Koha e zgjedhjeve po afrohet dhe politikanët e njohësit e politikës vazhdimisht po diskutojnë rreth këtyre ҫështjeve.
Veprimtari dhe njohësi i ҫëshjteve politike, Idriz Zeqiraj duke komentuar qëndrimet e ish liderit të Vetëvendosjes dhe tani analist politik, Visar Ymerit, thotë se ‘kërkesës që bënë analisti Visar Ymeri me kolegët debatues, pothuajse, në të gjitha mediat, por edhe opozita PAN-iste e çoroditur dhe, skajshëm, destruktive, e cila, tashmë, llogaritet palë me Serbinë, përsa i përket - dialogut - dhe të veprimeve sovraniste që ka ndërmarrë dhe vazhdon të ushtrojë qeveria aktuale e Lëvizjes Vetëvendosje, në koalicion me Listën Guxo dhe Alternativa si dhe me përfaqësuesit e partive minoritare, personalisht, mendoj krejt ndryshe’.
“Përsa u përket subjekteve politike, PDK-AAK-NISMA, të dala nga "Lëvizja Popullore e Kosovës", (LPK), ish të koalicionuara në PAN, krerët e tyre, së bashku me disa "komandantë", të kamufluar me uniformën e shenjtë të -UÇK-së-, përgjatë luftës dhe pas luftës të Kosovës, të instruktuar nga Sigurimsat e Enver Hoxhës, u zhytën në krime vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Qysh para luftës, ata sabotuan Fondet financiare, të hapura për mbijetesën e popullit të Kosovës, duke përçarë emigracionin ekonomik dhe poplitik të Shqiptarëve, madje kudo që jetonin dhe punonin në botë. Me fillimin e luftës, sabotuan unifikim e faktorit ushtarak, duke dështuar mbledhjen në Osllo të Norvegjisë dhe duke kulmuar me ekzekutimin zyrtar të Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit. Në ekzekutimin e kreut të luftës, Krasniqi, ishin koordinuar krerët e LPK-së, me SHP të UÇK-së të saj dhe krerët socialistë të Tiranës zyrtare. Edhe pse e kishin proklamuar themelimin e UÇK-së së tyre, atë kurrë nuk e futën në Luftën e Kosovës. Dhe, janë themeluesit e kësaj UÇK-je, ata që akuzojnë SHTAB-in e Rogner-it, për sabotim të luftës, madje duke i denoncuar me emra dhe mbiemra, sipas pozitës politike dhe ushtarake që mbanin në atë kohë. Dhe, e gjithë kjo është një e vërtetë publike, e thënë dhe e shkruar ne forume dhe mediat gjithëshqiptare, madje edhe të huaja”, thotë Zeqiraj.
“Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e kompozuar nga Tirana zyrtare social-komuniste, e barti në Kosovë praktikën fashizoide të Enver Hoxhës, me byroistët e tij kriminelë, të cilët, për afro gjysmë-shekulli, ushtroi dhunë, terror, gjenocid, karshi popullit shqiptar të Shqipërisë. Në mes shumë mijëra të deklasuarëve politikë, me vrasje, burgje dhe internime, ekzekutoi edhe 6.000 intelektualë, duke i lënë edhe pa varr! Kështu filloi sundimin kriminal edhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e cila po përballet me dosjet faktike të shumë qindra krimeve, të bëra ndaj ushtarakëve luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; kuadrove dhe veprimtarëve të LDK-së; gazetarëve-korrespondentë të luftës; si dhe kuadrove të hershëm të LPK-së”.
“Rrjedhimisht, partitë-banda të PAN-it, me krimet serike të krerëve të tyre partiakë dhe të shumë kuadrove të tyre, të bëra përgjatë dhe pas luftës, siç janë vrasjet e kundërshtarëve politikë dhe korrupsioni masiv, përkatësisht, hajnia zyrtare dhe shkatërrimi i ekonomisë, i institucioneve, në veçanti të Sistemit të Drejtësisë, Arsimit, me blerjen e diplomave nga "komandantët", sot me doktorata shkencore, "profesorë" në Universitetet e Kosovës, duke sjellur vendin në stadin më të ulët shtetëror, që kulmon me pazarët e pista e tradhtare me Serbinë, për ndarjen e Kosovës”, vlerëson Zeqiraj.
Ai thotë tutje se, qytetari i Kosovës, është para një sprove historike, me përgjegjësi të lartë kombëtare, në zgjedhjet e shkurtit 2025, PAN-in duhet ta lënë ta vazhdojë opozitarizmin e merituar, të paktën, për një 10-vjeçar. ‘Partitë e PAN-it, respektivisht, PDK-AAK-NISMA, për veprimtarinë e tyre kriminale, në një shtet normal, duhej të shpalleshin - të jashtëligjshme -. Por, për hirë të anëtarësisë, të mashtruar me propagandën lehaqene, tipike enveriste, këto parti duhet jo të re-formohen -, por të - ri-formohen -, duke i spastruar radhët nga elementët e inkriminuar dhe të korruptuar, të cilët, mjerisht, janë të bollshëm, numerikë. Madje, me rastin e -riformimit-, për t`u distancuar nga e kaluara kriminale e ish-partiakëve, duhet të emërtohen ndryshe, pra, me emra të rinj dhe përcaktime, djathtas apo majtas, sipas bindjeve përkatëse individuale. Pra, të shpëtohet atë çka mund të shpëtohet. Dhe, kjo do të ishte e shëndetshme për partitë e reja dhe Kosovën tonë. Partitë e sotme të PAN-it, nuk kanë asgjë nga djathtizmi klasik. Përkundrazi, janë tërësisht të majta, madje, tipike enveriste-staliniste’.
Zeqiraj thotë se, koalicionet e partive të mëdha, në botën demokratike, për interesa shtetërore, nuk i pengojnë qenia e majtë apo e djathtë normale. Ndërkohë, ekstremet janë alergjike, pavarësisht të cilit krah janë.
“Përcaktimi LDK-së është i njohur dhe i pranueshëm, pothuaj se, nga të gjitha palët, subjektet. Për LVV majtizmi i saj është ekzagjeruar, është bërë "gogol" për opinionin! Realisht, VV është hetorogjene, siç shkruante shkrimtari ynë, Azem Shkreli, në hyrje të romanit "Karvani i Bardhë": "Ndër këto troje është përzier gjithfarë ujemi!" Sigurisht, fjalën e kishte për multietnicitetin, më saktë, kolonët e sjellur qëllimshëm, për ta ndryshuar strukturën e popullatës në Kosovë. LDK dhe LVV nuk kanë pasur dhe as nuk kanë struktura të krimit dhe as hajni të organizuar. Rrjedhimisht, e kaluara e këtyre dy subjekteve është pa mëkate, që mund t`i hamendësojnë qytetarët e Kosovës, për ta besuar votën e tyre, pa frikë të abuzimit me pasuritë e brezave të sotëm dhe të ardhshëm shqiptarë. Koalicioni i parë LDK-LVV ka qenë krejt i natyrshëm dhe hiç aksidental. Dilema e zgjedhjes për koalicion në Kosovë, është e madhe sa bjeshka. Sepse Kosova është përgjakur jo vetëm nga Serbia, por edhe nga shqipfolësit, hafije të Serbisë dhe të Shqipërisë. Kjo përgjakje ka qenë e ngeshme, ka qenë SHTAB-iste, me hartimin e listave emërore. Dhe, kjo ka ndodhur vetëm përgjatë LDB në Shqipëri dhe e vazhduar në monizmin e saj fashist”.
“E përsërisim, koalicioni LDK-LVV, ka qenë normal, ndërsa prishja e koalicionit ka qenë aksidentale. Ndërhyrja kriminale e Serbisë, Hashimit dhe Grenellit realizoi prishjen e koalicionit, i vetmi i pranueshëm nga pjesa më e madhe, madje absolute të shqiptarëve botërorë. Ishte një prishje e ngutshme e koalicionit, me afat një javor, që kreu LDK-së të atëhershme, i shantazhuar nga SHIK-u vrastar, e miratoi. Për LDK-në, respektivisht, udhëheqjen aktuale të saj, e cila, të paktën, i ka filluar reformat në parti, me premtimin dhe shpresën e vazhdimit të tyre, anëtarësia, në veçanti, dhe Shqiptaria, në përgjithësi, shtron pyetjen logjike: "A është më e pranueshme të bësh koalicion me LVV, apo me PAN-in, i cili ka përgjakur LDK-në dhe Kosovën dhe kurrë nuk ka kërkuar as falje dhe as pajtim?!!!", thotë Zeqiraj për ‘Bota sot’.
Ai thotë se një njeri, një parti, një popull që nuk ka parime, vlerat e tij shumëzohen me zëro. Ka ardhur koha që shqiptarët, më në fund, të vetëdijësohen.
“Padrejtësia që i bëhet një individi, gjëma që i shkaktohet një njeriut, duhet të përjetohet kolektivisht dhe angazhimi duhet të jetë maksimal, për lehtësuar gjëmën e tij, duke bërë drejtësinë, në raport dhe përmasën e krimit. Poeti shquar çek, Julius Fuçik, para skuadrës pushkatore, bënte thirrjen proverbiale: "Njerëz, ju kam dashur. Jini vigjilentë!", vlerëson ai.