Tensionet në veri, a do të ‘dorëzohet’ Kurti para presionit ndërkombëtarë? Ja çka parashikojnë analistët!

Politika

Tensionet në veri, a do të ‘dorëzohet’ Kurti para presionit ndërkombëtarë? Ja çka parashikojnë analistët!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 qershor 2023 Në ora: 14:33
Trazirat në Leposaviq

Tash e sa ditë, gjendja në veriun e Kosovës është e tensionuar. Ndonëse, tensione në këtë pjesë të vendit ka pasur në vazhdimësi, ato janë rritur, pas hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Kjo gjë nuk iu ka pëlqyer serbëve që janë shumicë në komunat veriore, ndonëse ishin vetë ata që bojkotuan zgjedhjet dhe nuk votuan.

Kësisoj, që nga 26 maji, grupe qytetarësh serbë po mblidhen para zyrave të komunave veriore për të penguar hyrjen e kryetarëve shqiptarë.

Madje, të hënën ata edhe u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-in.

Mirëpo, pavarësisht gjithë kësaj dhune që po ushtrojnë grupet serbe, ndërkombëtarët kanë vendosur që cak të kritikave ta bëjnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Presioni ndaj Kurtit, po rritet vazhdimisht, me të edhe kritikat.

Siç thuhet, e gjitha kjo po bëhet me qëllim që të pranohet themelimi i Asociacioni të komunave me shumicë serbë, e që ende vazhdon të jetë çështje e ‘nxehtë’.

Krahas, kritikave dhe presionit të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, po hidhen hipoteza se Kurti mund edhe të japë dorëheqje dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme, që të mos e pranojë Asociacionin dhe nënshtrimin ndaj presionit ndërkombëtar.

Qarri: Duhen masa të menjëhershme në terren, për spastrimin e bandave kriminale dhe terroriste ruse e serbe nga veriu

Image
Gani Qarri

Së pari, analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se gjithë këto tensione dhe zhvillime në veri po ndodhin për shkak të bandave serbo-ruse dhe Beogradit, ku fajtorë për këtë i bëri edhe paritë opozitare, LDK dhe PDK.

“Në fakt, vandalizmi meskin i bandave serbo-ruse, që ka shpërthyer këto ditë, po dëshmon edhe njëherë më tepër, se gjendja e krijuar në veri, nuk ka të bëjë më, vetëm me asociacionin, por me luftën dubioze të Serbisë hegjemoniste për gllabërimin me dhunë, të territoreve më jetike të Kosovës, gjë që dëshmon se shtetit tonë të ri, ka kohë që po i përgatiten ndërskëmca të rrezikshme dhe skena misterioze për ndarjen e veriut dhe shuarjen e shtetësisë së Kosovës.

Për të gjitha këto sa po ndodhin, përveç të ashtuquajturës "listë serbe" bashkëfajtorët kryesor janë PDK dhe LDK, të cilat edhe në këto çaste të rënda për Kosovën, vazhdojnë të mbeten në shërbim të Vuçiqit dhe mbështetëset më besnike të kauzave kriminalo-hegjemoniste të Serbisë fashiste në Kosovë, të cilat me veprimet e tyre tradhtare, e kanë bërë Serbinë hegjemoniste, hisedarë në veri të vendit tonë dhe i kanë krijuar hapësirë të pafund presidentit kriminel serb Aleksandër Vuçiq, për ndërhyrje të përhershme në çështjet e brendshme të Kosovës”, deklaroi ai.

Qarri kritikoi ashpër ndërkombëtarët për presionin dhe akuzat që po ia bëjnë Kurtit, derisa ua kujtoi se në veri është involvuar drejtpërdrejt Rusia me njësit e saj kriminale.

Vuçiqi është ai, që për më tepër se një dekadë, po keqpërdor hapësirën e krijuar nga PDK dhe LDK, për përsëritjen dhe mbajtjen gjallë të konfliktit të hapur në këtë pjesë të pa ndashme të Republikës së Kosovës, gjë që e vërtetojnë edhe sulmet më të reja të bandave kriminale serbe, përveç ndaj Policisë së Kosovës edhe ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Kurse shënimi i simboleve okupuese ruse dhe serbe në automjetet e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, si dhe plagosja e dhjetëra ushtarëve ndërkombëtar, tregon publikisht se përderisa ndërkombëtarët merren me kritika ndaj kryeministrit Kurti, në veri të Kosovës, është e involvuar drejtpërdrejt edhe Rusia, ku vallëzojnë si në "bahqe të babës" njësit kriminale të Putinit, ndaj ndërkombëtarët, në vend të kritikave ndaj kryeministrit Kurti, duhet të ndërmarrin masa të menjëhershme në terren, për spastrimin e bandave kriminale dhe terroriste ruse e serbe, për të cilat, ngjarjet më të reja, vërtetojnë se ato janë vendosur që moti, para hundëve të tyre, në këtë pjesë të territorit tonë dhe veprojnë lirshëm e pa asnjë pengesë në veri të Kosovës”, theksoi analisti.

Më tej, ai tha se Qeveria dhe Policia e Kosovës po veprojnë në mënyrë të duhur, me qëllim të shtrirjes së sovranitetit në veri të vendit.

“Kështu që presioni ndaj Qeverisë për formimin e Asociacionit jo kushtetues, duhet të kthehet në veprim konkret kundër ndërhyrjes së Serbisë e të Rusisë në çështjet e brendshme të Kosovës dhe ndërmerren masat e nevojshme për spastrimin e veriut të Kosovës, sa më parë, nga trupat terroriste ruse të vagnerit dhe bandat kriminale serbe të kryesuara nga kriminelët e njohur, si Milan Radojçiq & Co, të cilët, ka vite që janë vendosur edhe në listën e zezë të SHBA-ve.

Ndërsa sa i përket kryeministrit të vendit, Qeveria aktuale dhe Policia heroike e Kosovës, janë duke vepruar me profesionalizëm të lart dhe përkushtim të veçantë, për shtrirjen e shtetësisë, rivendosjen e rendit e të ligjit, mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe aktivizimin e institucioneve tona shtetërore edhe në veri, gjë që është tërësisht legjitime”, potencoi Qarri.

Në fund, analisti, kërkoi nga ndërkombëtarë që ta rrisin presionin ndaj Vuçiqit, derisa tha se Kurti nuk ka pse të ‘dorëzohet’ para presionit ndërkombëtarë.

“Pra ne si shtet, jemi në të drejtën tonë ligjore e kushtetuese, nuk kemi sulmuar askënd dhe as nuk kemi tejkaluar kufijtë shtetëror të vendit tonë, ndaj unë nuk shoh asnjë arsye që Kurti të ‘dorëzohet’ para presionit ndërkombëtarë, ngase ne jemi viktima dhe jo agresori, sado që pjesa më agresive ndaj Qeverisë aktuale, nuk është Vuçiqi por argatët e tij, në mesin e partive të inkriminuara opozitare.

Serbia hegjemoniste, për ata që duan ta shohin, është ajo që ndërhyn sistematikisht në çështjet tona të brendshme dhe nxit tensione në vijimësi, brenda vendit tonë, kështu që presioni duhet të ushtrohet ndaj atyre që prodhojnë në vazhdimësi situata të tilla konfliktuoze si krimineli Vuçiq, i cili paralajmëron publikisht me javë përpara, skenarët kriminal që do të ndodhin në veri, dhe jo ndaj Kosovës, që edhe pas çlirimit të vendit nga okupimi serb, ka ngelur në vetëmbrojtje, nga ndërhyrjet sistematike të Serbisë, për ri gllabërimin e tokave tona jetike autoktone”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Kritikat për veriun lidhen pikërisht me Asociacionin

Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se ngjarjet në veri lidhen me Asociacionin, gjë të cilën Kurti po e kundërshton fuqishëm.

Image
Faton Mehmeti

“Kritikat për veriun po lidhen pikërisht me Asociacionin, po bëhet presion i madh që të formohet enkalvizimi i vendit. Kurti në anën tjetër po bën çdo gjë që ta shtyj në pafundësi këtë çështje, në mënyrë që mos të bëhet”, tha ai.

Krahas kësaj, analisti përmendi mundësinë e dorëheqjes së Kurtit, në rast se kërkohet me çdo kush themelimi i Asociacionit që u nënshkrua në vitin 2013.

“Varet nga presioni sa do të jetë i madh dhe modaliteti, nëse insistohet që të formohet Asociacioni i vitit 2013, ka gjasa që Kurti të jap dorëheqje, por nëse gjendet një modalitet tjetër ka shumë mundësi që Kurti ta pranojë, pra krejt varet nga modaliteti dhe presioni sa do jetë i madh nga amerikanët”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat