Zgjedhje përsëri në veri, flasin nga KQZ, tregojnë a ka buxhet Kosova

Politika

Zgjedhje përsëri në veri, flasin nga KQZ, tregojnë a ka buxhet Kosova

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 qershor 2023 Në ora: 17:18
Foto ilustrim

Tre kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kishin kësaj radhe dy emisarët perëndimorë për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan, Gabriel Escobar. Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë pjesë dhe kthimi në tavolinën e dialogut.

Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, është një prej tri kërkesave të dy emisarëve perëndimorë për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguar amerikan, Gabriel Escobar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk është deklaruar rreth kërkesave të emisarëve, ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka thënë se zgjedhjet e reja në veri janë të mundshme.

“Theksova se mosndëshkimi për grupet dhe individët kriminalë që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë, gazetarëve, KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve nuk duhet toleruar. “Po ashtu, nënvizova se zgjedhjet e reja janë të mundshme në përputhje me ligjin dhe parimet demokratike përfshirë pjesëmarrjen e të gjithëve”, ka thënë presidentja pas takimit me Escobar dhe Lajçak.

Duke folur rreth buxhetit të KQZ-së për zgjedhje të reja në këto komuna, zëdhëndësi Valmir Elezi, thotë se KQZ është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga kushtetuta dhe ligjet në fuqi.

“ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, ka thënë për “Bota sot”, Valmir Elezi.

Image
Valmir Elezi

Kujtojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e rinj të katër komunave veriore u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe atje.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e 23 prillit dolën 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Në anën tjetër, Elezi është shprehur se buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve të 23 prillit ka qenë rreth 500 mijë euro, por ky buxhet ka qenë i planifikuar dhe jo domosdoshmërisht i shpenzuar.

Sipas tij, KQZ-së ka përmbyllur detyrimet financiare nga procesit i zgjedhjeve të 23 prillit, ndërsa planifikimi i buxhetit për një proces të ri zgjedhor bëhet vetëm pasi të shpallen zgjedhjet.

“Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve të 23 prillit ka qenë rreth 500 mijë euro. Pra, ky ka qenë vetëm buxhet i planifikuar dhe jo domosdoshërisht i shpenzuar. Në kuadër të këtij planifikimi është llogaritur edhe raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar, sepse është një mundësi që parashihet me ligjin për zgjedhjet lokale. Zakonisht nuk shfrytëzohen të gjitha mjetet që planifikohen. Meqenëse kemi pak kohë largë nga dita e zgjedhjeve të 23 prillit, ju njoftoj se KQZ-ja është duke përmbyllur detyrimet financiare nga ky proces dhe sipas ligjit do të publikohet një raport i plotë për shpenzimet zgjedhore dhe mënyrën e shpenzimit. Po sipas ligjit, afati për këtë është brenda 60 ditëve prej ditës së shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. - Planifikimi buxhetor për një proces të ri zgjedhor bëhet vetëm pasi të shpallet”, ka shtuar Elezi.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat