Dorëheqja e djeshme në LDK, analisti “godet” ashpër Abdixhikun dhe Mustafën: Ja pse po ikin figurat nga partia

Politika

Dorëheqja e djeshme në LDK, analisti “godet” ashpër Abdixhikun dhe Mustafën: Ja pse po ikin figurat nga partia

Nga: A.Zh Më: 25 maj 2023 Në ora: 14:08
Faton Bislimi

Faton Bislimi, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook që ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në njoftimin e tij, ai është shprehur i zhgënjyer nga injorimi që ka marrë nga Kryesia e LDK-së, veçanërisht nga kryetari i partisë Lumir Abdixhiku.

Duke komentuar këtë dorëheqje, analisti politik Binak Maxharraj, ka akuzuar Abdixhikun se po vazhdon të injorojë figurat e mirënjohura të partisë, ashtu siç bënte dikur ish-kryetari Isa Mustafa.

Analisti ka thënë se Mustafa, për shkak të interesave të tij personale, lejoi që PDK-ja dhe SHIK-u të ulen këmbëkryq në LDK, duke shkatërruar partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

“Në LDK po vazhdon praktika e Isa Mustafës për injorimin e figurave e mirënjohura dhe afrimin e atyre që dalin nga partitë tjera. Njësoj vepronte edhe ish-kryetari dhe tani kryetar nderi Isa Mustafa, kur injoronte figurat më të fuqishme të LDK-së si në rastin e Vjosa Osmanit, e cila ishte e vetmja që e kundërshtonte Isa Mustafën për shkeljen e qëndrimeve dhe vendimeve të elektoratit dhe votuesve të LDK-së, i cili i mundësoi për interesat e tij personale që PDK-ja dhe SHIK-u të ulen këmbëkryq në LDK, të bashkëpunojë me ta deri në shkatërrimin e LDK-së, që si pasojë pati edhe largimin e Vjosa Osmanit nga LDK. Rrugën e njejtë si duket po e përkrah edhe pasardhësi i tij Lumir Abdixhiku, i cili jo që nuk kërkoi llogari nga paraardhësi i tij (sepse edhe vetë ishte në ekipin e tij) për shkatërrimin e LDK-së, por përkundrazi e avansoi në kryetar nderi të përjetshëm të LDK-së”, është shprehur Maxharraj për gazetën “Bota sot”.

Ai e ka vlerësuar Bislimin, si një figurë të merituar në LDK.

“Faton Bislimi është një figurë e merituar në LDK për kontributin e tij në ndërtimin e LDK-së, figurë e afërt me idealet e presidentit historik Ibrahim Rugovës, themeluesit të LDK-së. Por, ai paska dhënë dorëheqje nga Kryesia e LDK-së. Në dorehëqje, midis tjerash ai thekson: “Kontributi im për vendin dhe interesin kombëtar kanë qenë dhe mbetën rruga e ime e vetme e angazhimit politik. Rugovizmi si djathtizmi autentik kombëtar është fenari im. Kësaj rruge nuk do ti ndahem”.

Më tutje në dorëheqjen e tij ai thekson: “Marrja e këtij vendimi nuk ishte aspak i lehtë! Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të pa arsyeshëm, personalizimit të skajshëm dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike visionit, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmin autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshme apo të tashme, si hisedar e si shërbëtor të partisë: unë zgjodha këtë të fundit, duke dhënë dorëheqje të pa revokueshme nga Kryesia e LDK-së.

Faton Bislimi thekson se edhe më tutje do të mbetet konsekuent idealeve të LDK-së rugoviste, do mbetet një aktivist i devotshëm i saj. “Me gjithë kapacitetin tim do të vazhdoj angazhimin tim për kauzën tonë kombëtare, për idealet e ruajtjes dhe sforcimit të shtetit të Kosovës – sidomos në këtë kohë kritike për vendin – në bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë të njëmendtë në Washington, DC. Përvoja ime në Capitol Hill tash e mbi dy dekada më ka mësuar shumëcka””, ka cituar më tej analisti.

Ai beson që Faton Bislimi do të vazhdojë të forcojë lidhjet në Amerikë.

“Ky njeri ishte dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në diasporën në Amerikë, ai ka krijuar lidhje me shumë miq në Washington DC me përvojën e tij në Capitol Hill, lidhje këto që nuk do t’i shkëpus, por do t’i forcojë edhe më shumë në drejtim të avancimit të tyre”.

Kryetari Abdixhiku, kur u pyet për dorëheqjen e Bislimit, tha se “dorëheqjet e tilla janë të pakuptimta, kur ato vijnë në ditën e shpalljes së zgjedhjeve të brendshme partiake”.

Por, sipas analistit Maxharraj, Abdixhiku po vazhdon në stilin e Mustafës, për injorimin e kuadrove të besueshme të LDK-së, siç bëri ish-kryetari me Vjosa Osmanin.

“Kryetarit aktual Lumir Abdixhiku, sikur nuk i bëri përshtypje aspak, ai prapë vazhdoi në stilin e Isa Mustafës për t’i injoruar kuadrot e devotshme dhe të besueshme të LDK-së, siç bëri Isa Mustafa me Vjosa Osmanin e tani Lumir Abdixhiku me Faton Bislimin, një figurë e majtë emblematike e LDK-së. Kjo më së miri e tregon injorimin e dorëheqjes së Bislimit, duke theksuar se kjo “dorëheqje na qenka e pakuptimtë”, të cilat dorëheqje vijnë me rastin e shpalljes së zgjedhjeve të brendshme në LDK.

Por, Lumiri ishte shumë entuziast kur në LDK i vinin migrantët e ikur nga partitë e tjera si Kica-Xhellili që iku nga Partia “Guxo”, të cilën Lumiri e priti me duar haptas dhe me pompozitet të madh, por edhe ardhja e Aida Dërgutit e rebeluar nga LVV, tashti për Lumirin qenkan më të “zonjat, më të aftat”, se anëtarët e devotshëm të LDK-së, të cilët për sjelljet e tij injoruese po dorëhiqen”, ka shtuar Binak Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat