Ngritet alarmi, parashikohet eskalimi i situatës në veri – ‘zbulohen’ skenarët e Vuçiqit!

Politika

Ngritet alarmi, parashikohet eskalimi i situatës në veri – ‘zbulohen’ skenarët e Vuçiqit!

Nga: A.M. Më: 30 maj 2023 Në ora: 16:30
Pamje nga Zveçani

Për të dytën ditë me radhë, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave.

Këto grupe serbe në vazhdimësi kanë sulmuar, mediat, KFOR-i dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, me mjete të ndryshme.

E për këto zhvillime, bashkësia ndërkombëtare po reagon në vazhdimësi, ku fatkeqësisht, po e kritikon dhe akuzon Qeverinë e Kosovës për vendimet e marra.

Opinionisti Dedë Preqi ka komentuar këto kritika të ndërkombëtarëve drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se të gjitha janë skenarë të Vucciqit, i cili po i urdëron serbët dhe grupet e caktuara për ta nxitur situatën

“Skenarët e Vuçiqit, janë skenarë të qëllimshëm dhe të planifikuara kundër shtetit të Kosovës, janë skenarë të cilët po përsëriten në vazhdimësi me dirigjimet e Serbisë dhe kryekriminelit Vuçiq, ndërsa reagimet e BE-së dhe ndërkombëtarëve janë shumë të çuditshme, janë shumë të buta dhe mos të themi edhe përkëdhelëse ndaj Serbisë, duke mos i marrë parasysh këto sjellje të bandave dhe kriminelëve serbë, dhe duke mos ia tërheqë vërejtjen Beogradit dhe presidentit Vuçiq, i cili është dirigjent i tyre.

Serbët e veriut me dirigjimin e Vuçiqit, vetë organizuan që t’i lëshojnë Institucionet e Kosovës, në katër komunat veriore, të cilat sipas ligjeve të këtij vendi ato brenda një kohe të caktuar duhet të plotësohen me zgjedhje të reja, të cilat i organizoi Qeveria e Kosovës, dhe i plotësoi vendet e zbrazëta, në katër komunat veriore, dhe në bazë të votave zgjedhore në këto komuna e fitojnë shumicën katër kandidatë shqiptarë, të cilët tani po kundërshtohen nga minoriteti serb të vazhdojnë punën e tyre, duke u përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, deklaroi opinionisti.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Gjithashtu, Preqi potencoi se ekziston mundësia e eskalimit të situatës, kjo mund të arrihet nga kriminelët që i ka instaluar dhe koordinuar Vuçiqi.

“Po të marrim në konsideratë pa paragjykime, të gjitha ndodhitë dhe skandalet e këtyre ngjarjeve në veri, të cilat mund të eskalojnë dhe krijojnë një situatë edhe më keqe, burimin e kanë te urdhrat e Vuçiqit, i cili përmes Listës serbe dhe kriminelëve të caktuar dhe të trajnuar në veri të vendit, po e nxisin një lloj konflikti, apo edhe të një luftë të mundshme, sepse investimet e Vuçiqit, në këto forma dhe në këto veprime kriminale, Kosovën, pretendon ta fusë nën kontrollin e vet, ose veriun e këtij vendi, ta shndërrojë në një «republikë serbe».

Në veri të vendit situata mbetet e tensionuar, e cila mund të eskaloj në çdo moment nga kriminelët që i ka instaluar dhe koordinuar Vuçiqi, të cilët po e pengojnë punën e kryetarëve të ri në objektet e komunave në veri, prandaj është e pa bazuar të kritikohet qeveria dhe kryeministri Kurti, kur në këtë rast po zbatohen vetëm vendimet në bazë të ligjeve të këtij shteti”, theksoi ai.

Krahas kësaj, opinionisti reagoi ashpër ndaj deklaratave të bashkësisë ndërkombëtare dhe kritikat e tyre ndaj qeverisë së vendit tonë.

“Për veprimet e kundërligjshme dhe për të gjitha këto skandale të dhunshme që po i shkaktojnë bandat e Vuçiqit, në veri të Kosovës, duke e lënë Kosovën, si fajtore dhe qeverinë e saj, dhe duke iu referuar formimit të Asociacionit për komunat serbe, si një zgjidhje e gjitha këtyre problemeve, siç po shihet se edhe bashkësia ndërkombëtare, e ka një qëllim të «mirë», apo të keq, kur të gjitha vërejtjet dhe kritikat po ia drejton Kosovës, dhe jo Beogradit.

Duke iu referuar jo vetëm rastit të fundit, por shpeshherë në protesta të tilla kundër ligjeve dhe shtetit të Kosovës, ka shumë kriminel të ardhur edhe nga vise të tjera të Serbisë, apo edhe nga viset ruse, të cilët janë të maskuar dhe të prirur të shkaktojnë rrëmuja dhe skandale të dhunshme, sikur në këtë rast, që shkrepin edhe rafalë të armëve, gjuajnë me gur dhe gjësende të forta, duke lënduan disa policë të Kosovës, duke mos kursyer edhe ushtarë të KFOR-it, dhe dëmtojnë e djegin shumë automjete të zyrtarëve policor të vendit, në të cilat shënojnë edhe simbole të Rusisë kriminale”, nënvizoi Preqi.

Tutje, ai vlerësoi se është shumë e vështirë të parashikohet situata në veri, për shkak të lëvizjeve të shumta dhe skenarëve serbë.

“Është vështirë që të zbulosh një vijë të përbashkët ndërmjet lëvizjeve të këtyre palëve, serbe dhe shqiptare, lëvizje të cilat shpeshherë mund të eskalojnë dhe përshkallëzojnë situatën, dhe është vështirë të përpiqesh të kuptosh se nga priret ndjenja e kësaj urrejtje aq e thellë ndër njerëzore, që lidhet me rrezikun që i qaset jetës së të dyja palëve.

Prandaj, një situatë e tillë po ngjall një ndjenjë shqetësimi në popullatën shqiptare të këtij vendi, dhe zemra e secilit qytetar bëhet pjesëmarrëse e kësaj situate shqetësueses, kur plagët e luftës i ka ende të freskëta, thuajse nga kjo qenie e fundme e pa vetëdijesuar po na drejtohet me një klithje edhe më të neveritshme, sikur brenda saj po përgatitet diçka e mbrapsht dhe më e keqe, edhe pse njeriu është i vetëdijshëm për një gjë të tillë, siç është lufta dhe llojet e saj”, shtoi opinionisti.

Ndër të tjera, Preqi tha se për shkak të presionit të ndërkombëtarëve nuk mund të anashkalohet edhe mundësia e dorëheqjes së Kurtit, vetëm për të mos e nënshkruar Asociacionin.

“Një përpjekje e tillë për ta tensionuar situatën në Kosovë, në këto forma ç ‘njerëzore dhe primitive nga bandat kriminele të Vuçiqit, kanë për qëllim pengimin e vendimeve ligjore dhe shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e vendit, njëherazi kanë për qëllim edhe zhvlerësimin e gjitha përpjekjeve të qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, për të vënë ligje dhe rend në këtë vend.

Nëse vjen pyetja, kryeministri Kurti, mund të dorëzohet për shkak të presionit të madh të bashkësisë ndërkombëtare, apo ekziston mundësia të jap dorëheqje vetëm për të mos e nënshkruar Asociacionin jo kushtetues për komunat serbe, dhe të afroj mundësinë e zgjedhjeve të reja në Kosovë?

Edhe më herët me lëvizjet studentore, po ashtu edhe për sa kohë që shërben Albin Kurti, si kryeministër i Kosovës, qëndrimet e tij janë mjaftë serioze dhe të pa lëkundura dhe nuk e fshehin qëllimin dhe përkushtimin e tij ndaj popullit dhe shtetit të vet, edhe pse në këtë rrugëtim po atakohet me shumë sfida të pa pritura, ky njeri do ta ruaj me besnikëri dhe në mënyrë të veçantë tiparin e besimit dhe qëndrueshmërisë”, përfundoi Dedë Preqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat