Parashikohet përballje e ‘zjarrtë’ në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, pas ngjarjeve në veri të Kosovës

Politika

Parashikohet përballje e ‘zjarrtë’ në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, pas ngjarjeve në veri të Kosovës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 qershor 2023 Në ora: 17:38
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar.

Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në komunat veriore të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, edhe më 5 qershor.

Ata po protestojnë rregullisht që nga 29 maji, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Zyrtarë të lartë të Kosovës kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.

Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se, është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por, sipas bllokut, për diçka të tillë duhet krijuar kushtet.

Kështu ka deklaruar të hënën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar takimin e mundshëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

E ri-filimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, po e mbështesin analistes politikë.

Ata parashikuan një përballje të ‘nxehtë’ mes Kurtit dhe Vuçiqit, derisa rifillimin e dialogut e vlerësuan si të domosdoshëm.

Elezaj: Dialogu shqiptaro-serb do të vazhdojë, madje edhe pas një situate tepër të rëndë në veri të Kosovës

Opinionisti Rexhep Elezaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” paralajmëroi rifillim të dialogut, pasi zgjidhje tjetër nuk ka.

Ai tha se e gjithë situate e tensionuar në veri të Kosovës, vjen si pasojë e politikave antishqiptare të Vuçiqit.

“Dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë dosido, ngase alternativë tjetër nuk ka, përveç asaj të luftës, por të cilën nuk do e lejojnë faktorët ndërkombëtarë që të ndodhë.

Prandaj, dialogu shqiptaro-serb do të vazhdojë, madje edhe pas një situate tepër të rëndë në veri të Kosovës, e krijuar ditëve të fundit, kryekëput dhe ekskluzivisht, si pasojë dhe shkak i politikës hegjemoniste dhe antishqiptare të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili qëkur ka ardhur në pushtet para 11 viteve e deri më sot, pikë për pikë dhe germë për germë, veçse me metoda të reja, e ka vazhduar politikën shoviniste dhe antishqiptare të kasapit të Ballkanit, S. Millosheviqit, duke e provokuar me luftë dhe destabilizuar në vazhdimësi shtetin e Kosovës”, deklaroi opinionisti.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas Elezajt, të gjitha këto veprime destabilizuese, presidenti serb po i zhvillon bashkë me Listën Serbe, ku po bëjnë mobilizime të grupeve kriminale të veri të vendit.

“A. Vuçiq, këto veprime destruktive gjithmonë i ka bërë përmes manipulimit politik si dhe mobilizimit fashist të serbëve lokalë dhe grupeve kriminale në veri, siç dihet përmes Listës çetnike serbe, përmes veprimeve kriminale të saj, siç ishin këto në 5-6 ditët e fundit.

Sa për ilustrim, është A. Vuçiqi, ai i cili me porosinë e tij kryetarët e 4 komunave në veri dhënë dorëheqje, mbi 560 policë serbë, gjykatës dhe nëpunës të administratave komunale në katër komunat në veri do i braktisën vendet e tyre të punës në fund të vitit të kaluar, grupet kriminale do ngritin barrikada në rrugë, do e sulmojnë policinë e Kosovës, pastaj me urdhër të tij të gjithë banorët serbë në veri do i bojkotojnë zgjedhjet e 23 prillit për kryetarë të katër komunave në veri, dhe në fund, do e pengojnë betimin dhe marrjen e detyrave këta 4 kryetarë të zgjedhur, duke organizuar protesta të dhunshme kundër policëve të Kosovës si dhe duke sulmuar dhe lënduar rënd me dhjetëra ushtarë të KFOR-it, etj., siç i kemi parë gjatë javës së kaluar..!”, theksoi ai.

Krahas kësaj, opinionisti përmendi edhe kërcënimet për luftë që iu bënë Kosovës, e që ndërkombëtarët nuk reaguan për këtë, por vendosën ta kritikojnë Qeverinë e Kosovës.

“Me një fjalë, është Beogradi zyrtar në krye me A. Vuçiqin, ai i cili qe 11 vite e ka destabilizuar veriun e Kosovës përmes serbëve të manipuluar dhe të paguar majmë, e që për pasojë i ka detyruar organet e sigurisë së Republikës së Kosovës që ta mbrojnë integritetin territorial të Kosovës në veri, t’i mbrojë kufijtë e saj në Jarinjë dhe Bërnjak nga sulmet e bandave kriminale serbe, të lidhura drejtpërdrejtë me BIA-an dhe MUP-in e Serbisë, duke kërcënuar me luftë Kosovën, duke e rrejt opinion ndërkombëtar, për gjoja në mbrojtje të “popullit” serb në Kosovë, dhe kështu me radhë..!?

Mirëpo, siç e dimë, ngjarjet e fundit në veri shkaktuan reagim të ashpër ndaj autoriteteve të Kosovës, për gjoja mos-koordinim me faktorët ndërkombëtarë, gjë që çoi deri në ndëshkimin e Kosovës nga ana e SHBA-ve me disa sanksione, duke e fajësuar qeverinë e Kosovës për veprime të ngutshme në veri, gjë e cila në fakt nxori në shesh nxitimin dhe mos-koordinimin amerikan me BE-në, përfaqësuesi i të cilës, z. Borrell tha ato ditë, “se zgjedhjet lokale në veri nuk do prodhojnë stabilitet”, por të cilat miqtë tanë amerikanë i njohën dhe i pranuan si legjitime”, nënvizoi Elezaj.

Tutje, ai potencoi se zgjedhje në komunat veriore të Kosovës ishin kushtetuese, por jo legjitime, shkaku i pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje.

“Pra, të gjithë e dinë, se ato zgjedhje ishin kushtetuese, por jo edhe legjitime, ngase pjesëmarrja në to ishte minimale, ku shumica e serbëve në veri i bojkotuan ato, duke e sabotuar me qëllim funksionimin e shtetit dhe pushtetit të Kosovës në atë pjesë të saj.

Se është kështu, këtë e tregon qartë kërkesa e BE-së që në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale, por edhe gatishmëria e qeverisë së Kosovës për organizimin dhe mbajtjen e tyre të serishme atje”, shpjegoi opinionisti.

Ndër të tjera, Elezaj, vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi e vlerësoi si të domosdoshëm, pasi duhet të implementohet aneksi i marrëveshjes së Ohrit.

“Sido që të jetë, pa pëlqimin e Beogradit zyrtar që serbët në veri duhet të dalin në zgjedhjet e reja, nuk do të ketë kurrfarë zgjedhjesh në veri, prandaj vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi është i domosdoshëm, jo vetëm për t’u marrë vesh rreth zgjedhjeve të reja në veri, por para së gjithash, për vazhdimin e implementimit të Aneksit të marrëveshjes së Ohrit, si kornizë paraprake e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e cila duhet të përfundojë me Marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme si dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja shtetet, dhe, e cila do nënshkruhej në një konferencë solemne me pjesëmarrjen e faktorëve më kyç ndërkombëtarë”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Mehazi: Takimi i radhës në Bruksel do jetë më sfiduese për Kurtin se do kritikohet jo vetëm nga Vuçiqi, por edhe nga SHBA-të dhe BE-ja

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” tha se pas ngjarjeve në veri të Kosovës, duhet të organizohet një takim urgjent mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Përkundrazi, pas ngjarjeve të fundit në veri nga ana e serbëve të tërbuar, do të ishte e pakuptueshme dhe e palogjikshme të mos kishte takime dialoguese në mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, në këtë rast presidenti i Serbisë edhe mos donte të dialogojë do jetë i detyruar të takohet në Bruksel me Kurtin. Nuk e dimë se nga erdhi ideja se për shkak tensioneve serbe në veri nuk mund të ketë dialog kur këto tensione janë të njëjta sikurse gjatë targave serbe.

Tensionet e sulmet serbe nuk kanë filluar me tre komunat e veriut, por janë në vazhdimësi që nga Rambuje e deri më sot, Serbia pandërprerë sulmon mëvetësinë e Kosovës në veri që nga 1999, prandaj nuk është e logjikshme të thuhet se nuk mund të ketë dialog pas këtyre ngjarjeve të fundit në veri”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Mehazi u shpreh se takimi i ardhshëm në Bruksel do të jetë sfidues për Kurtin, pasi do ketë kundër edhe SHBA-të e BE-në, jo vetëm Vuçiqin.

“Ngjarjen e fundit vetëm që do përshpejtojnë zgjidhjen e problemit edhe pse takimi i radhës në Bruksel do jetë më sfiduese për Kurtin se do kritikohet jo vetëm nga Vuçiqi, por edhe nga SHBA-të dhe BE-ja duke e fajësuar krye shefin e qeverisë së Kosovës për shkak ndërhyrjes së policisë së Kosovës në tre komunat e veriut.

Dialogu i ardhshëm i Vuçiqit dhe Kurtit sa mund të jetë pozitive po aq dhe negative për të dyja palët kundërshtuese, se ngjarjet tensionuese të serbëve në tre komunat e veriut donin t'ia bënin me dije Kurtit dhe qeverisë së Kosovës se ana veriore është serbe, kurse ndërhyrja e policisë së Kosovës në këto komuna ua bëri me dije serbëve e Vuçiqit se veriu është Kosovë e jo Serbi”, nënvizoi profesori.

Image
Sulejman Mehazi

Në fund, ai parashikoi një takim të ‘zjarrtë’ mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.

“Veriu i Kosovës është betejë politike e Vuçiqit për t'i treguar Kurtit se katër komunat e kësaj ana janë nën ombrellën e tij dhe Serbisë, kurse Kurti me ndërhyrjen e policisë së Kosovës ia bëri me dije Vuçiqit se në këto komuna të veriut pyetet ai dhe qeveria e Kosovës e jo Serbia.

Takimi dhe biseda e radhës në mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel do jetë më i zjarrtë sesa herët tjera për shkak qëndrimeve diametralisht të kundërta politike, presidenti i Serbisë, Vuçiqi do sulmojë Kurtin me llojin e asiciacioneve operative e funksionare serbe, kurse kryeministri i Kosovës Albin Kurti do mbrojë denjësisht kushtetutën e Kosovës, dhe fundi i takimit do jetë darka e përbashkët në ndonjë hotel lusoz të Brukselit e asgjë më shumë”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat