SHBA dhe QUINT ndezin alarmin pas tensioneve në veri: Kjo është kërkesa e tyre

Politika

SHBA dhe QUINT ndezin alarmin pas tensioneve në veri: Kjo është kërkesa e tyre

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 27 maj 2023 Në ora: 19:12
Pamje nga veriu

Situata në veri të Kosovës është tensionuar gjatë ditës së djeshme, ku strukturat ilegale dhe serbët në kanë djegur vetura të Policisë së Kosovës, duke u tentuar të pëngojnë punën e kryetarëve të komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

E sipas Drejtuesit të Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, Aleksandër Popov, tensionet në veri të Kosovës, i konvenojnë vetëm presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Vuçiç është tronditur mjaft në terrenin vendor me këto protestat që po ndodhin tash. Ai ka paralajmëruar edhe kundërtubim. Atij, madje, i konvenon që vëmendja të kthehet kah çështja e Kosovës, duke thënë ‘ja, ju tash po e dobësoni Serbinë dhe regjimin, ndërkaq në veri të Kosovës po rrezikohen të drejtat e serbëve’”, tha Popov.

Reagimi i DASH-it

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas tensioneve në veri të Kosovës ku qytetarë serbë u përplasën me policisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”, thuhet në reagimin e DASH.

Edhe QUINT-i me reagim për tensionet në veri

Shtetet e QUINT-it kanë reaguar në lidhje me zhvillimet në veri të vendit, duke dënuar fillimisht vendimin e Kosovës për “të detyruar” hyrjen në ndërtesat e komunave.

Ndërkohë, në reagimin e tyre janë shqetësuar edhe për vendimin e Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së ushtrisë së saj.

Në një komunikatë të përbashkët të Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretësisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i është bërë thirrje Kosovës që të menjëherë të tërhiqet dhe “të koordinohet ngushtë me EULEX dhe KFOR”.

Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes tonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in.” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu, QUINT ka dënuar edhe sulmet ndaj EULEX në Zveçan.

Këto shtete kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe për vendimin e Serbisë që ta ngrisë nivelin e gatishmërisë të Forcave të saj të Armatosura, duke bërë thirrje për “përmbajtje maksimale”.

“Ne jemi të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale, duke shmangur retorikën nxitëse.” – thuhet në fund të komunikatës.

Gjithçka e planifikuar nga Vuçiq

Image
Enver Bytyçi

E profesor, doktor Enver Bytyçi, ashtu si edhe Popov, thotë se gjithçka është e planifikuar nga Vuçiq.

Lista Serbe në Kosovë është sinonim i lëvizjes së Milorad Dodik në Bosnjë-Hercegovinë për shkëputje dhe pavarësi nga ai shtet. Është i njëjti model. Kreu i listës Serbe është një Milorad Dodik i Kosovës. Por në ndryshim nga Dodik, krerët e kësaj liste janë njerëzit më besnikë të Aleksandër Vuçiq. Kreu i Republikës Srpska duket se kohët e fundit ka një lloj konflikti me Aleksandër Vuçiq. Ai shkoi në Moskë dhe u takua me presidentin diktator te Rusisë, Vladimir Putin. Gjithçka ishte një sjellje për t’i dhënë mesazh presidentit të Serbisë, se ai “e ka të pamundur të ndryshojë kursin e Serbisë në drejtim të Perëndimit”! Vuçiq e ka marrë këtë mesazh. Ndërkohë në Beograd kanë shpërthyer protestat për vrasjet makabre që u bënë në dy raste në shkolla. Ishin më shumë se një duzinë viktimash”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, serbët e Kosovës Vuçiq i sheh si lodra në duart e tij.

“Opinioni është sensibilizuar dhe opozita po e shfrytëzon këtë për ta goditur regjimin autoritar të presidentit. Për këtë arsye Vuçiq më 26 maj ka organizuar një demonstrim për mbështetje ndaj tij të qytetarëve serbë. Ka ftuar edhe serbët e Kosovës, të cilët i sheh si lodra në duart e tij. Gjithçka që po ndodh është një demonstrim force. Megjithatë duket se pozitat e Vuçiq janë dobësuar. Ka marrë goditje edhe nga mediat amerikane, të cilat e akuzojnë për lidhje të ngushta të tij, të djalit dhe vëllaut të Vuçiq me bandat dhe grupet kriminale”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se Vuçiq tanimë është në panik, por i rrezikshëm për Kosovën.

Në kushte të tilla presidenti i Serbisë është jo vetëm në dilemë, por në panik. Prej një dekade ka luajtur me Perëndimin, e njëkohësisht me Moskën. Ka bërë lojë të dyfishtë dhe ka humbur besimin e të dy palëve. Duket se ai ndjehet i plagosur rëndë. Dhe derri i plagosur është shumë i rrezikshëm. Në kushtet e luftës për mbijetesë Aleksandër Vuçiq mund të ndërmarrë akte të paprecdenta. Mund të udhëheqë politikën e destabilizimit në veriun e Kosovës. Me këtë rast i bën presion edhe perëndimit, me qëllim që ta tolerojnë në raport me Kosovën në marrëveshjen përfundimtare. Ndaj dhe jo pak diplomat e politikanë euro-amerikanë përkrahin opsionet e Vuçiq për Kosovën. Këtë e bën Lajçak, Borrell, por edhe Escobar e Hill”, shton Bytyçi.

Dhe nëse analizojmë të gjitha këto rrethana, atëherë mund të mendohet lehtë se presidenti serb do ta përdor Listën Serbe në Kosovë që të krijojë një lloj destabilizimi në veriun e vendit. Nuk pritet që të ndodhin konflikte të armatosura. KFOR-i nuk do ta lejonte këtë. Po ashtu stërvitja Defender 2023, në të cilën Kosova ka mobilizuar 1400 ushtarë të saj është një pengesë serioze për planet serbe të destabilizimit të Kosovës. Unë besoj se jo rastësisht kjo stërvitje është planifikuar pikërisht për parandalimin e ngjarjeve destabilizuese në këto kohë të vështira”, shpjegon më tej Bytyçi.

Edhe pse e sheh si ideator Vuçiqin, Bytyçi deklaron se ai e di që konflikti në Kosovë është i pamundur.

Vuçiq si ideator i destabilizimit në funksion të rritjes së autoritetit të tij politik e di se konflikti në Kosovë nuk ndodh. Por ai u jep material argumentues mbështetësve të tij në Bruksel dhe Uashington që të kërkojnë një status autonomie të katër komunave në veri të Kosovës. Do të ketë më pas diplomatë e politikanë indiferentë ndaj çështjes së Kosovës, të cilët do të thonë se “çfarë të keqe paska që serbët në Kosovë të kenë autonomi, madje të zgjeruar“?! Pasi këta nuk thellohen për të mësuar rrënjët e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Kërkesa e Vuçiq do të jetë pikërisht autonomia e serbëve në veri të Kosovës në këmbim të stabilitetit dhe paqes”, nënvizon profesor Bytyçi.

Përballë situatës së tensionuar në Veri dhe përballjes me Vuçiqin, profesor Bytyçi ka një porosi për kryeministrin Kurti.

Ai do të thotë se kjo autonomi do t’i shërbejë atij për të paralizuar “forcat nacionaliste ekstremiste” në Serbi, pavarësisht se ai dhe Lista Serbe janë më radikalët e mundshëm, ngjashëm si forcat policore, ushtarake e paraushtarake të Milosheviçit. Këto qëllime të presidentit të Serbisë jo vetëm duhen njohur. Por edhe duhen atakuar dhe hedhur poshtë me neveri. Nëse nuk e bën këtë Kosova, institucionet e saj, si dhe Shqipëria, gjë që nuk ka shanse, atëherë nuk duhet pritur që ta bëjnë përfaqësuesit e Brukselit dhe të Uashingtonit. Nëse Albin Kurti do të refuzojë me këmbëngulje dhe vendosmëri një asociacion që jep autonomi deri në vendimmarrje paralelisht me institucionet e Kosovës, nuk mundet që dikush nga jashtë ta imponojë një asociacion të tillë. Por kundërshtitë duhen shoqëruar me argumente, fakte dhe prova, të cilat provojnë synimet destabilizuese të Serbisë përmes ndryshimit të kufijve, zgjerimit të territoreve dhe krijimit të asaj që quhet Bota Serbe. Zoti Kurti duhet të këmbëngulë në argumentin se çdo marrëveshje do të duhet të garantojë paqen, stabilitetin dhe sigurinë, që do të thotë të mos cenojë kufijtë, territorin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Deklarata e Popovit, alarm për Kosovën

Image
Drizan Shala

E eksperti i sigurisë, Drizan Shala, deklaron se Vuçiqin synon krijimin e “Botës Serbe”.

Gjendja e sigurisë në katër komunat e Kosovës tani mund të themi që kanë marr epilogun me që tani janë të konstituuar në formën legjitime/legale nga institucionet e Kosovës. Por që sfida për formim të institucioneve tani ka kaluar në një proces tjetër mbajtja dhe forcimi i tyre në nivelin horizontal dhe vertikal me qeverinë qendrore. Protestat e 26 majit në Beograd do të prodhojnë një ndryshim kozmetike politiko shoqëror, që në fakt është vazhdimi i krijimit të Botës Serbe të mbështetur mbi themelet e religjionit”, shprehet Bytyçi.

Më tej, ai thotë se deklarata e Popovit, është një alarm për shtetin e Kosovës, alarm të cilin duhet ta trajtojnë institucionet e sigurisë.

Organet e sigurisë janë duke monitoruar çdo situate atje duke përcjell çdo informacion në kohe reale për të updatum planet operacionale të institucioneve të sigurisë. Kjo deklaratë duhet t’i bej të vetëdishem organet politike por edhe të sigurisë, të jene vigjilent sepse nëse me Beograd do ketë skenar për luftë civile pa qeveri atëherë grupet kriminale në veri të vendit mund të zbatojnë një veprim kundër rendit kushtetues të udhëhequr nga Aleksandër Vulini”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat