“Kjo është e tmerrshme”, avokati serb mbështet fuqishëm Kosovën pas ngjarjeve në veri - kërkon rrëzimin e Vuçiqit nga pushteti

Politika

“Kjo është e tmerrshme”, avokati serb mbështet fuqishëm Kosovën pas ngjarjeve në veri - kërkon rrëzimin e Vuçiqit nga pushteti

Nga: A.M. Më: 30 maj 2023 Në ora: 13:21
Zveçan, 29 maj 2023.

Që nga 26 maji, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur, pas hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Serbët po protestojnë edhe të martën për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë, por edhe për të kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Avokati serb, Cedomir Stojkoviq në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi ngjarjet e fundit në veri.

Fillimisht, ai u shpreh se të gjitha këto trazira në veri po ndodhin për shkak të Vuçiqit dhe politikës së tij, ku i ka urdhëruar serbët në Kosovë për të bojkotuar zgjedhjet.

“Situata në veri të Kosovës është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës së Aleksandër Vuçiqit, i cili urdhëroi serbët e veriut të Kosovës të bojkotojnë zgjedhjet, kështu edhe ata vepruan. Ditën e zgjedhjeve e kam ditur menjëherë se urdhri i bojkotit ka ardhur nga Vuçiqi, por sot serbët nga Kosova sapo kanë pranuar se urdhri ka ardhur nga Beogradi, dhe kjo do të thotë nga Aleksandar Vuçiq. Kjo tregon dy gjëra, së pari se Aleksandar Vuçiq nuk e respekton demokracinë dhe se nuk i intereson interesat e serbëve në Kosovë, dhe pastaj se demokracia në mesin e serbëve në Kosovë fatkeqësisht nuk është e mundur përderisa ndikimi i kësaj qeverie nga Beogradi është aq i fortë në mesin e serbëve të Kosovës. Nuk kishte asnjë arsye reale për bojkotimin e zgjedhjeve, veçanërisht jo për shkak të "Bashkësisë së Komunave Serbe", siç shpjegohet”, deklaroi avokati serb.

Image
Avokati serb, Cedomir Stojkoviq

Stojkoviq tha se ky është poltësisht një plan i Vuçiqit, me qëllim që të mos zbatojë marrëveshjen e Ohrit, për të cilën është pajtuar, por që të njëjtën nuk e ka nënshkruar.

“Kur e dimë se Aleksandar Vuçiq refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen në Ohër në njërën anë dhe se nga ana tjetër urdhëroi serbët në Kosovë të bojkotojnë zgjedhjet - gjithçka duket se ky ishte plani i Aleksandër Vuçiqit që në fillim, të pengojë zbatimin e marrëveshjes për Ohrin, gjegjësisht të pajtohet me bashkësinë ndërkombëtare se do ta zbatojë marrëveshjen të cilën ai refuzoi ta nënshkruajë dhe në anën tjetër të bllokojë realisht zbatimin e asaj marrëveshjeje. Sepse si të shpjegohet ndryshe që Vuçiq urdhëron serbët të bojkotojnë zgjedhjet nëpër komuna dhe pa ato komuna nuk mund të formohet Asociacioni i Komunave Serbe. Në njërën anë, Vuçiq kritikon Kosovën për mosorganizimin e ZSO-së, dhe në anën tjetër urdhëron serbët të bojkotojnë, gjë që do ta vështirësojë edhe më shumë krijimin e ZSO-së”, deklaroi ai.

Avokati u shpreh i befasuar me reagimet e ndërkombëtarëve dhe kritikat e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës.

Zhvillimet e sotme në veri, i krahasoi me kohën e Millosheviqit, kur shqiptarët bojkotuan zgjedhjet, Serbia pa falje i emëronte serbët në institucionet ku shqiptarët ishin shumicë.

“Duke qenë se SHBA-të para zgjedhjeve kanë thënë qartë se do t'i njohin rezultatet e atyre zgjedhjeve edhe nëse serbët i bojkotojnë ato, është e qartë se Kosova ka fituar legjitimitet ndërkombëtar për të zbatuar vullnetin e atyre zgjedhjeve, përkatësisht për të prezantuar kryetarët e sapozgjedhur, në zyrat e tyre. Unë vërtet nuk i kuptoj reagimet e QUNIT-it tani, sepse ata thanë qartë se do t'i njohin rezultatet e atyre zgjedhjeve, dhe kjo do të thotë pasojat e atyre zgjedhjeve që po ndodhin tani. Besoj se ditët në vijim do ta qartësojnë gjithçka. Nuk duhet harruar se në kohën e Millosheviqit, kur shqiptarët bojkotuan zgjedhjet, edhe pse për arsye të tjera, Serbia pa falje i emëronte serbët në institucionet ku shqiptarët ishin shumicë. Tani është anasjelltas, me ndryshimin se unë besoj thellë se serbët nuk kishin arsye për të bojkotuar tani dhe se ishte një gabim i madh, por një gabim që u bë me urdhër të Aleksandar Vuçiqit, të cilin e konsideroj diktator dhe ky urdhër për serbët në Kosovë e dëshmon këtë”, shpejgoi Stojkoviq.

Ndër të tjera, e vlerësoi si të tmerrshme vendosjen e ushtrisë serbë në kufirin me Kosovën, derisa kërkoi nda ndërkombëtarët që ta rrëzojnë Vuçiqin nga pushteti, pasi vetëm në këtë mënyrë arrihet paqja mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Fatkeqësisht, askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë të presim nga Vuçiq. Pres që bashkësia ndërkombëtare të ndihmojë në rënien e tij nga pushteti, sepse kjo do të ishte në interes të të gjithë njerëzve në rajon, dhe me një qeveri reale properëndimore në Beograd, nuk do të kishte probleme të mëdha mes serbëve dhe shqiptarëve, as mes Serbisë dhe Kosovës. Por rruga drejt një qeverie të vërtetë properëndimore në Beograd është e gjatë dhe për fat të keq Vuçiq e di këtë. Është e tmerrshme që Serbia tash po vendos ushtrinë në kufirin me Kosovën, sepse atëherë duket si kërcënim. Edhe pse Serbia sigurisht nuk do ta sulmojë Kosovën, sepse NATO është në Kosovë, kjo lëvizje e Aleksandar Vuçiq krijon frikë dhe pasiguri, e cila pengon pajtimin mes kombeve dhe pengon të ardhmen tonë më të mirë. Megjithatë, pres që Vuçiq të jetë i qetë, në kuptimin ushtarak, por të jetë shumë i shqetësuar në kuptimin diplomatik dhe të vazhdojë të fajësojë të gjithë për ngjarjet, përveç vetes. Siç ka bërë deri tani”, përfundoi Cedomir Stojkoviq për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat