Albin Kurtin e gjuajtën me “predha” – profesori zbulon “tradhtinë” e ndërkombëtarëve, ja kush e do Kurtin “të pjekur” në hell!

Politika

Albin Kurtin e gjuajtën me “predha” – profesori zbulon “tradhtinë” e ndërkombëtarëve, ja kush e do Kurtin “të pjekur” në hell!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 3 qershor 2023 Në ora: 16:58
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Ngjarjet e ditëve të fundit në veri të Kosovës kanë krijuar një situatë konfliktuale jo vetëm me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq, por edhe me disa përfaqësues politikë e diplomatikë të vendeve mike e aleate të Kosovës.

Kjo situatë jo e favorshme për Kosovën nuk është thjesht për fajin e kësaj të fundit, fajtore kryesore për tensionet në veri është Beogradi dhe Aleksandër Vuçiq, të cilët drejtojnë dhe sponsorizojnë grupet kriminale të konfliktohen me policinë vendore, EULEX-in dhe forcat e KFOR-it.

Kështu është shprehur profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, i cili thekson se, të gjithë i kanë parë skenat e turpshme të dhunës së këtyre grupeve kriminale me maska kundër paqëruajtësve e paqeruajtjes.

Profesori thekson se, ndonëse kur në ditën e dytë të ngjarjeve serbët treguan forcë e dhunë kundër KFOR-it dhe EULEX-it pati reagime edhe kundër tyre, ditën e parë dhe në vazhdim ka vijuar të fajësohet qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti për këto ngjarje.

“Fabula që u përdor dhe po përdoret është se “Kurti dhe qeveria provokuan duke inaguruar kryetarët e zgjedhur të katër komunave me forcë e nën ruajtjen e policisë”. Faktet e demantojnë kritikën që i zhvillohet Kosovës. Zgjedhjet e kryetarëve të dorëhequr të Mitrovicës së veriut, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit ishin caktuar për në dhjetorin e vitit të kaluar. Ishin këta përfaqësues të komunitetit perendimor që i kërkuan zonjës Osmani shtyrjen e atyre zgjedhjeve, pasiqë Lista Srbska njoftoi bojkotin e tyre. Presidentja iu bind kërkesave amerikane e europiane dhe i shtyu këto zgjedhje për datën 23 prill të këtij viti. Pra për katër muaj më tej”, thotë profesori.

Por, sipas profesorit, Lista Srpska sërishmi refuzoi të marrë pjesë në zgjedhje.

Image
Profesor Enver Bytyçi

“Ndërkombëtarët thanë “Ok, ju mund t’i bëni ato zgjedhje edhe pa pjesëmarrjen e shumicës së popullësisë serbe në këto komuna”. Kështu u zhvilluan votimet. U zgjodhën kryetarë dy kandidatë të Vetëvendosjes dhe dy kandidatë të PDK-së. Por me vota minimale. Diku te 3.5 përqind e zgjedhësve u paraqitën te kutitë e votimit. Ishte një shifër shumë e ulët. Që do të thotë se mungon legjitimiteti. Por askush nuk gjeti një rrugëdalje nga ky ngërç politik, sepse juridikisht rezultati është i pranueshëm”, pohon ai.

Ai thekson se, konstituimi i kryetarëve në tri nga katër komuna u shoqërua me tension, dhunë e përleshje midis policisë, forcave të EULEX-it dhe KFOR-it.

“Pati të lënduar. Kjo shkaktoi që lajmi të përhapet kudo në botë. Megjithatë mbeti një shije e hidhur e fajësimit të Kosovës. Ne shqiptarët kemi një shprehje “Hip në lis, të vrava, zbrit nga lisi, të preva”! Në të dy rastet je i mbaruar. Ndërkombëtarët i thanë Kurtit “Hip në lis” dhe Kurti u ngjit. Pastaj po këta ndërkombëtarët e gjuajtën me predha. Nuk i gjendet karari asnjë gjëje në politikë. Megjithatë për mua Kosova nuk është fajtore. Ajo tentoi dhe po tenton të zbatojë ligjin në vendin e saj. Shtetet që e kanë njohur duhet të solidarizohen me këtë. Pa ligj e rregull shtetëror nuk ka as integrim euro-atlantik. Atëherë ndërkombëtarët nuk duhet të thonë vazhdimisht se kjo situatë pengon integrimin. Integrimin e pengon në radhë të parë mos zbatimi i ligjit”, thekson Bytyçi.

Profesori pohon se, serbët nuk duan ligj e rregull.

“Aleksandër Vuçiq dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin e tij me bandat kriminale në veri të Kosovës. Mesa duket veprimtaria e këtyre bandave është shumë lukrative edhe për zotin Vuçiq. Për pasojë ky territor po synohet të shkëputet nga shteti i Kosovës. Së paku Beogradi e shpreson diçka të tillë. Ndërkombëtarët nuk e di nëse janë pajtuar ose jo. Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi, Vuçiq kërkon krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive. Gjithë loja politike zhvillohet për të krijuar kushte për ndarjen e Kosovës. Ndaj dhe përplasja është për integritet territorial”, potencon ai.

Ndonëse Beogradi nuk po zbaton asnjë nen të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, prfoseori thotë se, bashkësia ndërkombëtare po kritikon vazhdimisht qeverinë e Kosovës për “pengim të krijimit të Asociacionit”.

“Ndërsa Kurti, në vend të merret me këtë detyrë themelore, po merret me reagime të tepruara ndaj ndërkombëtareve, edhe pse kritikat e këtyre të fundit ndaj Kosovës nuk qëndrojnë. Duhet zgjidhje, jo retorikë. Duhet një projekt për krijimin e Asociacionit, me qëllim që t’i thuhet Vuçiqit dhe ndërkombëtarëve: “Ja ku e keni, ne e mbaruam detyrën tonë. Kjo është zgjidhja që ne pranojmë. Bindeni edhe Vuçiqin ta pranojë atë”! D.m.th duhet zgjuarsi që topin ta kalosh në fushën e kundërshtarit. Sa kohë e mban afër portës tënde, gola do të pësosh. Ngjarjet e fundit ishin një gol për Kosovën, por nuk ishte ndonjë tragjedi, siç thotë opozita dhe ata që e duan Kurtin “të pjekur” në hell”, thotë ai.

Ai beson se qeveria do të reagojë me reflektim.

“Propozimet e aktorëve ndërkombëtarë në samitin në Moldavi janë për mua premisë e mirë. Në fund të fundit janë kërkesa për të ushtruar funksionet kushtetuese nga ana e Kosovës. Ato propozime hedhin poshtë edhe akuzat se me këto ngjarje “Kosova do të jetë katasrofë” në të ardhmen”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

Ndryshe, pas tensioneve në veri të vendit, shumë shpejtë pritet që të shkohet në zgjedhje të reja në këto komuna. E krejt kjo po ndodhë pas presionit ndërkombëtar, që po ushtrojnë kundër kryeminsitrit Kurti. Megjithatë Kurti po tenton që me çdo kushtë të shtrijë sovranitetin e Republikës së Kosovës në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat