“Opozita po e kryen punën e djallit”/ Analistët: Qeveria dhe Policia kanë vepruar drejt në veri!

Politika

“Opozita po e kryen punën e djallit”/ Analistët: Qeveria dhe Policia kanë vepruar drejt në veri!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 28 maj 2023 Në ora: 16:17
Pamje nga veriu i vendit

Të premten që kaloi kryetarët shqiptarë të zgjedhur në komunat me shumicë serbe, u penguan që të futen në zyret e tyre të punës.  

Ata u ndaluan nga serbët lokalë të cilët nisën të gjuanin me gurë në drejtim të tyre. Por, e shpejt ishte ndërhyrja e Policisë së Kosovës, e cila gjuajti gazlotsjellës dhe turmat u shpërndan, duke u revoltuar edhe më shumë, e duke iu kundërvënë edhe Policisë.  

Ky sjellje ngjalli pakënaqësi te ndërkombëtarët. Ambasadori amerikan, ishte i pari që reagoi dhe bëri thirrje që të ndaleshin masat e dhunës, pas tij ishte edhe vet BE-ja e cila tha se dhune është e papranueshme.  

Për këtë reagoi edhe sekratari amerikan, Antony Blinken, i cili bëri thirrë që Kurti të ndryshojë kursin në të gjitha drejtimet dhe të përmbahet nga veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë.  

"Këto veprime i kanë përshkallëzuar tensionet pa nevojë, duke i minuar përpjekjet për të ndihmuar në normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këto veprime do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën.  

Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndryshojë kursin në të gjitha drejtimet dhe të përmbahet nga veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë”.  

Derisa nga ana tjetër Serbia ka ngritur në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të saj, pas trazirave në veri.  

Mehazi: Është e turpshme dhe dashakeqëse të mos përkrahet qeveria e Kurtit me policinë e Kosovës  

Profesori Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se Kurti dhe Policia e Kosovës nuk kanë bërë asgjë më shumë përveç që e kanë mbrojtur Kushtetuën e Kosovës.  

Image
Sulejman Mehazi

Andaj, reagimet, sidomos të opozitës janë më armiqësore sesa të mediave serbe.  

Vetëm ata që janë kundër qeverisë së Kosovës e kritikojnë kryeministrin, Albin Kurti me shpifje të çfarëdo llojshme armiqësore, bile opinionet e partive opozitare të Kosovës duken shumë më armiqësore sesa vetë mediat serbe të Vuçiqit. Është e turpshme dhe dashakeqëse të mos përkrahet qeveria e Kurtit me Policinë e Kosovës e cila hiq më shumë nuk ka vepruar, përveç mbrojtjes së kushtetutës së Kosovës duke mbuluar, barrikaduar e mbrojtur nga protestuesit rebele e të pacipë serbe objektet e komunave dhe kryetarët legjitim të tre komunave të veriut nga kriminelët e Radojçiqave e Vuçiqave”, thotë ai.  

Tutje, ka thënë se edhe SHBA dhe BE do të vepronin njejtë po të sulmoheshin nga rebelët.  

Më tej, thotë se është e turpshme për vetë SHBA-në dhe BE-në që në protestat e dhunshme e agresive serbe në veri të mbrojnë shtetin më gjenocidial në botë. 

Jemi të bindur dhe të sigurtë se dhe vetë shtetet e SHBA-ve dhe të BE-së do kishin vepruar njësoj sikurse policia e Kosovës para protestuesve rebel serbë të cilët dhunshëm terrorizonin policinë dhe kryetarët legjitim të komunave në veri.  Edhe vetë evropianët e amerikanët nuk do lejonin të sulmoheshin institucionet lokale shtetërore njësoj sikurse ka vepruar policia e Kosovës, hiç më shumë e më pak, por do vepronin sipas ligjeve të shteteve të tyre. Kryeministri, Albin Kurti, dhe policia e Kosovës nuk ka bërë asgjë përtej ligjeve të Kosovës, vetëm që ka mbrojtur pragun kushtetues të shtëpisë në veri nga kriminelët serbë, është e palogjikshme, e papranueshme dhe e padrejtë kundërshtimi i BE-së dhe SHBA-së ndaj mbrojtjes së shtëpisë juridike e kushtetuese të Kosovës nga policia e Albin Kurtit. Është e turpshme për vetë SHBA-në dhe BE-në që në protestat e dhunshme e agresive serbe në veri të mbrojnë shtetin më gjenocidial në botë, Serbinë, e të kundërshtojnë, të anashkalojnë e qortojnë veprimet legjitime të policisë së Kosovës”, deklaron Mehazi.  

Elezaj: Ndërkombëtarët duhet t’i japin fund njëherë e mirë, ledhatimeve dhe privilegjeve ndaj serbëve dhe Beogradit zyrtar  

Image
Rexhep Elezaj

Analsiti Rexhep Elezaj, thotë se ata shqiptarë të cilët kundërshtojnë veprimet e policisë së Kosovës ose janë argat të Beogradit, ose bëjnë kritika sa për të thënë diçka.  

Ai ston, se Policia atje ka vepruar drejtë dhe në harmoni të plotë me kompetencat shtetërore në veri.  

Nuk ka asnjë dyshim, se ngjarjet në veri të Kosovës kanë qenë në qendër të vëmendjes së mediave si dhe faktorëve ndërkombëtarë, për faktin se të njëjtit faktorë, BE-ja dhe SHBA-të, janë të interesuara siç edhe po punojnë që sa më shpejtë të vije deri tek normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kështu që, çdo lloj trazire dhe konflikti në veri, pa marrë parasysh se kush e shkakton atë, ata reagojnë ashpër, siç ishte reagimi i djeshëm i ambasadorit amerikan në Kosovë, z. J. M. Hovenier si dhe ai i përfaqësueseve të BE-së.  

Ndërsa, ata shqiptarë apo subjekte politike që i kanë kundërshtuar veprimet e policisë së Kosovës dje në veri, ose janë argat të Beogradit, ose bëjnë kritika sa për të thënë diçka, pa qenë të vetëdijshëm se po e bëjnë punën e djallit..!?  

Natyrisht, se qeveria e Kosovës dhe organet policore të saj kanë vepruar drejtë dhe në harmoni të plotë me kompetencat shtetërore në veri, ngase sado që serbët lokalë dhe Beogradi zyrtar po përpiqen ta okupojnë këtë pjesë të territorit legjitim të Kosovës, veriu është dhe mbetet pjesë integrale dhe e pandashme e shtetit të pavarur të Kosovës, ku dje policia e saj ka vepruar plotësisht mbi bazat legjitime, duke e ndihmuar betimin dhe marrjen e detyrave të tre kryetarëve të rij, në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, por të cilët u penguan nga serbët lokalë”, nënvizon ai.  

Derisa, për reagimin e SHBA-ve dhe BE-së, është befasuese sepse ata më parë deklarun se zgjedhjet në veri janë legjitime.  Me këtë rast, SHBA duhej të reagonte asjpër ndaj ssjelljeve vandale të grupeve kriminale serbe.  

Ndaj, këtu duhet cekur patjetër reagimin e përfaqësuesve të SHBA-ve, i cili, përveç se ishte i ashpër, njëkohësisht ishte shumë befasues për shqiptarët e Kosovës, kur dihet, se hiç më larg se para disa ditësh, miqtë tanë amerikan, deklaruan se zgjedhjet lokale në veri ishin legjitime për ta, se kryetarët e posa zgjedhur duhet pa pengesa t’i marrin detyrat e tyre, etj., derisa dje kur tre kryetarët u penguan nga serbët lokalë që betimin ta bëjnë në ndërtesat e komunave ku ishin zgjedhur, ata u detyruan që betimin ta bëjnë jashtë tyre, e që kjo ishte një presedan në vete, ndaj detyrat e tyre i morën nën mbrojtje të policisë, dhe për këtë veprim nuk kishte asnjë arsye që të reagonin aq ashpër..!?   

Përkundrazi, ata do duhej të reagonin ashpër ndaj sjellëve vandale të grupeve kriminale serbe, të cilët dje i sulmonin me gurë policët shqiptarë, madje ua dogjën dhe shkatërruan disa automjete të policisë, si huliganë dhe destabilizues të jetës dhe funksionimit normal të shtetit të Kosovës në tërë territorin e saj integral dhe të pandashëm..!?  Pra, ndërkombëtarët duhet t’i japin fund njëherë e mirë, ledhatimeve dhe privilegjeve ndaj serbëve dhe Beogradit zyrtar, po qese duan që edhe në veri të Kosovës të sundojë ligji dhe jeta normale e qytetarëve, pa marrë parasysh se cili minoritet jeton në atë pjesë të vendit..!”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat