Rasti Dehari - Komentohen akuzat e zëvendësministrit Sallahu ndaj KPMSHC-së pas rikthimit në punë të tre zyrtarëve të MD-së

Politika

Rasti Dehari - Komentohen akuzat e zëvendësministrit Sallahu ndaj KPMSHC-së pas rikthimit në punë të tre zyrtarëve të MD-së

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 qershor 2023 Në ora: 18:25
Pamje nga varrimi i Astrit Deharit

Çështja e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në Burgun e Prizrenit në nëntor të vitit 2016, mbetet një nga temat e pazgjidhura të drejtësisë në Kosovë.

Pretendimet që Dehari ka kryer vetëvrasje tashmë nuk po llogariten se janë të vërteta.

Mirëpo, kjo çështje po arrin të jetë një enigmë në vete, duke filluar nga humbja e dëshmive për vrasjen e Deharit e deri tek rikthimi i zyrtarëve së fundmi që u larguan nga puna për shkak të vrasjes së Astrit Deharit.

Ditë më parë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK), ka kthyer në punë tre zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët ishin larguar lidhur me rastin e vrasjes së Astrit Deharit.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Burim Buleshkaj – ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Destan Zogaj – ish-ushtruesin e detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit Prizren, Destan Zogaj, janë larguar nga puna nga SHKK-ja në shkurt të këtij viti, për siç thuhej “veprimet dhe mosveprimet e tyre”.

Ndërsa, Topalli, ishte përjashtuar nga puna nga Ministria e Drejtësisë në mars të këtij viti, për siç thuhej “shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”.

Për Topallin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se një nga arsyet e shkarkimit të tij është se “i ka marrë pamjet e kamerave të burgut të Prizrenit, para Policisë së Kosovës, e që një gjë e tillë është e ndaluar me ligj”.

Për kthimin e tyre në punë zëvendësministri i drejtësisë Blerim Sallahu, ka thënë se organizimi dhe funksionimi kriminal ka adresë.

Sallahu, tutje ka ftuar Prokurorinë Speciale të merret me Raportin e Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë dhe me procesin e marrjes së këtyre vendimeve nga anëtarët e partive opozitare që siç ka thënë, e sundojnë KPMSHC-në.

“Këshilli i "Pavarur" Mbikëqyrës i Shërbimit Civil paska kthyer në punë edhe Destan Zogajn e Burim Buleshkajn, të involvuar direkt në rastin Dehari. Të dy së bashku e bashkë me Ylber Topallin pa asnjë bazë ligjore kanë bartur kamerat nga burgu i Prizrenit drejt në dorën e Dhurata Hoxhes - ish ministre e Drejtësisë.

Organizimi dhe funksionimi kriminal ka adresë. Ftoj sërish PSRK-në të merret me Raportin e Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë dhe me procesin e marrjes së këtyre vendimeve nga anëtarët e partive opozitare që e sundojnë KPMSHC-në”, ka shkruar Sallahu në Facebook.

Ndërsa, për këtë temë Gazeta ka kontakuar me avokatin e rastit Dehari, Tomë Gashi, por i njëjti nuk pranoi të prononcohet për këtë çështje.

Mirëpo a ishte i drejtë vendimi për kthimin në punë të këtyre tre zyrtarëve?

Burjani: Në këtë rast veprimi është i drejt i KPMSHC

Image
Blerim Burjani

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot” , ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai e sheh të drejt këtë veprim të KPMSHC-së, duke thënë që të gjithë i mbron ligji dhe nuk mund të largohen nga puna pa prova.

Kjo është normale, nuk mund të largohen njerëzit nga puna pa ra ndesh me ligjin, pra ligji i mbron të gjithë, në këtë rast veprimi është i drejt i KPMSHC”, u shpreh ai.

Juristi më tej, thekson që ky është një mesazh i drejtë që mos të largohen njerëzit pa arsye.

“Tash po ka shumë raste ku po përndiqen nga administrata, shumica po kthehen nga gjykatat. Pra ky është një mesazh i drejtë që mos të largohen njerëzit pa arsye, duhet të respektohet ligji”, nënvizoi Burjani për “Bota sot”.

Kurse nëse ky kthim mund të ketë një prapavijë politike, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Mehmeti: Dua të besoj se s’ka ndonjë qëllim për të fshehur gjurmë

Analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që nuk dëshiron të besoj ndonjë qëllim për të fshehur gjurmë apo diçka të tillë.

Image
Faton Mehmeti

Realisht nuk e di mbi çfarë arsye Këshilli ka kthyer në punë zyrtarët e MSH, të cilët ishin larguar për shkak të rastit “Dehari”.Dua të besoj se s’ka ndonjë qëllim për të fshehur gjurmë apo diçka të tillë, me rastin në fjalë që është shpërfytyruar në të gjitha format”, thekson analisti.

Në fund, ai shton që nuk dua të paragjykoj, veçse kthimi i zyrtarëve mund të jete në kuadër të rrugëtimit të “fshehjes” të së vërtetës.

“Për rastin “Dehari” ka shumë pasiguri, ka shumë manipulime e kështu edhe janë ngulitur në mendjen e qytetarëve se për këtë rast s’ka besim më. Personalisht nuk dua të paragjykoj, veçse kthimi i zyrtarëve mund të jete në kuadër të rrugëtimit të “fshehjes” të së vërtetës”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat