“Kosova vihet para faktit të kryer, serbët do të shpallin ndarjen”, Bytyçi paralajmëron skenarin e keq për Kosovën!

Politika

“Kosova vihet para faktit të kryer, serbët do të shpallin ndarjen”, Bytyçi paralajmëron skenarin e keq për Kosovën!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 25 maj 2023 Në ora: 20:53
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Çështja e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është e vjetër dhe e re. Kështu thotë profesori Enver Bytyçi, i cili shprehet se, pas pranimit të marrëveshjes së Brukselit e aneksit të Ohrit vëmendja kryesore e aktorëve rajonalë e perëndimorë është përqendruar te ky Asociacion.

Sipas tij, diplomatët perëndimorë, siç e thoni edhe ju, po bëjnë presion për ta themeluar Asociacionin me çdo kusht, madje duke e kushtëzuar këtë me plotësimin e kërkesave të marrëveshjes së fundit për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Serbia nga ana e saj bën presion të shtuar ndaj Perëndimit. Përdor agresionin rus në Ukrainë si mjet presioni. Duket sikur hapur e thonë në Beograd se “Nëse nuk plotësohet kërkesa dhe projekti serb për Asociacionin, atëherë do të ketë luftë në Ballkan”! Pra, po përdorin Rusinë dhe ambiciet e saj në Ballkan për të krijuar fillimisht një Republikë Srpska në Kosovë e më pas të ndarjen e saj”, thotë Bytyçi për gazetën "Bota sot”.

Profesori shton se, gjatë raportimit në Komisionin e Jashtëm të Senatit Amerikan, zoti Gabriel Escobar tha se SHBA duan ta krijojnë Asociacionin, me qëllim që të stabilizojnë situatën në veri të Kosovës!

“Por ndërkohë ambasadori amerikan në Beograd, Hill, vazhdon të këmbëngulë për një Asociacion në variantin e projektit serb. Jam skeptik se mund të stabilizohet gjendja në veri të Kosovës duke ndërtuar një strukturë të pavarur e sovrane të serbëve në këtë pjesë të Kosovës. Përkundrazi, një veprim dhe kompromis i tillë do ta thellojë konfliktin, sepse do t’u japë serbëve dhe Beogradit alibinë e mosbindjes ndaj institucioneve të Kosovës deri në mundësimin e shkëputjes prej saj. Dua të jem krejt i gabuar. Por unë besoj se Departamenti i Shtetit ka një projekt tjetër nga ai i Komisionit të Jashtëm të Kongresit sa i përket Kosovës. Kryetari i këtij komisioni e tha sot hapur se nuk beson se në Kosovë nuk do të jetë Asociacioni një lloj Republika Srpska. Pavarësisht kësaj vërejtjeje këshilltari i sekretarit Blinken u përpoq të thotë se nuk është kjo afërsia e Asociacionit me atë të Republikës Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Por Menendez nuk foli pa informacionet e tij. Megjithatë publikisht nuk bëhen debate të tilla”, potencoi ai.

Image
Profesori Enver Bytyçi

Profesori shton se ajo që i la përshtypje lidhet me faktin se tre përfaqësuesit e DASH-it që raportuan në këtë komision i dhanë më shumë vend qëndrimeve pro-serbe.

“Së paku vazhduan me vërejtje dhe rekomandime të njëjta si për presidentin serb edhe për kryeministrin kosovar, duke i barazuar qëndrimet bllokuese të tyre sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Ohrit. Të tilla qëndrime lenë të kuptohet se padrejtësisht tolerohet agresori dhe ai që destabilizon rajonin, ndërkohë që goditet viktima e tij. Gjithkush e di se Serbia është kërcënim për paqen në Kosovë e në të gjithë rajonin. Një anketim i Institutit Amerikan Republikan i kohëve të fundit zbulon faktin se 85 përqind e qytetarëve të Kosovës besojnë se Serbia është shkaktare e destabilizimit kërcënim i paqes në Kosovë”, shton tutje ai.

Sipas tij, sa kohë që vazhdon kjo qasje kërkesat europiane dhe ndoshta edhe amerikane do të jenë për një Asociacion jo kushtetues.

“Në Bruksel janë Lajçak dhe Borrell ata që insistojnë në krijimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, sipas projektit që paraqiti në Bruksel më 2 maj deputetja e Aleksandër Vuçiç. Kurti deri tani ka rezistuar. Ai ka rekomanduar modelin kroat. Por nuk e dimë se cilat argumente ka përdorur ai për këtë dhe sa është i vendosur në këtë projekt që ka paraqitur. Nëse zbatohet modeli kroat për ngritjen e një sistemi për serbët në Kosovë, atëherë Kosova mund të mbrohet nga ajo që thotë Escobar, ndikimi e prania e Beogradit në veri të vendit. Por me një model, çfarë e dëshiron Beogradi, Kosova vihet para faktit të kryer. D.m.th serbët do të shpallin ndarjen nga Kosova, sepse këtë “të drejtë” do ta ushtronin sipas autonomisë që fitojnë”, thotë Bytyçi, i cili shton se, ky fakt dihet.

“Është e njohur se e drejta e vetëvendosjes ka dy elementë zhvillimi, si e drejtë e brendshme, pra brenda institucioneve qendrore të shtetit dhe si e drejtë e jashtme, me të drejta qoftë dhe të pjesshme për sesecion. Projekti serb i Asociacionit u jep serbëve në Kosovë, sidomos në veri, që të kenë edhe të drejta sesecioni. Nëse u jepen këto të drejta me Asociacion serbëve të veriut atëherë nuk duhet të çuditemi kur të vendoset ndarja. Serbët duan të fitojnë edhe autonominë e sigurisë, pa prezencën e policisë, ushtrisë dhe forcave të sigurisë së shtetit të Kosovës”, thotë ai.

Profesori pohon se, këto objeksione duhen kundërshtuar dhe hedhur poshtë me neveri.

“Kurti duhet të vihet kundër kujtdo, edhe atyre që janë miqtë e Kosovës, nëse ata mbrojnë krijimin e një Asociacioni pro-serb, që nesër krijon shanset për ndarjen e Kosovës. Dorëheqja është pak nëse dikush bën përpjekje për ta imponuar një Asociacion të Komunave Serbe në Kosovë që cënon sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit. As Kurti, as Vjosa Osmani, as opozita nuk duhet t’i besojnë asaj që tha zoti Escobar, se Asociacioni paska qëllim largimin e ndikimit të Beogradit të serbët e veriut. Çdokush që e njeh sado pak historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Kosovë e di se Serbia është e vendosur për të realizuar projektet e saj anti-shqiptare. Nuk heq dorë asnjë moment nga kjo, nëse nuk izolohet regjimi i Beogradit”, thotë ai.

Profesori shton se, Kurti, qeveria, presidentja, e gjithë klasa politike duhet të bëhen gardh për ta mbrojtur Kosovën.

“Nëse Europa dhe SHBA vazhdojnë përpjekjet për ta ndarë Kosovën dhe destabilizuar gjithë rajonin, le t’ia bashkojnë vëllazërisë Rama-Vuçiç edhe zotin Thaçin. Le ta lirojnë atë nga Haga e ta sjellin në Kosovë, me qëllim që ta realizojnë projektin serb të shkatërrimit të shtetësisë së Kosovës”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat