“Veriu, ‘peshqesh’ për Serbinë hegjemoniste”/ A është kjo prapavija e deklaratës së Ramës për zhvillimet në veri të Kosovës?

Politika

“Veriu, ‘peshqesh’ për Serbinë hegjemoniste”/ A është kjo prapavija e deklaratës së Ramës për zhvillimet në veri të Kosovës?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 maj 2023 Në ora: 08:07
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama

Situata e krijuar në veri të Kosovës pas vendosjes së kryetarëve në katër komuna, përveç që nuk është pritur mirë nga ndërkombëtarët, nuk është përkrahur as nga Shqipëria.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar duke thënë se me miqtë ndërkombëtar për të mos vazhduar tutje në këtë “shteg jo vetëm të rrezikshëm, por edhe krejt të panevojshëm”.

Për veprimet e autoriteteve kosovare, kryeministri shqiptar tha se kjo nuk i ndihmon shtetit kosovar në procesin për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar! Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”- ka shkruar kryeministri Rama në rrjetin social “Twitter’.

Analistët thonë se kryeministri shqiptar është dashur të reagojë më pozitivisht, mirëpo sipas tyre, ai ka vendosur të bëhet peshqesh Serbisë hegjemoniste.

Mulliqi: Rama, nuk po heq dorë as nga Ballkani i Hapur

Skënder Mulliqi, analist politik, thotë se çdo shtet demokratik në aso rastesh do të vepronte sikurse Kosova.

Image
Skënder Mulliqi

Sipas Mulliqit, Rama po hiqet si politikan i kalibrit të madh me deklarimet e tij.

“Të mos puqesh me asnjë vendim të qeverisë të Kosovës, për ta shtrirë sovranitetin në veri, duke mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetushmërinë, këtë gjë e bënë vetëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të themi që nuk është shumë i vëmendshëm me deklarimet e tij politike nuk është shumë e besueshme, se Rama po hiqet si politikan i kalibrit të madh. Incidentet e fundit të shkaktuara nga strukturat kriminale serbe, të drejtuara nga Rakiq, Radojçiq e Vuçiqi po bëhen krejt pas luftën për të vetmin qëllim, ndarjen e veriut të Mitrovicës nga jugu, apo edhe më shumë. Këta kriminelë po shkaktojë incidente të rënda më bomba, më djegien veturash, plagosje dhe vrasje të policëve të Kosovës. Kështu ndodhi edhe më 26 maj kur këto struktura kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, i penguan kryetarët e ri të komunave të hynë në vendet e tyre të punës. Natyrisht se çdo shtet demokratik në këto raste do të reagonte, kështu bëri edhe shteti ynë. Këtë vendosje të ligjshmërisë nuk e pëlqyen ndërkombëtarët, të cilët këto vite të fundit, sidomos pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, që e kam thënë bukur shpesh, janë vë në përkrahje të Serbisë në bisedimet të cilat po zhvillohen. Dihet tashmë për reagimet e BE-së dhe Amerikës, lidhur më situatën eskaluese në veri , më direktivat e shovinistit serbomadh, Aleksandër Vuçiqi, të cilat reagime për çudi ishin në krahë të politikës serbe”, shprehet Mulliqi.

Kryeministri i Shqipërisë, sipas Mulliqit, më shumë e mbron ideologjinë sesa kombëtarizimin.

“Kosova lirinë dhe pavarësinë e fituan me ndihmën e miqve tanë , e për habinë e të gjithëve këta zëshëm po kërkojnë implementimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, më kompetenca ekzekutive, që është kundër multietnicitetit të shtetit të Kosovës, të cilën vetë e kanë pranuar. Të kalojmë edhe pak të deklarimi i fundit të Edi Ramës. Duket se kryeministri i Shqipërisë, më shumë po e mbron ideologjinë sesa kombëtarizimin. Po të kishte guximin është krijuar përshtypja së do të kishte vu lidhje edhe shumë më vëllazërore e të forta më presidentit serb, Vuçiq, i cili nuk besoj që urren ndonjë popull më shumë se sa shqiptarët. Këtë gjë e dinë mirë edhe Edi Rama, i cili nuk po reshtë të përkrahë politikat e Vuqiqit në rajon. Rama, nuk po heq dorë as nga Ballkani i Hapur, ide kjo të cilën shovenistët serbë po e kamuflojnë për t’i arritur synimet e politikave të tyre ekspansioniste ndaj tokave shqiptare, e as që e kanë dert qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve”, pohon Mulliqi.

Ai deklarimin e Ramës e quan skandaloz, gjersa shton se ka pasur mundësi që reagimi i tij të jetë më pozitiv.

Sipas Mulliqit, deklarimet e Ramës vetëm e sforcojnë Serbinë.

“Deklarimi i Ramës rreth ngjarjeve në veri ka qenë skandaloz. Ka mundur ky reagim të jetë shumë më ndryshe, më pozitiv nëse ai ka menduar në maturinë politike. Asnjë fjalë të vetme nuk e foli ndaj strukturave kriminale serbe në veri, të cilët haptazi duke mos zgjedhur mjete dhe metoda janë vendosur kundër pavarësisë të Kosovës. Nëse jemi shtet i pavarur, duhet të mbrohet ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e vendit. Rama në mes tjerash tha se situata e djeshme nuk i ndihmon Kosovën. Atëherë shtrohet pyetja, se kush e krijojë një situatë të tillë eskaluese më plotë incidente? Këtë e bëri Serbia e Vuçiqit me shërbimet sekrete dhe me bandat e saja, e jo Kosova. Deklaratat e tilla në vazhdimësi të Ramës, vetëm sa e sforcojnë Serbinë, që të vazhdon këtë politikë brutale deri në fund, për arritjen e objektivit për ndarje të Kosovës. Ky qëndrim i tij, jo qe nuk i ndihmon shqiptarët e proceset pozitive në Ballkan, por është thikë pas shpine Kosovës dhe të ardhmes të saj”, thekson Mulliqi.

Qarri: E pakuptimtë të reagohet kaq ashpër

Image
Gani Qarri

Në anën tjetër, Gani Qarri, analist politik reagimet ndaj situatës në veri i quan të çuditshme.

Sipas tij, këto reagime kanë për qëllim lejimin e gllabërimit, qoftë me apo edhe pa asociacion, të veriut të Kosovës nga Serbia hegjemoniste si dhe ndarjen përfundimtare të Kosovës.

“Në fakt, duket se reagimet më të reja dhe tërësisht të çuditshme të SHBA-ve, vendeve të QUINT-it, dhe përfaqësuesve të shteteve më të fuqishme evropiane, si dhe zhargitja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me ndryshimin e kushteve të dialogimit, duke hequr njohjen e ndërsjellë nga tavolina, dhe futur formimin e "zajednicës", si kusht primar, për vazhdimin e bisedimeve, na bënë me dije publikisht, se ndërmjetësuesit e bisedimeve dhe përfaqësuesit ndërkombëtar, kanë për qëllim, lejimin e gllabërimit, qoftë me, apo edhe pa asociacion, të veriut të vendit tonë nga Serbia hegjemoniste, si dhe ndarjen përfundimtare të Kosovës!

Përndryshe është shumë e pakuptimtë, të reagohet në këtë mënyrë kaq të ashpër e plotësisht të paarsyeshme, vetëm për shkak të vendimit të shtetit tonë, që kryetarët e sapo-betuar të komunave në veri të Kosovës, të fillojnë ushtrimin e mandatit të tyre, sipas ligjit dhe Kushtetutës në objektet komunale që nuk janë shtëpi private por objekte të shtetit tonë, që u keqpërdor nga vagabondët serb, të porositur nga Vuçiqi, për protesta dhe barrikadim, ku mbetën 5 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të lënduar dhe disa vetura të dëmtuara.

Por, përkundër të gjithave sa ndodhën nga mercenarët e Vuçiqit, në vend se të dënoheshin veprimet e dhunshme të bandave kriminale serbe, të cilat u shkaktuan lëndime trupore, pesë policëve të Kosovës, për çka policët e shtetit, janë detyruar të vetëmbrohen, duke mos lënduar asnjë pjesëtar të pakicës serbe, gjë që mund ta bëjë vetëm një polici e mirë përgatitur dhe shumë profesionale, megjithatë Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, na habiti jashtë mase, të gjithëve duke u shprehur se SHBA, nuk dënon veprimet e banditëve serb, por të drejtën e autoriteteve tona shtetërore, për të hyrë në ndërtesat komunale në veri, të cilat janë pasuri e Republikës së Kosovës.

Për aq më tepër, ashtu siç shprehet edhe presidentja e Kosovës, zonja Vjosa Osmani, Serbia vijon instrumentalizimin e pjesëtarëve të pakicës serbe në veri për të krijuar vakum institucional dhe klimë të frikës dhe pasigurisë së përgjithshme, përmes strukturave kriminale të Radojçiqit, të orkestruara nga Vuçiqi, të cilat kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit tonë, të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe Kushtetutës, gjë që e dinë mirë dhe shohin në mënyrë të përditshme edhe vet ndërkombëtarët”, shprehet Qarri.

Qarri shpreh habi ndaj reagimeve, duke shtuar se ato ishin të tilla sikur në veri të Kosovës të ishte kryer vërtet ndonjë masakër apo tragjedi me përmasa kastrofale ndaj popullsisë civile.

Sipas tij, Rama është premtuar t’i bëhet peshqesh Serbisë hegjemoniste.

“Prandaj habit shumë fakti, se si mund të shfaqen reagime të tilla, sikur në veri të Kosovës të ishte kryer vërtetë ndonjë masakër apo tragjedi me përmasa katastrofale ndaj popullsisë civile, gjë që, fatmirësisht nuk ka ndodhur, madje reagime të tilla habitore, vinë edhe nga kryeministri i vendit amë, prej nga, të paktën, do të duhej të shprehej një mbështetje sado modeste për shtetin e ri të Kosovës, i cili është në territorin dhe të drejtën e vet legjitime. Reagime po kaq të habitshme, çuditërisht pati edhe nga ana e QUINT-it, me shprehje të ashtuquajtura "dënimi" për veprimet e autoriteteve kosovare, që ishin plotësisht ligjore, sikur kryetarët e komunave veriore të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të dalë nga zgjedhje të pranuara edhe nga QUINT e SHBA, të kishin thyer kufijtë shtetëror dhe mësyrë të futeshin me dhunë në Serbi dhe jo në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, i cili është territor dhe pjesë integrale e Republikës së Kosovës.

Madje, edhe përkundër sqarimit të kryeministrit Kurti për situatën në veri, se pavarësisht që ai i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët, çdo opsion tjetër do të ishte në kundërshtim me obligimet kushtetuese, vetëmbrojtja e policëve të Kosovës nga vet ambasadori i SHBA-ve Hovenier u cilësua, si veprim i dhunshëm, që duhet të ndërpritet menjëherë”, gjë që flet hapur, se çështja nuk ka të bëjë më, vetëm me kryetarët e komunave veriore, por pikërisht me territorin e vendit tonë në veri të Kosovës, që duket se edhe nga miqtë tanë, në koordinim me opozitën intrigante kosovare dhe Edvin Kristaq Ramën, i është premtuar t’i bëhet peshqesh Serbisë hegjemoniste, nëse opozita e çmendur nuk ndryshon qasje, dhe në vend të mbështetjes së Vuçiqit, mbështet Qeverinë e vendit, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe shtetit të Kosovës!”, shton Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat