“Është ditur që do të ndodhë”/ Paralajmëron doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare: Kjo ishte thelbësore në veri

Politika

“Është ditur që do të ndodhë”/ Paralajmëron doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare: Kjo ishte thelbësore në veri

Nga: P.Rudi Më: 4 qershor 2023 Në ora: 20:31
Zveçan, qershor 2023.

Pas tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës dhe dhunës që u shfaq nga bandat kriminale të Aleksandër Vuçiqiti, Bashkimi Evropian ka kërkuar që Kosova t'i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, si dhe të organizojë sa më shpejtë zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat veriore.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”, thuhet në deklaratën e BE-së.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë kanë dhënë shenjat e para se mund të ndodhë diçka e tillë.

Por a janë një zgjidhje zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe a do të ketë shtensionim të situatës në veri të Kosovës?

Lidhur me këtë, për gazetën “ Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës është ditur që do ndodhë para zgjedhjeve të fundit, ashtu siç e ka përsëritur kryeministri Kurti dhe është mbështetur nga aktorët ndërkombëtarë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Është e rëndësishme të theksohet se zgjedhjet e fundit, në të cilat popullata serbe nuk mori pjesë, demonstrojnë se Lista Serbe nuk ka autoritetin për të përcaktuar nëse zgjedhjet duhet të mbahen. Po ashtu ka qenë thelbësore vendosja e simboleve shtetërore të cilat nuk do të mund të behshin nga serbët pasi kushdo qe do e bënte do etiketohej në Serbi si tradhtarë, por me vendosjen nga strukturat e Kosovës, ata do e pranojë si një akt të kryer”, thotë Kuçi.

Sipas tij, e gjithë dhuna në veri ishte e orkestruar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Ngjarjet që ndodhën në veri, duke përfshirë rastet e dhunës të orkestruara nga Vuçiqi, së bashku me presionin ndërkombëtar, kanë nxjerrë në pah sfidat në zbatimin e një “politike të paqëtimit” që favorizon Serbinë dhe vendosjes së vendimeve të njëanshme për Kosovën. Është e qartë se Kosova, si dhe rajoni më i gjerë i Ballkanit Perëndimor dhe bota, kërkojnë një qasje më gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Mirëpo, të gjitha reprezaljet që ndodhën detyruan bashkësinë ndërkombëtare që mos ta lënë procesin e Kosovës dhe Serbisë vetëm me marrëveshjen dhe duke menaxhuar kriza, por që të vazhdohet drejt realizimit të paqes me hapa serioz”, shton Kuçi.

Por a duhet që Kosova të tërheq forcat policore nga veriu i Kosovës?

Lidhur me kërkesën për tërheqjen e policisë nga veriu, është thelbësore të merren parasysh interesat dhe shqetësimet e sigurisë së të gjitha komuniteteve të përfshira. Përderisa njësitë speciale të Kosovës duhet të veprojnë në një kapacitet specifik, prania e forcave të rregullta policore nuk duhet të përjashtohet. Është thelbësore që qeveria, si dhe autoritetet përkatëse, ta trajtojnë këtë çështje me përgjegjësi dhe të sigurojnë që veprimet e tyre të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm”, nënvizon Kuçi.

Është e domosdoshme t’i qasemi tryezës së negociatave me një plan gjithëpërfshirës dhe efektiv për menaxhimin e zonës veriore. Qeveria duhet të marrë parasysh interesat dhe shqetësimet e të gjithë aktorëve të përfshirë dhe të punojë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme që promovon paqen dhe bashkëpunimin por pa u tërhequr nga arritjet sikur ishte tek çështja e targave”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat