Tensionet në veri dhe qasja e Kurtit/ Sanksionet amerikane alarm i kuq për Kosovën?!

Politika

Tensionet në veri dhe qasja e Kurtit/ Sanksionet amerikane alarm i kuq për Kosovën?!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 31 maj 2023 Në ora: 09:51
Jeffrey Hovenier

Pas situatës së krijuar së fundi në veri të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë vendim për t'i ndërprerë me Kosovën stërvitjet e përbashkëta ushtarake “Defender Europe 23”, të cilat kanë qenë duke u mbajtur edhe në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, sipas të cilit, kjo është vetëm pasoja e parë për Kosovën, pasi qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me SHBA-të për veprimet në veri të Kosovës, ku situata vazhdon të jetë e tensionuar.

Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike. Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës, dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona. Sot nuk ka pasur aktivitet për Defender Europe ’23, dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë përfunduar”, ka thënë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Mesazh inkurajues për Rusinë e Serbinë

E përjashtimin e Kosovës nga “Defender Europe 23”, po e sheh si një lajm pikëllues për popullin shqiptar doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

“Përjashtimi i Kosovës nga “Defender 23” ka pikëlluar thellësisht popullin e Kosovës, të njohur për mbështetjen e palëkundur për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova qëndron si një nga vendet më pro-amerikane në nivel global, duke demonstruar vazhdimisht përkushtimin e saj të palëkundur për të përmbushur kërkesat e SHBA-së. Ajo ka marrë pjesë aktive në iniciativa të tilla si ofrimi i ndihmës për sigurinë për njerëzit nga Afganistani dhe Ukraina, dhe vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, duke qëndruar në mënyrë të vendosur përkrah aleatëve të saj”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, tërheqja e mbështetjes së SHBA-së për Kosovën dërgon një mesazh inkurajues për Rusinë dhe Serbinë që të nxinin konflikte edhe në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut.

Në të kundërt, Serbia bashkohet me Rusinë dhe Kinën, duke krijuar partneritete të forta me këto kombe. Pavarësisht pushtimeve ruse, Serbia është përmbajtur nga vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, duke theksuar më tej praninë e grupit rus “Wagner” në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tërheqja e mbështetjes së SHBA-së për Kosovën dërgon një mesazh inkurajues për Rusinë dhe Serbinë, për të nxitur potencialisht konfliktet në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut”, deklaron Kuçi.

Ndërsa Kosova kishte pranuar planin e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, procesi i zbatimit është ende në fazat e hershme. Tërheqja e mbështetjes aktuale të SHBA-së, përkundër njohjes së legjitimitetit të zgjedhjeve në veri të Kosovës, dërgon një mesazh të hidhur për popullin e Kosovës, i cili besonte në mbështetjen e SHBA-së për zgjerimin e sovranitetit të Kosovës. Politikat e paqëtimit e ndjekur nga Perëndimi deri më tani kanë dhënë sukses të kufizuar, siç dëshmohet nga shembujt historikë me figura si Hitleri dhe Putini. Perspektivat për sukses me Vuçiqin janë po aq të pamundura”, shpjegon doktor Kuçi.

Më tej, ai thotë se gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Kosovën është imperative, por nuk duhet të bëhet në kurriz të Veriut.

“Përpara se të shqyrtojë ndonjë masë ndëshkuese kundër Kosovës, SHBA-ja duhet të ketë prioritet forcimin e aleatëve të saj, duke përfshirë edhe vetë Kosovën. Është dëshpëruese për popullin e Kosovës, i cili është i hapur ndaj SHBA-së në çdo aspekt, të dëgjojë se aleati i tyre rreshtohet me një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara. Gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Kosovën është imperative, por nuk duhet të bëhet në kurriz të veriut”, nënvizon Kuçi, i cili nuk përjashton edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Kosovë.

“Çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të vazhdojë, duke siguruar integrimin e Kosovës pa avokuar për tërheqjen e saj nga veriu. Ruajtja e status quo-së aktuale është njëkohësisht e papranueshme dhe e paqëndrueshme. Nëse qeveria nuk arrin ta trajtojë në mënyrë efektive këtë çështje, mund të bëhet e nevojshme mbajtja e zgjedhjeve të reja”, përfundon për “Bota sot” doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Mos koordinim me amerikanët

Image
Haki Latifi

Kurse analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Haki Latifi, thotë Kosova është duke kaluar në një krizë institucionale.

Kosova dhe shqiptarët ende nuk i kanë shëruar plagët e luftës ku humbën jetën mijëra shqiptar si dhe u shkatërruan e u dogjën pasuritë e qindra mijë shqiptarëve nga barbarët serb. Dihet se Kosova u çlirua në koordinim me ndihmën e paktit verio-atlantik me në krye SHBA-të. Shqetësimi ma i madh për Kosovën është që vazhdon të përballët me kërcnimet e falangave fashiste serbe. Nga ana tjetër, është në mediat tona ka kohë që u jepet hapësirë një pjesë të “intelektualëve“ dhe “analistëve“, të cilëve u është topitur ndjenja e përkatësisë kombëtare duke i ruajtur inatet partiake dhe duke i mbetur besnik vijës së dëgjueshmërisë së ndërkombëtarëve. Që për mendimin tim Kosova nuk e ka lehtë të mbijetojë. Për fat të keq Kosova është duke kaluar në një krizë institucionale dhe është duke i kushtuar populizmi i Qeverisë dhe zhurma e masave injorante dhe pseudo-patriotike. Aktualisht vendit i mungon një qeverisje e urtë dhe pragmatike dhe pro amerikane”, shprehet Latifi.

Ai shton se përjashtimi i Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga “Defender Europe 23”, është një alarm për shtetin e Kosovës dhe qeverinë Kurti.

Thënë troç, vendit i mungon një qeveri e përgjegjshme, sikur se i mungon një opozitë e guximshme që do ta ruante partneritetin me miq dhe mbron sovranitetin e vendit. Në rrethana normale opozita do të marshonte sheshit të Prishtinës për të kërkuar llogari dhe dorëheqje për të gjithë ata që Kosovën po e çojnë në izolim. Përjashtimi i Kosovës nga "Defender Europe 23", është sinjal dhe alarm i qartë por edhe si dëshmi se qeveria Kurti siç po duket nuk është koordinuar me Amerikanët dhe kërkohet një relfektim nga kjo qeveri. Sepse, është një rrezik dhe alarm i ri për Kosovën ku mund të pritën edhe sanksione të reja nga amerikanët. Kryeministri Kurti me deklaratat e tij po del shumë naiv, dhe më keq kur e ka pranuar marrëveshjen anti shqiptare të Ohrit për Asociacionin dhe tash ka filluar të përplasët me amerikanët duke treguar patriotizëm populist.”, deklaron Latifi.

“Shtrirja e plotë e sovranitetit dhe respektimi i kushtetutshmërisë bëhet në bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtarë me në krye SHBA-të, të cilët rrugëtuam tash e 33 vjet. Të gjithë ata që flasin kundër miqësisë me SHBA-të janë të mjerë dhe janë të infektuar nga virusi i tmerrshëm i të majtës ekstreme. Ndërsa ka njerëz që justifikojnë marrëzitë e tilla populiste sipas kriterit të turmave, që për mendimin tim është shqetësuese. Për të ruajtur stabilitetin e vendit kërkohet të merret masa urgjente në harmoni me SHBA-të për ta ruajtur vendin nga destabilizimi i mëtutjeshëm, në të cilën vazhdimisht Serbia e provokon”, përfundon për “Bota sot”, analisti Haki Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat