Vegël e Beogradit për destabilizimin e Kosovës, kërkohet që Lista serbe të shpallet e jashtëligjshme!

Politika

Vegël e Beogradit për destabilizimin e Kosovës, kërkohet që Lista serbe të shpallet e jashtëligjshme!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 qershor 2023 Në ora: 07:58
Lista serbe

Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi ka kohë që nuk është më pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky subjekt politik ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në Qeverinë e Kosovës.

Tashmë ky subjekt politik ka marrë rol tjetër, si “prijëse e kriminelëve në veri”.

Së fundi, liderët e kësaj liste po iu prijnë protestave në veri, të cilat po mbahen tash e disa ditë radhazi, duke penguar punën e kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, zgjedhje këto që u mbështetën edhe nga SHBA.

Bazuar në sjelljet e Listës serbe, në vazhdimësi është kërkuar që ajo të shpallet e jashtëligjshme në Kosovë. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Ahmeti: Qeveria dhe ndërkombëtarët duhet të marrin masa ndaj Listës Serbe

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti Hidajet Ahmeti ka thënë se qeveria dhe ndërkombëtarët duhet të marrin masa ndaj Listës Serbe sepse ajo nuk po vepron në frymën ligjore.

“Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me ndërkombëtarët duhet të marr hapa konkret, pasi subjekti politik Lista Serbe nuk vepron në frymën kushtetuese e ligjore. Një gjë e tillë është e saktësuar me kushtetutë e ligj, rrjedhimisht është obligim të veprohet konform kësaj frymë. Por mendoj se ndërkombëtarët po e "ledhatojnë" palën serbe apo me njëfarë mënyre çdo veprim të tyre po e legjitimojnë”, thotë ai.

Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe sido që të jetë duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Kjo logjikë e ndërkombëtarëve po e thellon hendekun në mes institucioneve të Kosovës dhe pjesës veriore të Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të veprojë brenda kushtetutës dhe ligjeve të saj për ta shtrirë sovranitetin e plotë edhe në atë pjesë, edhe nëse kërkohet të funksionalizohet aparati i dhunës legjitime", ka theksuar ai.

Burjani: Lista Serbe është vetëm një nga mekanizmat e Serbisë, edhe po të bëhet një listë tjetër apo parti tjetër është njëjtë

Juristi Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Kosova aktualisht është në defanzivë, sepse i gjithë faktori ndërkombëtar po e fajëson për gjendjen në veri.

Image
Blerim Burjani

Tutje, ai thotë se veriu ka qenë dhe mbetet “porta e Serbisë”, duke nisur nga taragt e deri të zgjedhjet që u bënë mollë sherri për veri.

“Kosova është në defanzivë të plotë politike në veri, e tërë komuniteti ndërkombëtar fajëson qeverinë me veprime të dëmshme. Tash pak a shumë është humbë imazhi pozitiv për Qeverinë aktuale në Kosovë, sepse faktori ndërkombëtar merret me menaxhimin e konfliktit por jo me tema tjera, pra mbi të gjitha ka rëndësi paqja atje, të tjerat nuk kanë rëndësi prioritare, pra mbeten plotësisht sekondare.

Atje me qëllim është mbet gjendja ashtu, pra ka qenë dhe ka mbet porta e Vuçiqit dhe Serbisë për të rujtjtur angazhimin e Serbisë dhe nuk është larguar përfundimisht Serbia nga Kosova. Tash e 24 vjet është gjendje e mjerë, integrimi i serbëve ka ndodhë në një periudhë, por konflkti u aktivizua me dështimin për targa, dhe mori teposhtzën ku kohën e fundit u mbajtën zgjedhje formale që shërbyen si mollë sherri. Tash po shihet se gracka u arrit që dështoj Kosova të vendos rend dhe ligj”, shprehet ai.

Kurse, për Listën Serbe ai thotë se pavarësisht se çfarë bëhet me të ajo mbetet e njejtë.

“Lista Serbe është vetëm një nga mekanizmat e Serbisë, edhe po të bëhet një listë tjetër apo parti tjetër është njejtë, mendoj se Bashkësia Ndërkombëtare pa përjashtuar Vuçiqin si faktor dhe Serbinë, Kosova kurrë nuk do të normalizoj raporte dhe ta shtrijë sovranitetin në veri, pra gabimet janë bërë me qëllim normalizimi me Serbinë duhet të ndahet nga normalizimi dhe integtimi i serbëve të Kosovës”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat