa analisti tjetër politik Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që me largimin e Listës Serbe, tashmë Serbia po mendon edhe eliminimin e saj.

Image
Leon Duhanaj

“Me largimin e subjektit “Lista Serbe” nga zgjedhjet, për mendimin tim Serbia duke u munduar ta sabotoi procesin, ka elemente edhe të ketë marrë hapa për eliminimin e saj toga. Kjo mund të ndodhë, nëse kjo hapësirë e krijuar tashme, të shfrytëzohet nga serbet lokal për ringjalljen, përkatësisht themelimin e subjekteve politike vendore. Duke qenë se komuniteti ndërkombëtarë që nga dita e parë i ka dhënë mbështetje procesit zgjedhor, edhe rezultatit qoftë edhe simbolik, mendoj që ka shanse për të ndërtuar diçka pozitive”, shpjegon analisti.

Në fund, ai theksoi që nuk mund të presim më të mirën prej kryetarëve mirëpo e mira është që i kemi zgjedhur në mënyrë demokratike, atëhere kjo është në favor të Kosovës.

“Pra, kemi zgjedhje, kemi kryetarë, kemi njohje nga ndërkombëtarët dhe e kemi një realitet nga ku tashmë Lista Serbe nuk është akter. Tani, nëse ne presim që këta kryetar vërtetë do të qeverisin me komunat respektive, atëherë pritshmëria nuk kishte me qenë reale. Megjithatë, mendoj që vetë fakti që i kemi të zgjedhur, në mënyrë demokratike, do të jetë në favor të Kosovës. Fuqia e tyre ekzekutive do të jetë në proporcion me votuesit e tyre pra minimale dhe, sipas mesazheve ndërkombëtare do të trajtohen si kryetarë tektik. Megjithatë mendoj që të tillët do të arrijnë të betohen si kryetar dhe se roli i tyre mund të jetë pozitiv”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat