Largimi i Faton Bislimit/ Analistët flasin për një krizë të thellë brenda partisë – ja pse mund të ketë dorëheqje të radhës!

Politika

Largimi i Faton Bislimit/ Analistët flasin për një krizë të thellë brenda partisë – ja pse mund të ketë dorëheqje të radhës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 maj 2023 Në ora: 08:05
Faton Bislimi

Një nga temat e përfolura këto ditë është dorëheqja e papritur të Faton Bislimit nga Kryesia e LDK-së.

Bislimi ka thënë se dorëheqja është si pasojë e “një injorimi të paarsyeshëm, personalizimi të skajshëm dhe përpjekjeve perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i partisë”.

Bislimi në një letër dërguar kryesisë së LDK-së ka thënë se “partia vetëm po tkurret konceptualisht nën çasjen e kreut të tanishëm”.

“Po ju shkruaj për t’ju njoftuar me vendimin tim për të dhënë dorëheqje nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, efektivisht nga sot. Marrja e këtij vendimi nuk ishte aspak e lehtë! Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit. Zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore”, ishin disa nga fjalët e Bislimit.

Bislimi ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar.

Në zgjedhjet e fundit, ai nuk mori votat e mjaftueshme për t'u ulur në karrigen e ligjvënësit përsëri.

Se që LDK po kalon në një krizë tashmë vetëm se po shihet, pasi e njejta parti ka përmendur edhe zgjedhjet e brendshme të partisë.

A mund të jetë një krizë e cila do të largoj edhe anëtarë të tjerë nga partia?

Qarri: LDK vërtetë po kalon nëpër një krizë të thellë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Ai u shpreh se shumë anëtarë të LDK-së qe një kohë të gjatë kanë pasur detyrime ndaj PDK dhe se ky avaz po vazhdon edhe me kryesinë e re, e që shumë kush më nuk e gjen vetën aty, pasi nuk i lejohet të kenë edhe mendime të tyre.

“Që nga bashkimi ish krerëve të LDK-se, strukturave të PDK-s, për mbrojtjen e atyre, kundër të cilëve tash e një kohë, po zhvillohet gjykimi në Hagë, ka lënë të nënkuptohet dhe dyshohet konkretisht, se disa emra, që ende mbahen si pjesë «domethënëse» e LDK-së, kanë detyrime të pashlyera ndaj PDK-së, e ndiejnë veten filial të PDK-së, ose edhe vet këta e kanë bishtin e zënë, me fajësi ende të pa sqaruara për publikun. Ky avaz po vazhdon edhe me kryesinë e re, ndaj njerzit aktiv si Faton Bislimi, një një parti të amortizuar politikisht si LDK, jo vetëm që nuk e gjenë veten aty, por nuk kanë as hapsirë veprimi, ndaj dhe detyrohen të vet-largohen, nga kjo parti dikur më e madhja në vend. Të cilët para anëtarësimit, LDK-në e ëndërronin këtë parti, si shtëpinë e tyre politike, për çuarjen përpara të shtetit siç ishte tradicionalisht LDK me Dr. Ibrahim Rugovën në krye”, u shpreh ai.

Analisti më tej, thekson që Faton Bislimi ishte njëri ndër anëtarët më aktiv dhe se u detyrua të largohet pasi nuk mundi të realizoj ato se çfarë i duhet politikës e vendit.

“Kjo së fundi ndodhi edhe me Faton Bislimin, njëri ndër anëtarët më aktiv dhe më të zëshëm, jo vetëm në LDK, i cili u detyrua të largohej nga partia e shpresave për realizimin e ëndrrave të tij, jo politike, shtetërore dhe kombëtare, ngase u injorua tërësisht nga pasardhësi i Isa Mustafës, Lumir Abdixhiku, megjithëse Faton Bislimi ndihmoi shumë veçanërisht në SHBA, edhe çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore, të mbetur nën Serbi, prej nga e ka prejardhjen edhe vet kryetari aktual i LDK-së”, shpjegon Qarri.

Nga ana tjetër ai thekson që kjo parti po kalon një krizë të tillë pasi nuk po arrinë të gjej as ide të tjera avancuese.

“Në fakt LDK, pas vdekjes së Dr.Rugovës, ka mbijetuar politikisht më tepër, duke abuzuar me vrasjen e anëtarëve të saj, por fakti se LDK ishte disa herë në pushtet, në aleancë me PDK-në, dhe kurrë nuk ka ngritur asnjë padi, apo kallëzim penal, për vrasjen dhe plagosjen e anëtarëve të saj, emrat e të cilëve i kanë keqpërdorur në mënyrë spektakolare, në fushata zgjedhore, për t`ua shkëputur si me detyrim, votat qytetarëve, tanimë po shihet publikisht, se njerëzit si Isa Mustafa, AgimVeiu, Skënder Hyseni etj, por dhe kryesia ec re, as që i kanë merituar fare. Kështu që kjo parti vërtetë po kalon nëpër një krizë të thellë, gjë që dëshmon se në LDK, nuk kemi të bëjmë më vetëm me injorim nga partia të anëtarëve më prestigjioz të saj, por dorëheqja e papritur e Faton Bislimit, flet për një krizë tejet të thellë, brenda vet partisë, e cila, pas margjinalizimit të vrasjeve politike, të cilat tanimë i janë shpenzuar si ushqim gratis, assesi nuk po arrin të prodhojë ide avancuese dhe as ta gjejë veten në rrethanat e reja politike në vend, alarm ky, që thërret urgjentisht për ndryshime rrënjësore politike dhe reforma të menjëhershme ideore në LDK”, tha Qarri për “Bota sot”.

Haziri: Abdixhiku nuk është se bëri më të mirën që t’i zvogëlonte këto divergjenca që dërgojnë në përplasje të brendshme

Ndërsa analisti politik tjetër Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që LDK ka një përplasje mes brenda partisë dhe se Abdixhiku nuk bëri më të mirën për partinë e tij.

Image
Nexhat Haziri

“Në partitë e mëdha që kanë një bagazh edhe historik të një jetëgjatësie politike siç është edhe LDK-ja e cila tashmë vetëm se i ka kaluar tri dekada, është thuajse normale që të ketë divergjenca në mes atyre që e përbëjnë lidershipin e saj. Por nuk mund të fshehet edhe fakti se brenda LDK-së ka mos pajtime e përplasje në mes grupeve që realisht ekzistojnë dhe kryetari Abdixhiku nuk është se bëri më të mirën që t'i zvogëlonte këto divergjenca që herë pas herë qojnë edhe në përplasje të brendshme dhe mos kordinim as të qendrimeve partiake për çështje të caktuara”, thotë analisti.

Në fund, Haziri thekson që konflikte brenda partisë kemi mirëpo jo diçka që nuk mund të kaloj brenda LDK-së.

“Në anën tjetër jo se cili që është pjesë e kryesisë së partisë mund ta gjejë hapsirën, sidomos disa që mund të presin që të tjerët t'ua krijojnë, dhe kjo më pas mund të manifestohet me paknaqësi e që mund ta ketë bazën edhe të konkurenca, se sa të ndoshta një injorim që i bëhet. Unë nuk e shohë se ka një krizë të pakalueshme brenda LDK-së që mund të prodhojë perplasje të mëdha”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat