Edhe një veprim i ligjshëm i marrë nga institucionet e Kosovës, bëri që ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, të dalë me një reagim kritikues.
E, ky reagim erdhi vije për shkak të mbylljes së strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.
O’Brien i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ndalë, “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.
Madje, për këtë veprim të Kosovës, kishte reaguar edhe Ambasada amerikane në Kosovë,
“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Ambasada amerikane më 30 gusht.
Burjani: Ndoshta edhe u teprua që për çdo gjë duhet të kërkohet pëlqim nga të gjithë
Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani shpreh çudinë për faktorin ndërkombëtar.
Ai pyet se, si është e mundur që çdo gjë që duhet të zbatohet për një shtet sovran siç është Kosova, të kërkohet pëlqim nga ndërkombëtarët.
Burjani, thotë se ato marrëveshje që nuk janë zbatuar, kryeministri Kurti po i zbaton një për një në praktikë.
“Kosova është akuzuar qe një kohe të gjatë për nxitje të tensioneve dhe konflikteve në veri dhe po kryen aksione pa partneritet dhe pa marrëveshje në Bruksel, BE dhe SHBA nuk do akte individuale por do akte në harmoni dhe me pëlqim të Kosovës dhe Serbisë, kjo që një kohë të gjatë nuk ka funksionuar me marrëveshje dhe nuk janë zbatuar, tash Kurti po i zbaton një nga një në praktikë pa pyet askënd në emër të sovranitetit të Kosovës dhe shtetit të pavarur, asgjë nuk është më e çuditshme se sa më i thënë një shteti sovran nuk mundesh me nxjerr dhe me zbatua asnjë vendim vetëm pa na pyet neve, e kjo e ka prish normalitetin, ndoshta edhe u teprua që për çdo gjë duhet të kërkohet pëlqim nga të gjithë kjo nuk mund të ndodhë në territorin e Serbisë, por në territorin e Kosovës duhet me i pyet të gjithë, politika nuk ka ndryshuar asnjëherë e perëndimit, ka qenë thjesht një politikë breshkë e ngadalshme dhe pa zgjidhje”, thotë ai.
Derisa, edhe për urën dhe KFOR-in, ai thotë se kjo urë më nuk ka rëndësi as për serbët as për shqiptarë, thjesht është mbet një urë koti.
“Tash Kurti ato marrëveshje po i zbaton, më e çuditshme është kur mbi urë rrinë KFOR e serbët nuk protestojnë dhe rrinë në kafenetë në veri, pra tash ky po duket një cirk, dramë. Kurti kërkon hapjen e Urës, ata janë dal ta ruajnë Urën, Vuçiç po ashtu nuk e do hapjen e kësaj ure, kjo urë më nuk ka kurrfarë rëndësie as për serbët e as për shqiptarët, ka mbetur një urë e pa kalueshme koti”, deklaron Burjani.
Maraj: Me SHBA, Kosova duhet të ketë marrëdhënie speciale
Analisti Milazim Maraj shprehet se mbi gjithë deklarimet e bëra kundër Qeverisë së Kosovës, vendi ynë duhet të ketë marrëdhënie speciale me SHBA.
Sipas tij, mes SHBA dhe Kurtit ka një rrugë tjetër, e që kjo ndiqet nga Qeveria Kurti, duket që nuk i ka në funksion të gjithë faktorët e domosdoshëm për të shtrirjen e sovranitetit së shtetit brenda kufijve të vet edhe pse ka plotë të drejt.
“Puna e institucioneve të një shteti në një shtet tjetër është ilegale. Kjo është e kundërligjshme, në këtë rast shteti Kosovës ka të drejt të veproj në përputhshmëri me Kushtetutën dhe me ligjet e veta. Pra është e drejt e institucioneve tona që në terë territorin e vet të vë institucionet e veta në shërbim të qytetarëve të vet pa dallim kombi, apo feje. Këto institucione kanë funksionuar me ligje të shtetit të Serbisë në shtetin tonë në Kosovë, pra ishin ilegale. Ndihmës sekretari amerikan James O’Brien ka reaguar ashpër ndaj Kryeministrit të Kosovës për të ndal veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara më të cila po dëmton partneritetin tonë më SHBA.
Me SHBA, Kosova duhet të ketë marrëdhënie speciale. Në mes të kësaj të drejte të Kosovës dhe reagimeve të SHBA dhe aleatëve tonë ka një rrugë tjetër e cila nuk po funksionon. Kjo rrugë që po ndiqet nga Qeveria Kurti, duket që nuk i ka në funksion, të gjithë faktorët e domosdoshëm për të shtrire sovranitetin e shtetit brenda kufijve të vet edhe pse ka plotë të drejt. Duket se kësaj rruge i mungon qasja, faktori kohor i veprimit dhe komunikimi me ekspertet e vendit dhe me aleatët tonë për të treguar çartë domosdoshmërinë. Dëmtimi i partneritetit të Kosovës më SHBA nuk arsyetohet më veprime që prodhojnë duartrokitje emocionale dhe suksese momentale, ndërsa Serbinë kriminele e sjell në pozitë të favorshme politike”, shprehet ai.
Tutje, thotë se SHBA përkrah Kosovën, por ka mjaft rrugë, mënyra dhe forma tjera përmes të cilave do të zgjidhën këto çështje të shtrirjes së sovranitetit.
Interesat madhore të Gjermanisë në Lloznicë të Serbisë dhe tregu i armatimit me Francën janë arritje të Serbisë, prapaskena e këtyre marrëveshjeve do të duhej të studiohet dhe vlerësohet mirë nga ekspertet e Kosovës. Ta shohim një herë nga një kënd tjetër: Kur Serbia i ofron Gjermanisë minierën në Lloznicë shumë më pa dhimbje do të i ofronte dikujt Trepçën nëse i premtohet veriu i Mitrovicës. SHBA përkrah sovranitetin e Kosovës, ajo nuk është kundër këtij sovraniteti, por ka mjaftë rrugë, mënyra dhe forma tjera përmes të cilave do të zgjidhën këto çështje të shtrirjes së sovranitetit”, potencon ai.
Ai ngre dyshimin se në Kosovë, janë në përplasje të ashpër interesat e huaja të cilat për çdo ditë po krijojnë më shumë mjegull, huti dhe pakënaqësi.
Në fund, vë theksin se vendimet pa vizion të çartë dhe rrugë e objektiv të studiuar mirë garantojnë humbje
“Përkrahja e SHBA nuk ka munguar kurrë që nga viti 1990. Pa këtë përkrahje, Kosova nuk do të ishte e pavarur. Respektimi i kësaj përkrahje dhe studimi bashkë më SHBA për rrugën e mëtutjeshme është i domosdoshëm. Në Kosovë bashkëpunimi i shqiptarëve nuk është në nivel, qoftë brenda Kosovës, qoftë në nivel rajonal. Nuk mjafton të bisedohet vetëm për aleanca para apo pas zgjedhjeve. Duhet të bisedohet shumë arsyeshëm për çështje më peshë kombëtare më të gjithë. Në Kosovë janë në përplasje të ashpër interesat e huaja të cilat për çdo ditë po krijojnë më shumë mjegull, huti dhe pakënaqësi. Mbledhja e eksperteve para së të merret një vendim është bërë mjaftë i vështirë. Kryeneçësia, interesat personale, grupore bashkë më ato të huaja janë ngritur mbi interesat e përgjithshme të Kosovës. Bashkëpunimi mbi bazat e interesave të ulëta. më kryeneçësi apo inate, nuk ka prodhuar ndonjëherë vlera për ngritje dhe prosperitet të vendit. Kryeministri dhe Qeveria e tij nuk po arrijnë të i tubojnë grupet e eksperteve tonë që të marrin vendime të rëndësishme dhe të pranueshme për shtetin Kosovës. Vendime pa vizion të çartë dhe rrugë e objektiv të studiuar mirë garantojnë humbje. Injorimi i vlerave tuaja është vet komprometues: më te nuk sigurohet besimi i atyre për të cilët ke nevojë. Andaj është e domosdoshme që të rishqyrtohen veprimet tona, ta masim mirë hapin para se ta hedhim. Mos koordinimi më SHBA; është më së paku humbje kohe për prosperitetin e shtetit tonë”, përfundon ai për “Bota sot”.