Përjashtimi nga “Defender Europe 2023”/ Anton Quni tregon në cilën grackë ra Albin Kurti

Politika

Përjashtimi nga “Defender Europe 2023”/ Anton Quni tregon në cilën grackë ra Albin Kurti

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 31 maj 2023 Në ora: 18:58
Anton Quni dhe Albin Kurti

Kosova është përjashtuar nga stërvitja më e madhe të aleatëve të NATO-s në Ballkan, e njohur si “Defender Europe ‘23”.

Ky ndëshkim erdhi, sic tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas injorimit të këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

“Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike. Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës, dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona. Sot nuk ka pasur aktivitet për Defender Europe ’23, dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë përfunduar”, ka thënë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Për ndëshkimin amerikan dhe përjashtimin e Kosovës nga “Defender Europe ‘23”, për gazetën “Bota sot” ka folur deputeti dhe nënkryetari i LDK-së, Anton Quni.

Pavarësisht përjashtimit të Kosovës, Quni thotë se siguria e Kosovës është e garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Siguria e Kosovës nuk varet vetëm nga madhësia e tytave të armëve tona, por edhe nga fuqia e lidhjeve me Washingtonin, Londrën, Berlinin, Parisin e Romën. Siguria e Kosovës është e garantuar nga aleanca më e fuqishme që ka njohur historia e njerëzimit nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shprehet Quni.

Ai thekson se sulmet e bandave kriminale në veri, janë dëshmi se synimi kryesor i Serbisë është destabilizimi i Kosovës.

“Në anën tjetër, përpjekjet destabilizuese të Serbisë nuk janë asgjë e re për ne. Sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve, ushtarëve të KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, institucioneve tona e vet trupave të NATO-s me mision në Kosovë. Përballë Serbisë nuk bëjmë politika ditore dhe gjithmonë do mbështesim veprimet e drejta të çdo qeverie”, thekson Quni për “Bota sot”.

Sipas Qunit, kryeministri Kurti ka rënë në grackën e Aleksandër Vuçiqit.

“Rezultati i politikave të gabuara është rënie në grackën e Vuciqit. Veprimet e pamatura të Qeverisë kanë sjellë përjashtimin e Kosovës nga ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2023”. Ju kujtojmë që Defender Europe 2023, është një ushtrim i përbashkët që udhëhiqet nga Komanda Evropiane e SHBA-ve. Sjell së bashku 20 ushtri të kombeve të ndryshme. 1300 ushtarë të Kosovës janë përgatitur shumë gjatë që të marrin pjesë në këtë ushtrim, por atyre ju është larguar kjo mundësi. Synimi i këtij ushtrimi është që të fuqizohet gatishmëria dhe kompatibilitieti mes Shteteve të Bashkuara, aleatëve të NATO-s dhe partnerëve”, shprehet Quni.

Për fund, ai thotë së Kosova duhet të prodhojë stabilitet, e jo të kundërtën.

“Ju kujtoj që NATO do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë. Kosova duhet të prodhojë stabilitet, këtë ja kemi borxh miqve që na kanë ndihmuar në rrugëtimin shtetformues. Kosova nuk duhet të bëhet konsumuese e resurseve të aleatëve, duhet të ndihmojë në stabilitet”, përfundon për “Bota sot”, deputeti i LDK-së, Anton Quni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat