Eskalimet e fundit në veri, analisti “zbulon” arsyen “e vërtetë”

Politika

Eskalimet e fundit në veri, analisti “zbulon” arsyen “e vërtetë”

Nga Më 30 maj 2023 Në ora: 20:00
Pamje nga veriu i vendit

Situata në veri të Kosovës vazhdon të mos qetësohet që nga e premtja e javës së kaluar.

Serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të dytën ditë me radhë po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave.

Më 29 maj, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërhyri në Zveçan dhe nga përleshjet u plagosën 30 paqeruajtës ndërkombëtarë.

Sulmet nuk kanë munguar as ndaj gazetarëve.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve, në Komunën e Leposaviqit aktualisht gazetarët e mbi 10 medieve janë sulmuar nga persona të maskuar.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në veri, analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se ato shpërfaqin tendencën e Putinit dhe të Vuçiqit për ndarjen e Kosovës.Sipas tij, eskalimi i fundit ndodh për shkak që ndërkombëtarët nuk u treguan kritikë.

Image
Skënder Mulliqi

“Ngjarjet e fundit me incidente të rënda të grupeve të caktuara kriminale e terroriste serbe, kundër KFOR dhe Policisë të Kosovës, po shpërfaqin tendencën e Putinit dhe të Vuçiqit, për ndarje të Kosovës. Sigurisht se bandat e Radojqit e Rakiqit më shërbime sekrete serbo-ruse, morën direktivat e fundit të veprimit nga vizita që i bën Moskës, Dodik dhe Daciq. Putin me çdo kushte po dëshiron më zhvendos luftën edhe në Ballkan, se kështu mendon që e ka më lehtë për të përfunduar punën më Ukrainën e Zelenskit. Më duket se eskalimi i fundit shumë brutal i strukturave kriminale serbe të cilët shtien edhe mbi KFOR- duke i lënduar disa prej e tyre, ndodhën edhe për faktin se ndërkombëtarët nuk u treguan kritikë kohën e fundit ndaj veprimeve të parreshtuara të këtyre strukturave kriminale në veri. E kritikuan Kosovën e cila po vendos pas shumë kohësh rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit”, shprehet Mulliqi.

Sipas tij, NATO nuk duhet të lejojë që të hidhen bomba dhe molotov nga bandat serbe- ruse në veri.

“Këto struktura paralele nuk u zhbën krejt pas luftën, duke kërkuar që me dhunë të ndajnë veriun e Mitrovicës nga jugu. Lidhur me ngjarjet e fundit është deklaruar edhe Sergej Lavrov, i cili tha se ”Po përgatitet eksplodim në qendër të Evropës”. Kjo deklaratë e Lavrovit e sforcon mendimin se Moska po dëshiron të hap një vatër të re krize lufte. Ai ka kritikuar NATO-n dhe policinë e Kosovës, pse nuk po e lënë veriun në mëshirën e falangave të tyre. Ky është skenari më i errët i Putinit dhe Vuçiqit për destabilizim të rajonit, për t’i realizuar idetë shoviniste të botës ruse dhe të botës serbe. NATO, mos të lejon që të gjuhen më bomba dhe molotov nga bandat serbe-ruse ne veri. Më këto banda kriminale nuk ka marrëveshje. Këto banda së bashku më Vuqiqin i cili ka pru ushtrinë afër kufirit më Kosovën, njohin vetëm gjuhën e forcës, si Millosheviqi dikur”, thekson Mulliqi.

Në anën tjetër, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, ka thënë Hovenier, duke përmendur shembullin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në lokacione alternative.

“Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ambasadori amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat