Alarmi pas zhvillimeve dramatike në veri/ Këto janë dy rrugët e vetme që e presin Kosovën

Politika

Alarmi pas zhvillimeve dramatike në veri/ Këto janë dy rrugët e vetme që e presin Kosovën

Nga: Petrit Rudi Më: 28 maj 2023 Në ora: 19:20
Pamje nga Veriu i Kosovës

Situata në veri të Kosovës gjatë javës së fundit përsëri është tensionuar. Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.

E më 26 maj, grupe të serbëve lokalë si dhe struktura paralele kriminale serbe, kundërshtuan shkuarjen në zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, ku pati hedhje të gazit lotësjelles, qitje me armë si dhe kallje të veturave të Policisë së Kosovës.

E krejt këto ngjarjet në veri të Kosovës, sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, janë vepër e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Image
Enver Bytyçi

“Nuk ka asnjë dyshim se ai është skenarist dhe regjisor i veprës së tij politike për manipulimin e serbëve në Kosovë. Për këtë qëllim Vuçiq operon me terma dhe nocione nacionaliste të llojit të Milosheviçit, madje shpesh herë imiton identikisht ish shefin e tij të shtetit”, shprehet Bytyçi, sipas të cilit, për të përballuar këtë situatë ka vetëm dy rrugë dhe dy mundësi.

“Njëra lidhjet me praktikën e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, të cilët thonin “E dinë aleatët”! D.m.th. do të duhej që qeveria e Kosovës të vazhdonte të mos ekzistonte në territorin e shtetit në veri të vendit. Kjo rrugë do të konsolidojë pa mëdyshje sovranitetin e Serbisë në komunat e veriut. Dhe këtë fakt e njohin në Uashington e kryeqytetet e tjera të Evropës dhe ata megjithatë e pranojnë. Nuk e di pse e pranojnë! Ndoshta besojnë se një ditë do ta detyrojnë Beogradin të heqë dorë e të largohet nga ambicia për aneksimin e kësaj pjese të Kosovës. Por ndoshta edhe kanë në plan që t’ia japin Serbisë këtë pjesë territori të vendit. Këtë nuk e di askush. Deklaratave u besojnë vetëm mediokrit”, deklaron Bytyçi.

“Rruga e dytë është ajo që ndodhi para dy ditësh. Pra që qeveria dhe institucionet të jenë prezent dhe ta shtrijnë sovranitetin e tyre në veri të vendit. Në opsionin e parë, serbët dhe Serbia bëhen hisedarë në Kosovë. Në opsionin që zbaton qeveria dhe institucionet Serbia mbetet me ndikim në Kosovë përmes vetos në parlament dhe formave të tjera. Por jo edhe në pikëpamje të ushtrimit të pushtetit të saj në një pjesë të territorit”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Siç thotë Bytyçi, pikërisht këtë efekt negativ kërkon ta evitojë qeveria e Kosovës.

“Prandaj dhe ajo, së bashku me policinë, mundësoi akomodimin në zyra të kryetarëve të rinj të zgjedhur”.

Por a është protesta e serbëve dhe bojkoti i tyre një kurth për Kosovën?

“Sigurisht që gjithçka që serbët dhe Serbia bëjnë në Kosovë është lidhëse me kurthe e pusi. Nuk dinë serbët të bëjnë ndryshe. Ata nuk mund ta fitojnë asnjë betejë në mënyrë të ndershme. Intriga, kurthet, goditja prapa shpine, pandershmëria janë tiparet themelore të sjelljes së Serbisë ndaj popujve të tjerë jo-serbë e sidomos ndaj shqiptarëve. Ka ardhur koha që ne shqiptarët t'i përballojmë këto kurthe e intriga. Mbi një shekull i kemi soditur kurthet dhe intrigat serbe që kanë rezultuar me masakra e gjenocide kundër nesh. Tani duhet të mësojmë t’i përballojmë me dinjitet”, deklaron Bytyçi.

Ai thotë se Kosova duhet të rezistojë përballë provokimeve dhe kurtheve serbe.

“Kosova nuk bien ë kurthin serb, kur ajo mbron të drejtën e saj shtetërore, kushtetutën, ligjin, sovranitetin dhe tërësinë territoriale. E kundërta është e vërtetë. Nëse Kosova nuk do t’i mbronte këto atribute shtetërore, atëherë do të binte në kurthin e Aleksandër Vuçiq. Dhe Kosova duhet të vazhdojë të rezistojë. Pavarësisht se në krah të armikut të saj të betuar, pra në krah të Aleksandër Vuçiq, është e vazhdon të jetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Duhet të rezistojnë institucionet e Kosovës edhe pse sekretari i Shtetit Amerikan kërcënoi për pasoja në marrëdhëniet me SHBA-të. Por nuk ka arsye të zhvillojë ndonjë retorikë anti-amerikane edhe, pse Blinken kaloi në retorikën anti-kosovare!”, nënvizon Bytyçi.

“Mbështetja e faktorit ndërkombëtare është shumë e rëndësishme. Por nëse ndonjë aleat i Kosovës bëhet palë me Serbinë kundër Kosovës, atëherë nuk ka më hapësirë për të llogaritur mbështetjen e këtij aleati, qofshin këto edhe SHBA-të. Fatkeqësisht unë shoh se nuk ekziston më Amerika e George S. Bush, e Bill Clinton dhe George W. Bush. Është Amerika e Barak Obamës, politika e të cilit solli këtë situatë qëndrimesh jo miqësore në marrëdhëniet midis Kosovës dhe segmenteve të caktuar të politikës e diplomacisë amerikane”, shpjegon Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi shprehet se për momentin Kosova si aleatin më të madh në Evropë e ka Britaninë e Madhe.

“Megjithatë është fat i madh se ka aleatë të tjerë në Evropë, para së gjithash Britania e Madhe, të cilët qëndrojnë fort në krah të Kosovës. Prandaj dhe besoj se ka shpresë edhe në një rikthim të qarqeve të caktuara amerikane në mbështetje të Kosovës. Ndërkohë më duhet të them se shumë amerikanë e kritikuan qëndrimin e zotit Blinken në deklarimin e së enjtes kundër Kosovës. Ishte kjo me një domethënie të madhe. Më tej, senatori Menendez kërkoi hapur që të mos i bëhej trysni Kosovës, pse Blinken kërkon një sukses në Ballkan”.

Ai paralajmëron se serbët do të vazhdojnë provokimet ndaj Kosovës.

“E përsëris: Autoritetet e Kosovës duhet të mbështeten te ajo pjesë e Amerikës, e cila ende beson në vlerat për të cilat u angazhuan presidentët Bush dhe presidenti Clinton! Nëse e bëjnë këtë me zotësi e profesionalizëm politik e diplomatik, kryeministri, presidentja, ministrja Gërvalla e të tjerët do t’ia dalin që t’i mposhtin përpjekjet e Serbisë e të presidentit të saj, Vuçiq, për destabilizimin e Kosovës dhe imponimin e politikave serbe në këtë vend. Unë nuk shoh të ketë vend për pesimizëm. Por duhet ruajtur gatishmëria dhe vigjilenca në veri. Serbët do të vazhdojnë të provokojnë. Kjo për arsye se ata duan të përfitojnë atë që quhet Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se Aleksandër Vuçiq ndodhet nën presionin e protestave të fuqishme në Serbi.

“Mundet që këto protesta të jenë të orkestruara nga Rusia. Dhe kjo është një gjë e keqe për Serbinë e Perëndimin. Por për mua, derisa Kosova të zë vend në OKB, do të doja që Serbia të vazhdojë të jetë aleate e ngushtë e Moskës. Në këtë rast Perëndimi do të angazhohej shumë më fort për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës! Ndërkaq nuk besoj se Vuçiq është një udhëheqës perëndimor, as nga karakteri, as nga principet, as nga vokacioni. Ai është një ndër mashtruesit më të mëdhenj të perëndimit”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat