Tubimi i 26 majit, tendencë për trazira në veriun e Kosovës/ Berisha ngre alarmin pas kërcënimeve të Sheshel-it - mesazh NATO-s dhe SHBA-së

Politika

Tubimi i 26 majit, tendencë për trazira në veriun e Kosovës/ Berisha ngre alarmin pas kërcënimeve të Sheshel-it - mesazh NATO-s dhe SHBA-së

M.Lakna Nga M.Lakna Më 25 maj 2023 Në ora: 16:14
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thirrur si asnjëherë më parë tubimin më të madh të mbajtur ndonjëherë në Serbi. Tubimi që do të mbahet nesër më 26 maj.

Qytetarët serbë të Kosovës janë detyruar nga Serbia që të marrin pjesë në këtë tubim, duke ndërmarr edhe masa të ndryshme për ata që refuzojnë të marrin pjesë.

Ky tubim i organizuar nga Presidenti serb, po konsiderohet si shqetësues nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hisen Berisha.

Berisha në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se protesta e paralajmëruar me 26 Maj, në përkrahje të Vuçiqit dhe Putinit, do jetë hapi i parë drejtë luftës civile në Serbi.

Sipas tij, paralajmërimet për sulme e atentate nga krimineli i luftës Sheshel, përbëjnë shqetësim real për rajonin e me theks të veçantë për veriun e Kosovës.

Image
Hisen Berisha

“Paralajmërimet se do të ketë sulme ndaj Ambasadës së Amerikës, si dhe thirrja për atentate ndaj "tradhtarëve të interesave serbe" nga kryeçetniku e "krimineli i luftës" Sheshel (i amnistuar nga ICJ, për shkaqe shëndetësore), përbën shqetësim real për sigurinë në rajon, përfshi këtu me theks tendencën për trazira në Veriun e Kosovës”, thotë Berisha.

Ndaj, sipas tij, kjo protestë që pritet të eskaloj drejt luftës civile në Serbi, duhet të vë në veprim mekanizmat e sigurisë ndërkombëtare në Botë e rajon.

“Vetëm NATO dhe SHBA mund ta preventojnë një kërcënim të përmasave të tilla rreziku për sigurinë në vendin tonë, në vet Serbinë si kërcënuese e sigurisë edhe në shtetet fqinje dhe gjeneruese e krizave e pasigurisë në rajon”, ka përfunduar Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat