Mesazhi që Stoltenberg dërgoi me deklaratën e fundit – ja çfarë paralajmërohet!

Politika

Mesazhi që Stoltenberg dërgoi me deklaratën e fundit – ja çfarë paralajmërohet!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 maj 2023 Në ora: 12:35
Jens Stoltenberg

Situata në veri të vendit edhe sot ka vazhduar të jetë e tensionuar.

Protesta, gaz lotsjellës, deklarata të shumta i kanë përcjellë ngjarjet e veriut edhe gjatë ditës së sotme.

E në lidhje me këto ngjarje kanë reaguar edhe ndërkombëtarët, duke kërkuar qetësi dhe mos eskalim të situatës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kanë kërkuar nga Kosova që të shtensionojë situatën dhe të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues”.

Stoltenberg tha se ka biseduar me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, lidhur me situatën në Kosovë, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Bisedova me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, lidhur me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, Borrell tha se mirëpret koordinimin e mirë midis misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) me KFOR-in për të ofruar mjedis të sigurt në Kosovë.

Mirëpo a po keqinterpretohen veprimet e Kosovës?

Tërnava: Kurti nuk i ka bërë këto veprime "krye në veti", pa u konsultuar me ata të fortit

Image
Hajrullah Tërnava

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Ai u shpreh se para se të ndodhte e gjithë kjo situatë në veri të vendit, kryeministri Kurti ka pasur përkrahjen e ShBA-së, mirëpo që tani mund të themi se kryeministri nuk ka mundur të ndërmearrë veprimet e fundit pa u konsultuar me të fortit.

Politikat, sikur janë duke u zhvilluar në rrethana të tilla të tanishme mes Serbisë dhe Kosovës, e që po i ndërmjetësojnë ndërkombëtarët në krye me Amerikën. Në këto rrethana të tanishme, për shumkë është e vështirë t’i kuptojnë, sepse efektin e diplomacisë, çdokush edhe s’mund ta kuptojë, e sidomos tani në këto rrethana. Para pak ditesh përfaqësuesit shtetërorë të Amerikës u deklaruan se kurrë nuk kanë pasur një përfaqësues të Kosovës, sikur tani Kryeministrin Kurti, që është bashkëpuntor më i mirë dhe i kuptushëm, dhe tani për ngjarjet e fundit që kryeministri Kurti mori kritika atëhere na lë të kuptojmë që vet Kurti në krye në veti s'i ka bërë keto veprime, pa u konsultuar me ata të fortit që e këshillojnë apo i japin urdhëra për veprime të tilla”, u shpreh ai.

Ndërsa sa i përket deklaratës së Stoltenberg, Tërnava u shpreh se është një gjuhë diplomatike që lë shumë për t'u nënkuptuar, dhe dërgon mesazhe për ta mbajtur baraspeshën e këtyre bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës.

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se ka biseduar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrellin për situatën e krijuar në Kosovë. Stoltenberg, thotë se Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë, siç tha ai, hapa të njëanshëm destabilizues. Edhe të thënat e Sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, janë një gjuhë diplomatike, që lënë shumë për t'u nënkuptuar, dhe dërgojnë mesazhe për ta mbajtur baraspeshën e këtyre bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës. Më në fund Kryeministri Kurti për herë të parë ka vepruar si një kryeministër i një shteti real i cili e ka jetësuar Kushtetutën e Kosovës në të gjithë kufijtë e saj. Sepse në ato komuna janë valvitur vetëm flamuj të Serbisë, prandaj me këto veprime sikur u shpjegua tani, Kosovës po i vjen era shtet, dhe me këto veprime dhe të tjera që do të pasojnë, edhe ato komuna do të jenë nën jurisdikcionin e shtetit të Kosovës”, tha Tërnava për “Bota sot”.

Burjani: Kurti urgjentisht duhet të flasë me pakicën serbe në veri, të hapë mundësinë për dialog

Image
Blerim Burjani

Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që veprimet e fundit të Qeverisë kanë bërë që bashkësia ndërkombëtare të jetë kundër saj.

Sipas tij duhet të bëhet një zgjidhje politike.

Veprimet e tilla janë të panevojshme, ka pasë edhe mënyra shumëfish më ndryshe, pra, në ndërtesat komunale nuk mund të mbahen kryetarët nën roje të policisë dhe të ushtrohen detyrat e kryetarëve nën kujdes policor, duhet zgjidhje politike. Qeveria e Kosovës duhet të mos merret me politikë jo pragmatike, këto veprime e kanë shtyrë tërë bashkësinë ndërkombëtare të pozicionohen kundër Kurtit. Kosovës i është bërë dëm i madh, njohja e zgjedhjeve nga Perëndimi ishin thjesht formale mirëpo jo edhe e sinqertë, kjo u bë duke lënë të bejë hapa të gabueshëm ishte thjeshtë lloj kurthi politik”, u shpreh ai.

Juristi më tej, thekson që, nëse Kurti vazhdon të mos ketë përkrahje nga ndërkombëtarët, atëherë, që të mbetet në këtë pozitë, i duhet vetëm të themelojë Asociaiconin.

Kryeministri i Kosovës nuk përkrahet nga bashkësia ndërkombëtare; nëse vazhdon të mbesë Kurti në pozitën e kryeministrit, Kosova do të ballafaqohet me presion dhe izolim total deri në zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo nëse themelon Asociacionin ai mund të mbetet në pozitë. Vërejtjet ndërkombëtare janë thelbësore dhe nuk mund të korrigjohen, kjo do të thotë se të jesh lider i një vendi nuk je lider absolut dhe se siguria globale nuk varet nga lideri por varet nga i gjithë lidershipi ndërkombëtar”, shpjegon juristi.

Në fund, Burjani thotë që Kurti urgjentisht duhet të flasë me pakicën serbe në veri, të hapë mundësinë për dialog.

“Pra, lidershipi botëror merret me paqen, sigurinë dhe stabilitetin, askush sot në botë nuk të lë të bësh veprime që rrezikojnë paqen. Kurti urgjentisht duhet të flasë me pakicën serbe në veri, të hapë mundësin për dialog, të hapë mundësinë objektive për dialog, nëse veç mund të bindë këtë pakicë më për dialog”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat