Efekti i reagimeve ndërkombëtare: Kosova drejt de-eskalimit të situatës në veri nëpërmjet dialogut

Politika

Efekti i reagimeve ndërkombëtare: Kosova drejt de-eskalimit të situatës në veri nëpërmjet dialogut

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 qershor 2023 Në ora: 16:07
Zveçan, 2 qershor 2023.

Veriu i Kosovës akoma nuk ka gjetur qetësinë nga protestuesit serbë. Ata po vazhdojnë të protestojnë në tre komunat, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Për rendin dhe sigurinë atje, po qëndron KFOR-i.

Situata e tillë në veri ka bërë që në drejtim të Kosovës të ketë reagime të ashprua, madje edhe me sanksione. SHBA përveç reagimit të ashpër, sanksionin Kosovën, duke përjashtuar Ushtrinë e Kosovës (FSK) nga “Defender 2023”.

Ashpër ndaj Kosovës reagoi edhe presidenti francez Emmanul Macron.

Ai i bëri përgjegjëse autoritetet e Kosovës për trazirat në veri të vendit, të cilat, siç tha, janë rritur ndjeshëm, prej se kryetarët e rinj shqiptarë kanë marrë detyrën në komunat me shumicë serbe.

Ai tha se autoritetet e Kosovës "mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm" në veri të Kosovës.

Ndërkaq, të enjten, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me Zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jonathan Finer.

Kurti ka paralajmëruar se është pajtuar për zgjedhje të reja në komunat veriore të vendit.

“E falënderova për telefonatën e tij dhe shpreha përkushtimin tim për të punuar me ShBA-në për të ulur tensionet. Kjo kërkon një përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër oficerëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, ka shkroi ai në tëitter.

Megjithëkëtë protesta e serbëve në veri të Mitrovicës ka vazhduar e qetë edhe të premtën.

Shala: Kosova duhet të gjejë një rrugë alternativë duke de-eskaluar situatën

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota sot”, shpjegon dy proceset të cilat karakterizojnë këtë çështje.

“Janë dy procese : E para, që veprimi ligjor askush nuk është duke i kontestuar, e këtu hynë veprimet policore të cilat kanë dëshmuar që ishin profesionale me gjitha standardet e parapara sipas nivelit BE.

E dyta, është që pengesa kryesore në nivelin politik ka dhënë frytet e saj në aspektin negativ duke ngritur sanksione kundër Kosovës në procesin integrues të saj”, thotë ai.

Tutje, Shala deklaron se Kosova duhet të takohet me Listën Serbe për t’i bindur që veprimet janë anti-kushtetuese, duke shtuar se e vetmja mënyrë është avancimi përmes largimit të grupeve kriminale nga veriu.

“Kosova duhet të gjejë një rrugë alternativë duke de-eskaluar situatën në dy veprime të cilat janë takimi me subjektin politik Lista Serbe për t’i bindur që veprimet janë anti-kushtetuese dhe vetmja mënyrë është avancimi përmes largimit të grupeve kriminale nga veriu dhe gjetja e rrugës politike përmes dialogut me serbët e Kosovës.

E dyta, do të duhej të jetë hapja e komunës për të ofruar shërbime me risk që mund të këtë incident por që duhet dëshmuar gatishmërinë për bashkëpunim”, përfundon Shala.

Elezaj: Kosova është dashur që deri në fund të gjitha aktivitetet në veri të koordinohen me amerikanët

Analisti Rexhep Elezaj ka thënë se nuk është vetëm Macron por të gjitha vendet e QUINT-it të cilat kanë dënuar këtë akt.

Image
Analisti Rexhep Elezaj

“Nuk është vetëm presidenti francez, Emmanuel Macron, ai i cili i ka bërë përgjegjëse autoritetet e Kosovës për trazirat e fundit në veri, por janë të gjitha vendet e QUINT-it të cilat në mënyrë unike e kanë fajësuar qeverinë e Kosovës për futjen e 3 kryetarëve të ri në objektet e komunave në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç me polici, siç kanë deklaruar, pa i bashkërenditur veprimet me këto vende, në veçanti me SHBA-të.

Pra, nuk ka pse veçohet këtu presidenti Macron, meqë siç u pa nga reagimet e tyre, të gjitha këto vende njëzëri e kanë fajësuar qeverinë e Kosovës për veprimet e saj në veri me rastin e betimit dhe hyrjes së tyre me polici në zyrat e komunave të tre kryetarëve në fjalë”, shprehet ai.

Sipas tij, të gjitha reagimet e bëra nga Bashkësia Ndërkombëtare, ashtu si përjashtimi nga “Defender 2023”, ishte befasi për gjithë popullin sepse dihet fakti se Kosova dhe shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë

“Lidhur me reagimin shumë të ashpër dhe në union të të gjitha vendeve të QUINT-it ndaj Kosovës, patjetër se vetvetiu shtrohet pyetja; pse ka ndodhur i gjithë ky unison në fajësimin e Kosovës nga këto vende, mbase në raste të ngjashme më herët mes vendeve të QUINT-it ka pasur divergjenca, ndonjëherë edhe të mëdha, rreth ngjarjeve në veri të Kosovës, dhe jo vetëm..!?

Pra, qëndrimi i tyre unik në fajësimin e qeverisë së Kosovës si shkaktare e tensioneve në veri, për mua shtron dilema dhe dyshime të mëdha, të cilat kanë ndërlidhje të drejtpërdrejtë me sanksionet amerikane të cilat i vendosi dje ndaj Kosovës, meqë, përveç se askush nuk e ka pritur një ndëshkim kaq të rënd të SHBA-ve ndaj Kosovës, ky akt i saj, ishte befasi e madhe, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për gjithë rajonin ballkanik, kur dihet fakti se Kosova dhe shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë”, thotë ai.

Më tej, Elezaj thotë se ka bërë gabim që i ka dërguar kryetarët në komunat veriore, sepse para se të bënte këtë, Qeveria duhej të koordinohej me SHBA.

Pra, siç thotë Elezaj, Kosova për këtë hap të ndërmarrë, është dashur që deri në fund të gjitha aktivitetet në veri të koordinohen me amerikanët.

“Pyetja e juaj, se a duhet që Kosova gjithmonë të tërhiqet nga vendimet e saja për shkak të presionit ndërkombëtar, si dhe se pse Kosova duhet të jetë arenë e sulmeve nga jashtë, unë mendoj se qeveria e Kosovës ka bërë gabim fatal që para se t’i dërgoj tre kryetarët në zyrat e tyre në tri komunat në veri, është dashur patjetër të koordinohet me ambasadorin amerikan në Prishtinë, J. Hovenier, kur dihet fakti se ishin vetëm SHBA-të, ato të cilat e inkurajuan qeverinë e Kosovës që të mbanë zgjedhje lokale në veri, të cilat siç dihet i bojkotuan serbët lokalë, por pranë këtij fakti miqtë amerikan i njohën ato si legale dhe legjitime, ani se 4 kryetarët e zgjedhur morën vota minimale. Pra, është dashur që deri në fund të gjitha aktivitetet në veri të koordinohen me amerikanët, e jo krye me vete të dërgohet policia speciale para objekteve komunale, duke e ditur fare mirë se grupet kriminale serbe të drejtuara nga Beogradi nuk do rrijnë duarkryq, siç edhe ndodhi duke protestuar dhe penguar që 3 kryetarët e ri që të futën në zyrat e tyre, dhe kështu me radhë. Pra, sipas mendimit tim, nuk qëndron konstatimi se Kosova është bërë arenë e sulmeve nga jashtë, veçse për shkak të gabimeve në hapa të lider-shipit shtetëror të Kosovës, ajo gjithnjë nga gabimet e veta po bëhet cak i sulmeve dhe akuzave për destabilizim të sigurisë në veri të Kosovës dhe rajonin e Ballkanit perëndimor. Mjerisht, por ky është sot realiteti ynë shumë i hidhur..!? “, ka përfunduar Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat