E premtja e destabilizimit në veri, si do të funksionojnë kryetarët?

Politika

E premtja e destabilizimit në veri, si do të funksionojnë kryetarët?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 maj 2023 Në ora: 22:36
Pamje nga tensionet që ndodhën në veri

Dita e premte ka rikthyer destabilizimin dhe situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Fillimisht me lëshimin e alarmeve, pastaj me grupimin e disa qytetarëve serbë që ishin mbledhur para ndërtesave komunale në veri të Kosovës për ta penguar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e tyre, për të vazhduar me përleshjet, gazin lotsjellës dhe shok- bomba nga ana e policisë së Kosovës për ta shpërndarë turmën, ndërtesat komunale në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë me policë.

Epilogu i ditës së premte nuk ka mbaruar me kaq, atje gjithashtu janë djegur dhe sulmuar veturat e policisë së Kosovës, ndërsa nuk ka munguar as lëndimi i tyre.

Sipas policisë së Kosovës, pesë policë janë lënduar në Zveçan nga protestuesit.

“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Mirëpo, përkundër përleshjeve e të gjithave, kryetarët u vendosën në zyrat e tyre dhe sipas njohësve të sigurisë, kjo situatë është paralajmëruese se ata do ta kenë të vështirë ta ushtrojnë funksionin e tyre.

Kurse, sipas analistëve politikë protestat janë të inspiruara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Në çdo shtet demokratik të SHBA-së dhe BE-së lejohen protestat paqësore”

Image
Sulejman Mehazi

Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se kriminelët lokalë të Listës serbe dhe Radojçiqit mundohen që me atë të protestave agresive e të dhunshme ta sulmojnë kushtetutën e Kosovës. Qeverinë e kryetarët legjitim shqiptarë.

“Është e qartë se iniciatorë të protestave të dhunshme serbe në veri janë të inspiruara nga vetë presidenti i Serbisë, Vuçiqi, që në bashkëpunim me kriminelët lokalë të Listës serbe dhe Radojçiqit që me fajin e tyre bojkotuan zgjedhjet lokale të komunave në veri dhe nga pikëllimi e revolta e humbjes së komunave me shumicë serbe mundohen me anë të protestave agresive e të dhunshme të sulmojnë kushtetutën e Kosovës, qeverinë dhe kryetarët e ri legjitim shqiptarë të komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Në çdo shtet demokratik të SHBA-së dhe BE-së lejohen protestat paqësore, por nëse ato bëhen të dhunshme ndaj institucioneve shtetërore do të vepronin njësoj sikurse policia e Kosovës”, thekson Mehazi.

Ndaj situatës në veri, kanë reaguar edhe ndërkombëtarët të cilët kanë dënuar veprimet e institucioneve të Kosovës.

Sulejman Mehazi, analist politik thotë se është për t’u habitur reagim i sekretarit amerikan, Anthony Blinken.

Sipas Mehazit, Blinken në vend se të ushqej veprimet kushtetuese të policisë së Kosovës, bën të kundërtën duke ushqyer kriminelët e Vuçiqit e të Putinit për t’u bërë në të ardhmen më agresiv e ekstremist kundër Kosovës.

“Qeveria e Kosovës nuk ka bërë më shumë përveç mbrojtjes të kryetarëve të komunave në veri, është për t'u habitur reagimi i Sekretarit amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili në vend që të përkrahë policinë e Kosovës që mbrojtën fuqishëm kryetarët legjitim të komunave në veri nga kriminelët serbë, bën të kundërtën, dënon ashpër aksionet e Policisë së Kosovës në veri duke përkrahur kriminelët e Vuçiqit. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në vend që të ushqente veprimet kushtetuese të policisë së Kosovës, bën të kundërtën, ushqen kriminelët e Vuçiqit të Putinit për t'u bërë në të ardhmen dhe më agresiv e më ekstremistë kundër Republikës së Kosovës. Në vend që SHBA-ja e BE-ja të përkrahin fuqishëm veprimet legjitime të qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e kryetarëve të komunave në veri, për çudi, ata përkrahin kriminelët e Radojçiqit të Listës serbe. Mos ndoshta SHBA-ja e BE-ja kanë dashur që protestuesit rebelë serbë të hynin lirshëm brenda t komunave në veri për t'i vrarë kryetarët e zgjedhur në këto komuna të veriut?!”, shprehet Mehazi.

“Marrëveshja e Ohrit ishte si garancë që Serbia mos ta pengojë Kosovën”

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërsa, në eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se situata është paralajmërim për kryetarët.

Sipas tij, bota është e shqetësuar për shkak të asociacionit.

“Situata tani e krijuar gjithsesi është një paralajmërim se kryetarët e rinj do ta kenë të vështirë t’i ushtrojnë funksionet e tyre, por mos të harrojmë se për atë pjesë të territorit sovranitetin e saj e garanton KFOR-i, dhe situatën e kanë kuptuar e tërë bota, prandaj edhe jo rastësisht çështja e këtyre komunave si dhe situatës konfliktuoze ishte temë bisede e Senatit Amerikan këtyre ditëve, sepse marrëveshja e Ohrit ishte si garancë që Serbia mos ta pengojë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt pavarësimit të saj si dhe anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare, e që Kosova ta formojë Asociacionin për katër komunat serbe në përputhshmëri me kushtetutën e Kosovës, apo e ngjashme me Asociacionin kroat, e që Serbia nuk po pajtohet dhe po kërkon që të krijohet Asociacioni i ngjashëm me “Republika Srbska” të BH me kompetenca ekzekutive, gjë që për këtë situatë është e shqetësuar bota demokratike në krye me Amerikën dhe shtetet e BE dhe Anglinë, edhe që po kjo Serbi ishte shkaktarja e shume luftëve që i ka krijuar në të kaluarën si me Sllovenin, Kroacinë, Bosnjën, dhe Kosovën, e sidomos kur dihet se çfarë masakra të tëra ka kryer ndaj këtyre shteteve e posaçërisht ndaj shtetit të Kosovës”, deklaron Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat