Kosovës i duhet ligji për lustracion - Do të evidentonte bashkëpunëtorët e regjimit të Millosheviqit

Politika

Kosovës i duhet ligji për lustracion - Do të evidentonte bashkëpunëtorët e regjimit të Millosheviqit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 maj 2023 Në ora: 18:15
Foto ilustrim

Ligji për lustracion është kthyer sërish në vëmendje gjatë këtyre ditëve.  

Ky ligj ka të bëjë me pastrimin e figurave me të kaluar të errët që punojnë në institucione.  

Analistët vlerësojnë se Kosova duhet ta bëjë Ligjin për Lustracion në mënyrë që të dihet se kush ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut dhe se kush e ka të kaluarën e errët.  

E nga ana tjetër, veriu po thuhet se është bërë qendër e shërbimeve sekret serbe. Atje situata vazhdon të mbetet në tension nga kriminelët serbë, që kërcënojnë e pengojnë aktivitetet e qytetarëve serbë të Kosovës.  

Njohësit kanë thënë se ky ligj do të evidentonte shkelësit dhe bashkëpunëtorët e regjimit të Millosheviqit.  

Lama: Ligji për lustracioni do të përbënte drejtësi për viktimat  

Ish-ambasadorja Alma Lama, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se vendi ka nevojë për një për një ligj të lustracionit, që do të evidentonte bashkëpunëtorët e regjimit të Millosheviqit por edhe ato të mëhershmit.  

Image
Ish-ambasadorja Alma Lama

“Nuk jam në dijeni që ka pasur një iniciativë të tillë për një ligj të lustracionit në Kosovë, sikurse në plot vende ish-Komuniste. Kjo besoj për shkak të luftës dhe konfliktit edhe më të rëndë ku përfshihet akti i tradhtisë së kombit. Unë vete disa herë e kam ngritur zërin për nevojën për një ligj të lustracionit, që do të evidentonte bashkëpunëtorët e regjimit të Millosheviqit, por edhe ato të mëhershmit dhe të ndalonte angazhimin e tyre në poste publike. Kjo do të përbënte drejtësi për viktimat”, thekson ajo.   

Sipas saj, Kosova e ka të vështirë ta realizojë një gjë të tillë sepse nuk ka dosje dhe arkivat e i ka marrë Serbia.  

“Por Kosova e ka të vështirë të realizonte në praktikë implementimin e një ligji të tillë pasi nuk ka dosje apo arkiva të vetat të asaj kohe, pasi ato i ka marrë Serbia. Dhe mundësia e manipulimit dhe përplasjeve shoqërore e ndëretnike është shumëfish më e madhe. Drejtësia tranzicinale në Kosovë po realizohet për fat të keq duke mos u marrë me krimet e të shkuarës, më pak arrestime e procese gjyqësore, dhe më shumë harresë institucionale”, thotë ajo.  

Duhanaj: Si pasojë e mungesës së këtij ligji, Kosova edhe ashtu e shndërruar në arenë agjenturash  

Analisti Leon Duhanaj, thotë se Kosova po të kishte një ligj të tillë do të qëndronte më mirë si shtet dhe komb.  

Image
Analisti Leon Duhanaj

“Nëse Kosova do ta kishte një ligj të tillë dhe, nëse do të zbatohej në përpikëri,  jam i bindur se shumë me mirë do të qëndronim si shtet dhe si komb.  

Si pasojë e mungesës së këtij ligji, Kosova edhe ashtu e shndërruar në arenë agjenturash, veç sa e bën edhe më të vështirë pasiguria, apo mungesa e informacionit për veprimtarinë e individëve të caktuar në të kaluarën. Natyrisht që njerëzit të cilët kanë një të kaluar të ngarkuar do të duhej trajtuar si çdo qenie njerëzore, përkatësisht të mos jenë të ekspozuar ndonjë aktiviteti represiv”, shprehet ai.  

Sipas Duhanajt, ky ligj do të ndalonte nëse dikush ka të kaluar në kundërshtim me interesin njerëzor, do të merreshin masa.  

Andaj, ai thotë që ligji për lustracion duhet bërë, por duhet të ketë vullnet politik.  

“Por, nëse dikush ka të kaluar dhe veprimtari e cila shkon në kundërshtim me interesin shtetëror dhe kombëtar, atëherë do të duhet të merren masa, në mënyrë që të tillët, të mos kenë të drejtë t'i gëzojnë të gjitha privilegjet e shtetit. Po ashtu të mos kenë të drejtën të angazhohen në sektor të ndjeshëm shtetëror.  Një masë e tillë është demokratike, e praktikojnë të gjitha vendet dhe do duhej praktikuar edhe tek ne. Nuk e gjen edhe një rast të tillë, të paktën në botën demokratike, ku opinionin publik ta dominojnë njerëz, përkatësisht mbetjet e nomenklaturave antikombëtare, siç ndodhë tek ne shqiptarët. Në ketë kontekst, mendoj që ligji për lustracionin duhet bërë, por, për ta bërë këtë kërkohet më shumë bashkëpunim politik e ndërinstitucional, e mbi të gjitha vullnet politik, i cili tek ne është tejet i mangët dhe i çakorduar”, përfundon ai për “Bota sot”.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat